Plot 10 vjet më parë në mesditë, në një zonë tejet të populluar të Durrësi është shënuar krimi më i rëndë në vend, i pas viteve 2000. Katër policë, që kishin shkuar për të realizuar një operacion të një rëndësie të veçantë që kishte të bënte me arrestimin e të shumëkërkuarit Dritan Dajti patën një fund tragjik.
Ajo që tashmë njihet si masakra e Durrësit është një prej atyre ngjarjeve, që nuk të shqitet kollaj nga memoria. Fatos Xhani, Saimir Duçkollari, Altin Dizdari dhe Kastriot Feskaj u vranë në atë aksion, për të cilin pati shumë debat nëse ishte i organizuar apo sipas sipas të gjitha procedurave policore.
Dritan Dajti hetohej për aktivitet kriminal në fushën e trafikimit të narkotikëve. Policia e Shtetit e kishte shpallur person në kërkim dhe pasi ka mundur ta lokalizojë, ka organizuar operacionin për arrestimin e tij.
Pas konstatimit të këtij automjeti, grupi operacional ka vazhduar ndjekjen për mbajtjen në vëzhgim dhe kapjen e këtyre personave. Në këtë moment, policët janë afruar në drejtim të mjetit tip "Touareg" me tri automjetet e tyre. Sapo janë afruar te mjeti "Touareg", punonjësi i Policisë, Fatos Xhani, ka hapur derën e parë të shoferit të mjetit tip "Touareg" dhe me thirrjen "Ndal, Policia!", i është drejtuar personit që ndodhej në sediljen e pasme të mjetit. Menjëherë nga ana e personit që ndodhej brenda mjetit, është hapur zjarr në drejtim të Fatos Xhanit, duke e lënë të vdekur atë.
Po nga brenda makinës, nga i njëjti person është hapur zjarr nga krahu i djathë i makinës, sedilja e pasme nga brenda jashtë, me dy armë zjarri ku për pasojë, ka mbetur i vrarë punonjësi i policisë Sajmir Duçkollari. Sipas Prokurorisë, personi që qëlloi nga brenda "Touareg"-ut dhe vrau dy punonjësit e Policisë, Fatos Xhani dhe Sajmir Duçkollari, doli nga dera e pasme e mjetit, krahu pas shoferit, dhe menjëherë ka hapur zjarr në drejtim të punonjësit të Policisë, Altin Dizdari.
Nga shkëmbimi i zjarrit, pikërisht në mesin e kryqëzimit ku po zhvillohej ngjarja, ka mbetur i vrarë polici Altin Dizdari si dhe shtetasi Ledion Mara, i cili ishte i shoqëruar me Ergest Xhoxhin. Pasi ka kryer këto veprime, personi që doli nga makina vazhdoi rrugën në drejtim të plazhit me një çantë që kishte krahëqafë.
Me pistoletën që mbante në dorë ka qëlluar dy herë në drejtim të Petrit Sulkës, i cili kishte mbetur i rrëzuar në mesin e rrugës për në plazh, në momentin që po përleshej me personin që arriti të largohej. Dritan Dajti është arrestuar disa minuta më vonë i plagosur, ndërsa gjatë procesit ai është shprehur se ka vepruar në kushtet e vetëmbrojtjes.
Drejtësia e vonuar
Por, pas 10 vjetësh, procesi gjyqësor ndaj Dritan Dajtit u mbyll, ndonëse i turpshëm. Gjykata e Apelit për Krime të Rënda pranoi gjykimin e shkurtuar për të, duke e dënuar në total me 25 vite burg. Procesi ndaj Dajtit zgjati rreth 10 vite, ndërsa në Shkallë të Parë u dënua me burgim të përjetshëm në vitin 2014. Kështu, gjykimi i shkurtuar i ka dhënë të drejtën Dajtit të përfitojë nga ulja e dënimit me 1/3-ën.
Çështja është gjykuar nga gjyqtarë, të cilët vinin nga Apelet e Rretheve, ndërsa vendimi u dha pas disa seancash shtyrje për mosformim të trupit gjykues. Për shkak të "konsumimit" të gjyqtarëve të Tiranës, procesi ndaj Dajtit mbeti në dorën e 5 gjyqtarëve të deleguar nga rrethet.
Në trupin gjykues për këtë vendim ishin deleguar për të shqyrtuar çështjen gjyqtarët: Skënder Damini, Fuat Vjerdha, Petrit Aliaj, si dhe Lindita Hoxha dhe Aleks Nikolla të Gjykatës së Apelit të Vlorës. Por, kjo nuk është hera e parë që autori i vrasjes së 4 punonjësve të Policisë, Kastriot Feskajt, Altin Dizdarit, Sajmir Duçkollarit dhe Fatos Xhanit gjykohet në Apel, pasi herën e parë Kolegji Penal, i kryesuar nga gjyqtari Idriz Mulkurti, i dha atij katër vendime me burg përjetë për vrasjen e secilit efektivë policie. Ky vendim u kthye nga Gjykata e Lartë për rigjykim, për shkak të shkeljeve të konstatuara, kryesisht për mungesën e një avokati mbrojtës.
Gjithsesi, ajo që mund të thuhet është se Dritan Dajti do të qëndrojë në qeli vetëm 25 vjet, ndërsa masakra e Durrësit nuk të harrohet kurrë, si një prej ngjarjeve më të rënda që ka ndodhur në Shqipëri, pas rivendosjes së rendit dhe sigurisë së cënuar plotësisht në trazirat e vitit 1997.
©Copyright Gazeta SHQIP