Deputeti demokrat shprehet se komunikimi mes palëve mund ta zgjidhë situatën


Fatjona Mejdini


Deputeti i Partisë Demokratike, Mark Marku, i konsideron legjitime kërkesat e ish të përndjekurve politikë, të cilët prej një muaji janë në një grevë urie. Por sipas tij, forma e zgjedhur për t’i kërkuar këto të drejta është e gabuar. Në një intervistë për “Shqip”, deputeti demokrat thekson se në një sistem demokratik, presionet që përçojnë grevat nuk janë të pranueshme, nisur dhe nga format e shumta që iu ofrohen palëve për zgjidhjen e çështjeve të tyre. Por gjithsesi, në kushtet aktuale, Marku del në konkluzionin se vetëm komunikimi mes palëve do ta zgjidhte situatën. Për sa u përket përpjekjeve të PD-së për të fituar një mandat të tretë në qershorin e vitit të ardhshëm, Marku thekson se brenda kësaj partie ka mendime të ndryshme në lidhje me formën që duhet të përdoret. Ai shprehet se do të donte që, në lidhje me këto qëndrime të ndryshme, të kishte një debat brenda PD-së. Marku lajmëron se së shpejti do t’i paraqesë Kryeministrit Berisha, njëkohësisht liderit të PD-së, propozimet e tij për një funksionim sa më të mirë të kësaj partie.


Z. Marku, ditët e fundit, opinioni publik po përballet me grevën e një grupi të ish përndjekurve politikë dhe madje dhe veprime ekstreme, siç janë tentativat për t’u vetëflijuar. Si e shikoni këtë grevë, si i gjykoni motivet e saj dhe si e vlerësoni faktin se përfaqësuesit e qeverisë refuzojnë të ulen dhe të negociojnë me grevistët?


Personalisht, jam kundër çdo akti vetëvrasës apo vetëflijues, sado heroikë të duken këto akte për sytë e opinionit publik. Në shkurt të vitit 1991, kam marrë pjesë në grevën e urisë së studentëve, që solli edhe rrëzimin e statujës së Enver Hoxhës nga sheshi “Skënderbej”, si dhe heqjen e emrit të Enver Hoxhës nga Universiteti i Tiranës, ku edhe isha student, dhe mbaj mend se qëllimi ynë nuk ishte të vetëflijoheshim, por t’i bënim presion regjimit të Ramiz Alisë për të bërë disa ndryshime të domosdoshme në favor të demokracisë shqiptare. Kërkesat tona ishin të realizueshme dhe për më tepër, greva e urisë bëhej kundër diktaturës së fundit komuniste të Europës, kundër një lideri dhe një partie që kishin ardhur në pushtet në mënyrë të dhunshme dhe që e kishte mbajtur atë me dhunë deri në momentet kur ne bënim grevën e urisë. Megjithatë, edhe pse grevat e urisë janë përdorur shpesh gjatë këtyre viteve të demokracisë, gjë që i ka banalizuar ato në njëfarë mënyre, mendoj se në një sistem demokratik nuk janë mjeti adekuat i zgjidhjes. Nëse çdo individ apo grup kërkon t’i imponojë kërkesat e veta, duke kërcënuar me humbjen e jetës dhe nëse qeveritë u nënshtrohen këtyre kërcënimeve, atëherë rrezikojmë të rrëshqasim nga pushteti i shumicës që zgjedh në pushtetin e pakicës që kërcënon me vetëflijim. Kjo është arsyeja pse nuk i kam mbështetur veprimet e tyre publikisht, megjithëse i mbështes plotësisht kërkesat e tyre legjitime. Mendoj se, pavarësisht mënyrës se si ata kërkojnë t’i realizojnë këto kërkesa, duhen bërë të gjitha përpjekjet për të gjetur një rrugëdalje nga kjo situatë dhe kjo realizohet nëpërmjet komunikimit, gjë që mendoj se ka munguar nga të dyja anët, si nga ana e grevistëve, ashtu edhe nga ana e qeverisë. Problemi nuk zgjidhet duke i linçuar publikisht organizatorët e grevës, as duke linçuar publikisht kryeministrin apo qeverinë, por duke krijuar një hapësirë të përbashkët komunikimi. Kjo grevë urie e shpreh edhe një herë krizën e komunikimit të sistemit tonë politik, të së tërë shoqërisë shqiptare prej nga buron edhe natyra konfliktuale e saj. Këtë situatë moskomunikimi po kërkojnë ta shfrytëzojnë palët e treta, në këtë rast PS, e cila për arsye elektorale është dukshëm e interesuar për një ekstremizim të situatës.


Ju keni paraqitur në media disa qëndrime në lidhje me nevojën e PD-së për të pasur më shumë debat brenda kësaj force politike dhe po kështu, një vizion më të qartë për avancimin e saj në betejat e ardhshme. Jeni shprehur se atë do ta formalizonit dhe do t’ia paraqisnit Kryeministrit Berisha. E keni bërë këtë dhe cili ka qenë reagimi që keni marrë?


Nuk e kam bërë ende, pasi kam menduar se problemet kryesore të axhendës politike të qeverisë shqiptare dhe mazhorancës gjatë këtij muaji kanë qenë marrja e statusit të vendit kandidat dhe greva e ish të persekutuarve politikë. Në respekt të kësaj axhende e kam shtyrë pak ditë atë që kam paralajmëruar në qershor, edhe pse praktikisht nga mesi i shtatorit e kisha materialin gati për ta paparaqitur në strukturat e PD-së dhe publikisht. Shumë shpejt do ta bëj një gjë të tillë.


Zgjedhjet e ardhshme janë në prag dhe PD do t’i drejtohet elektoratit, me kërkesën për të marrë një mandat të tretë. Mendoni se kjo forcë politike me aleatët aktualë do t’ia dalë dhe cilat mund të jenë pengesat drejt këtij qëllimi?


Mendoj se dy mandatet e qeverisjes së PD-së e kanë krijuar bazën për një fitore të tretë. Por duhet të jemi të ndërgjegjshëm se gjatë këtyre dy mandateve janë krijuar jo pak probleme për të cilat duhet t’u ofrohet një zgjidhje shqiptarëve, dhe ka pasur një konsumim jo të paktë që është i natyrshëm për çdo forcë politike që kërkon një mandat të tretë qeverisës. Mendoj se PD i ka më të mëdha shanset për fitore, nëse mazhoranza e djathtë tregon qartazi aftësinë për të reaguar ndaj problemeve të krijuara dhe nëse njëkohësisht paraqet një ofertë të jashtëzakonshme elektorale të shoqëruar me një ekip politik shpresëdhënës për realizimin e saj. Por ka edhe në filozofi që duket se është mbizotëruese për momentin në PD, sipas së cilës fitorja arrihet me kalkulime dhe përqendrim në resurset ekzistuese. Do të dëshiroja një debat në PD për këto dy filozofi të paraqitjes në zgjedhjet e ardhshme.


A shihni një rrezik në reduktimin e votave pro së djathtës si pasojë e daljes në skenë të dy partive si Fryma e Re Demokratike e Bamir Topit dhe Aleanca Kuqezi e Kreshnik Spahiut?


FRD është një parti e sapokrijuar dhe ende nuk e ka krijuar profilin e saj, kështu që nuk dihet se ku do t’i marrë votat dhe se në cilat shtresa shoqërore do të përqendrohet më shumë. Aleanca Kuqezi nuk ka asgjë të përbashkët me një formacion politik. Kjo parti i ngjan më shumë një grupi tifozësh absurdë që lëvizin me autobusë nga qyteti në qytet dhe ku në vend të ndeshjes së ekipit të tyre shohin dhe duartrokasin kryetarin e tyre Spahiu. Do ishte një dukuri e rrallë politike nëse një endje e tillë absurde do të sillte edhe vota. Megjithatë mendoj se pavarësisht performancës së dy formacioneve të sipërpërmendura, elektorati i PD-së është tashmë i konsoliduar dhe ai mund të largohet prej PD-së vetëm për arsyen që lidhen me PD-në.


Sa besim keni se Shqipëria do të arrijë ta përfitojë statusin e vendit kandidat, në mënyrë përfundimtare në dhjetor të këtij viti dhe çfarë duhet të bëhet që rruga drejt BE-së të mos jetë një vrapim me pengesa, siç po ndodh aktualisht?


Besoj se kjo do të arrihet dhe nuk e kuptoj pse PS-ja nuk i voton pa vonesë projektligjet që kërkojnë tre të katërtat, pasi mendoj se kështu do të fitonte më shumë politikisht. Mosmarrja e statusit do ta ngarkonte PS-në me një përgjegjësi të rëndë historike. Për sa i përket pjesës së fundit të pyetjes që ka të bëjë me atë se çfarë duhet të bëjmë që rruga drejt BE-së të jetë pa pengesa, përgjigjja është e thjeshtë: të bëhemi europianë.


Qëndrimi


“Problemi nuk zgjidhet duke i linçuar publikisht organizatorët e grevës as duke linçuar publikisht kryeministrin apo qeverinë, por duke krijuar një hapësirë të përbashkët komunikimi”


Përfitimet


“Këtë situatë moskomunikimi po kërkojnë ta shfrytëzojnë palët e treta, në këtë rast PS, e cila për arsye elektorale është dukshëm e interesuar për një ekstremizim të situatës”


Mandati i tretë


“Mendoj se PD i ka më të mëdha shanset për fitore nëse mazhoranza e djathtë tregon qartazi aftësinë për të reaguar ndaj problemeve të krijuara dhe nëse njëkohësisht paraqet një ofertë të jashtëzakonshme elektorale të shoqëruar me një ekip politik shpresëdhënës”


Xhepa: Të përndjekurve, pagesa çdo vit


Deputeti demokrat, Selami Xhepa, deklaroi në një intervistë për revistën “Java” se do të ishte e udhës që qeveria të akordonte pagesa çdo vit për të përndjekurit politikë. Ai shpreh mendimin se një pjesë e rëndësishme e të ardhurave që vijnë nga proceset e legalizimeve duhet të shkojnë për kompensimin e kësaj shtrese të shoqërisë shqiptare