Votëbesimi i qeverisë
BLEDAR HOTI
Vëmendja e një pjese të madhe të shqiptarëve ishte fokusuar te derbi i Italisë, Inter-Juve, por një tjetër derbi po zhvillohej në tokën e shqiponjave, ai i tapetit parlamentar, debati mes socialistëve dhe demokratëve për programin e qeverisë Edi Rama. Në një ditë të pazakontë pushimi, Kuvendi u mblodh për t’u përballur me kontestimet e opozitës për programin e paraqitur më 11 shtator nga Kryeministri Rama në Parlament. Për t’u përballur në këtë diskutim ishin listuar 98 deputetë të Kuvendit, çka jepte sinjalin e qartë të një seance maratonë, e cila nisi në orën 10:30. Pas disa procedurave, si betimi i deputetit të PD-së, Myqerem Tafaj, miratimi i procesverbalit të seancës, debati filloi në orën 11:11.
Skenari anti-Bruksel
Në listën e diskutantëve ishin 54 deputetë të opozitës, ndërsa 44 ishin të mazhorancës, PS, LSI dhe PDBNJ. Sipas burimeve, lista e gjatë e diskutantëve kishte të bënte me qëllimin e demokratëve për të penguar daljen e Ramës përpara zyrtarëve dhe deputetëve të Parlamentit Europian si kryeministër i votëbesuar në Kuvendin e Shqipërisë. Diskutimet e pafund, ku një deputet kishte në dispozicion vetëm 20 minuta, kishte si qëllim realizimin e këtij skenari. Edi Rama ka parashikuar të hënën takime intensive në Bruksel, në Komisionin Europian dhe Parlamentin Europian. Fillimisht ish-kryeparlamentarja Topalli i kërkoi Metës që të mbante një balancim të diskutimeve mes mazhorancës dhe opozitës. Më vonë mësohet se kryeparlamentari Meta i ka dhënë më tepër hapësirë demokratëve, kur pati tre diskutantë radhazi nga PD-ja. Në drekë, kishin folur në Parlament 15 deputetë nga 98 gjithsej. Tre diskutimet e deputetëve të PD-së, Qirici, Keta dhe Bushati sollën reagimin e kreut të grupit të PD-së, Edi Paloka. “Zoti kryetar, ju kërkoj të mbani një rregull të diskutantëve, ashtu siç është vendosur në listën e miratuar. Deri tani kanë diskutuar tre deputetët tanë dhe asnjë nga mazhoranca, duhet të keni kujdes”, tha Paloka. Ndërsa Meta ka ndërhyrë duke deklaruar se “është hera e parë që kritikohet një kryetar i Parlamentit se mban anën e opozitës, por Topalli më tha që t’i jepja më shumë hapësirë opozitës në diskutime, tani ju kërkoni të kundërtën”. Por Paloka ka replikuar se “Rama nuk mund të dijë jetën parlamentare se është i ri, por ju keni 20 vite si deputet në Kuvend. Keni bërë këtë skemë për të fituar orë”. Pas kësaj mësohet se socialistët janë udhëzuar që diskutimet e tyre të shkurtohen, duke mos u mbajtur për 20 minuta sa ishte parashikuar koha. Shkurtimi i fjalimeve ishte një nga gjërat që deputetët socialistë patën në konsideratë, duke bërë që diskutimet e tyre të reduktohen deri në 10 minuta. Demokratët u shprehën se nuk do të tërhiqen deri në kohën e tyre, ndërsa socialistët ishin të vendosur që debati të vazhdonte pa ndërprerje deri në orët e para të mëngjesit. “Qeveria do të votohet deri në orët e para të mëngjesit, ne nuk tërhiqemi”, deklaroi një deputet socialist për gazetën “Shqip”. Pas orës 21:00, pas mbylljes së debatit ndërmjet Berishës dhe Ramës në Parlament, mësohet se një pjesë e mirë e deputetëve socialistë u tërhoqën nga diskutimet e tyre, duke bërë që të mbesin vetëm 20 diskutantë. Sigurisht ata ishin vetëm nga kampi i djathtë në shumicë. Kjo ishte strategjia e PS-së përballë skenarit të PD-së për të zgjatur deri të dielën, në orët e vona, seancën e debatit për qeverinë e re. Kryeministri Edi Rama ka qenë në seancë gjatë gjithë kohës, duke mbajtur shënim dhe diskutimet e deputetëve të opozitës mbi kritikat e paraqitura. Kryeministri socialist ka pasur disa shkëputje të vogla në seancë, për të pirë kafe apo për të pushuar. Në seancë ka pasur disa komunikime me anë të letrave mes Ramës dhe Metës. Letër-porositë apo mendimet janë ndërmjetësuar nga sekretarja e Kuvendit, e cila ka dhënë e ka marrë disa herë letrat që Kryeministri ia dërgonte Kryeparlamentarit apo anasjelltas.
Vizita dyditore
Kryeministri ka parashikuar një vizitë dyditore në Bruksel ku pritet të takohet me krerët e Bashkimit Europian dhe të Parlamentit Europian
Spaho, merr 99 vota, 1 abstenim
Deputeti i PD-së, Edmond Spaho, u zgjodh nënkryetari i ri i Kuvendit të Shqipërisë. Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, para nisjes së debatit, paraqiti kërkesën e një grupi deputetësh të PD-së për të hedhur për votim emrin e Edmond Spahos si nënkryetari i ri i Kuvendit. Nënkryetari i ri i Kuvendit mori 99 vota pro dhe një abstenim. Vota abstenuese erdhi nga socialisti Anastas Angjeli. Meta përpara votimit, si me shaka, iu drejtua deputetëve se “kujdes me ato 91 votat”, duke kujtuar votat pro tij. Gjatë debatit parlamentar, Spaho ka pasur disa momente për të drejtuar seancën Kuvendit.
Balla: Berisha, mos ia ngarko në kurriz shqiptarëve traditën serbe
Deputeti socialist: Rilindja nuk është revansh, por as amnisti
Deputeti i PS-së, Taulant Balla, në fjalën e tij kontestoi qëndrimin e ish-kryeministrit Sali Berisha në lidhje se dhe vdekjet dhe humbjet festoheshin. “Do të doja t’i thosha diçka zotit Berisha dhe deputetëve të Partisë Demokratike, që ikin sapo del nga salla zoti Berisha, se humbjen edhe vdekjen që Berisha e tha sikur e festojnë shqiptarët, në fakt e festojnë serbët. Shqiptarët nuk e festojnë. Kjo shprehje ka ngelur nga festa që serbët bënë kur humbën Betejën e Fushë Kosovës. Kështu që zoti Berisha e di që i ke merak shumë ritet dhe traditën serbe, por mos ua ngarko atë në kurriz shqiptarëve, se nuk e kanë. Ne shqiptarët e qajmë vdekjen, ndërsa kur humbim betejën bëhemi gati të fitojmë betejën e radhës. Zgjedhjet janë leksioni që populli një herë në katër vjet i jep politikës. Leksioni në këto zgjedhje ishte i qartë:
Më 23 qershor, shqiptarët votuan në një mazhorancë historike për Rilindjen, kundër Rrënimit. Por në fakt, as kolegët në opozitë dhe as deputeti Berisha nuk e kanë kuptuar këtë gjë. Madje vazhdojnë të sillen sikur janë akoma në pushtet. Kryetari de facto dhe kryetarët e komanduar të Partisë Demokratike, zoti Paloka dhe zoti Basha, ankohen se Rilindja po kthehet në revansh”, deklaroi Balla. Më tej, socialisti shtoi se Rilindja e PS-së nuk është një revansh dhe një urrejtje. “Mos u ankoni më kot. Rilindja jonë nuk është revansh, as urrejtje, por nuk është as amnisti. Të jemi të qartë në këtë pikë për raportin tonë me dëmet e kohës tuaj: Ne nuk kemi mandat për të amnistuar krimet e pa gjykuara që janë bërë. Ne deputetët e Grupit Parlamentar Socialist mbështesim angazhimin e Kryeministrit Edi Rama se mandati na është dhënë për të mos harruar popullin e vrarë në Gërdec, katër protestuesit e vrarë më 21 janar në bulevard, kolegun tonë Fatmir Xhindi të vrarë në oborr, kryekomunarin Remzi Veseli, të vrarë në rrugë, komisarët e policisë të vrarë në krye të detyrës. Dhe këtë nuk e bëjmë se duam të hakmerremi për të shkuarën, po nuk duam që Rilindja t’i hyjë në hak së ardhmes. Zoti kryeministër i shkarkuar, Berisha! Gjuha jote kërcënuese nuk na bën fare përshtypje, fare. Ne nuk duam të bëjmë politikë me drejtësinë. Por do të bëjmë çmos që drejtësia të mos jetë aneksi i punëve të pista të kryeministrit të shkarkuar, sikurse është deri më sot”, tha Balla.
Olldashi: Kjo është qeveria më e vogël në botë, me dy ministra: Ramën e Metën
Ish-ministri: Mazhoranca juaj nuk është plebishitare, por aritmetike
Për deputetin demokrat, Sokol Olldashi, programi qeverisës i të majtëve mund të quhet vetëm “llogje mbi governancën”. “Dokumenti është pamflet arrivist. Programi juaj nuk ka përfaqësim, është thjesht instrumenti mediokër i kryeministrit. Programi juaj është pa ngjyrë, as i majtë, as i djathtë, dhe as përtej së majtës dhe së djathtës. Territorit i keni kushtuar gjithë e gjithë vetëm 450 fjalë, përfshi këtu edhe lidhëzat. Flisni për plan kombëtar transporti, në një kohë që ky plan ekziston që prej 9 vitesh dhe që është miratuar në kohën kur ju keni qenë në qeverisje”, tha ai. Sipas Olldashit, kjo mazhorancë është vetëm aritmetike, ndërsa qeveria përbëhet vetëm nga Rama dhe Meta. “Kjo shumicë nuk ka ardhur në pushtet si rezultat i ndonjë oferte konkrete për ecjen përpara. Kjo shumicë është varfërisht vetëm aritmetike. Kjo është qeveria e vetme në botë që ka vetëm dy ministra, Kryeministrin dhe Kryetarin e Parlamentit. Shpresoj vërtet që të dy bashkë ministrat t’ia dalin, sepse me ngarkesën që kanë marrë përsipër, kanë nevojë për staf. Kjo është qeveria që jo vetëm kolegët e opozitës, por edhe ata të mazhorancës nuk i njohin ministrat e tyre. Ashtu siç thoshte i ndjeri Pjetër Arbnori: Kjo s’është qeveria e socialistëve, por e specialistëve. Ministrat që i kanë emrat e tyre të shkruara me laps janë tërësisht vulnerabël dhe lehtësisht të fshishëm”, deklaroi Olldashi. Më tej, teksa vuri theksin në arritjet dhe punët e bëra nga qeveria e djathtë, ish-ministri i kabinetit “Berisha” u shpreh se çelësi i suksesit për qeverinë e re do të jetë pikërisht njohja e këtyre arritjeve si: ndërtimi i Aeroportit të Tiranës, Portit të Durrësit, Rrugës së Kombit, Rrugës së Elbasanit, anëtarësimi në NATO, liberalizimi i regjimit të vizave, etj. “Si parakushti i parë për suksesin tuaj, duhet të pranoni këto suksese të qeverisë tonë. Tetë vite rresht keni hedhur baltë pafund, ja ku jeni, hapini dosjet dhe nuk do të gjeni asgjë nga akuzat tuaja. Duhet t’i besoni dhe t’i dëgjoni këto arritje, pasi shqiptarët do t’ju krahasojnë me ne për çdo gjë që do bëni. Lexoni librin e shndërrimit të Shqipërisë, e kemi shkruar ne dhe të gjithë shqiptarët që besojnë tek ne. Nëse nuk do dini ta lexoni këtë libër, do të thotë që ju nuk doni të pranoni gjithë arritjet e bëra gjatë këtyre viteve. Kjo shumicë është vetëm e vetëm, aritmetike, dhe jo plebishitare siç rrekeni ta cilësoni atë”, u shpreh dje deputeti i PD-së, Sokol Olldashi.