57-vjeçari telefonoi policinë për krimin dhe më pas u vetëvra
Policia dyshon se taksisti e kishte planifikuar vrasjen, pasi i ka telefonuar dy viktimat e tij për sqarim
Gëzim Ashimi
Korça është tronditur mbrëmë nga një masakër me tre të vrarë. Ngjarja e rëndë ka ndodhur në fshatin Potgorie të Korçës, ku një taksist dyshohet se ka planifikuar dhe më pas ka vrarë dy klientët e tij, të cilët ishin të dashur dhe më pas ka qëlluar mbi veten. Por, para se të qëllonte veten, ai ka njoftuar policinë për krimin e kryer. Shkak i ngjarjes së rëndë, sipas policisë, është bërë xhelozia e taksistit për femrën, pasi mendohet se kanë pasur lidhje të mëparshme intime.
Ngjarja tronditëse ka ndodhur afër mbrëmjes së të dielës, në rrugën rurale që lidhet me fshatin Potgorie, kur taksisti nga ky fshat, Viktor Rodhani, 57 vjeç, ka vrarë brenda mjetit që drejtonte, dy bashkëfshatarë të tij. Sipas të dhënave të policisë dhe verifikimeve të para të grupit hetimor, viktima të plumbave që ka zbrazur taksisti 57-vjeçar, kanë mbetur dy udhëtarët Ela Çoçka, 40 vjeçe, dhe Floridon Guri, i së njëjtës moshë. Burimet policore nga qyteti juglindor bënë të ditur se pasi ka vrarë dy bashkëfshatarët e tij, që i transportonte me mjetin taksi, me targë KO 314 A, në tronditje e sipër, 57-vjeçari Viktor Rodhani, dyshohet se ka vrarë veten me po të njëjtën armë që kreu krimin e dyfishtë. Policia lokale është njoftuar për krimin e trefishtë rreth orës 19:30 dhe burime të rezervuara të saj thanë se ka qenë pikërisht taksisti, ai që ka bërë të njohur krimin e rëndë të kryer prej tij.
Nga hetimet që policia arriti të kryente në vendngjarje, ndonëse në kushte të errësirës, është konstatuar se vrasja e dy banorëve të fshatit Potgorie, është kryer me armë automatike. Policia sqaroi se në kushtet e errësirës nuk mund të saktësohej se me sa plumba ishin qëlluar viktimat, por do të jetë ekspertiza mjekoligjore, ajo që do të japë konkluzionet. Të tre personat e vrarë janë gjetur nga policia në afërsi të një guroreje, në rrugën lidhëse midis fshatrave Koritë dhe Potgorie. Policia ka ngritur dyshimet e para se kjo vrasje e trefishtë, ka qenë e paramenduar nga taksisti 57-vjeçar, që vrau dy pasagjerët e tij dhe më pas edhe veten.
Këto dyshime janë ngritur për faktin se është mësuar që taksisti u ka telefonuar dy viktimave të tij për t’i marrë në makinë dhe qëllimisht ka zgjedhur një rrugë rurale në drejtim të fshatit Koritë për të kryer vrasjen e tyre, në një vend disi të braktisur. Burime të policisë së Korçës, thanë se taksisti 57-vjeçar, si motiv të krimit të tij ka pasur xhelozinë për 40-vjeçaren Çoçka, të cilës edhe i mori jetën me automatik. Ai ka pasur më parë lidhje intime me të, por kishte mësuar se ajo ishte lidhur me një tjetër bashkëfshatar të tij, pikërisht 40-vjeçarin Floridon Guri. Mendohet se 57-vjeçari Viktor Rodhani, si shkak të ndarjes apo ftohjes së marrëdhënieve të tij me gruan që kishte pasur lidhje intime dhe të lidhjes së saj me një tjetër person nga fshati Potgorie, është hakmarrë në mënyrën më të tmerrshme. Policia tha se e ka të provuar nga hetimet e saj që taksisti u ka telefonuar më parë dy bashkëfshatarëve të tij me pretendimin se donte të sqaronte një problem, dhe pas një udhëtimi të shkurtër, ka ndalur makinën dhe i ka vrarë me armë zjarri duke qëlluar më pas për vdekje edhe veten.