Vendimi


Dënim maksimal për çdo efektiv policie të vrarë. Pafajësi për vrasjen e Ledion Marës 


Sokol Çobo


Dritan DajtiKatër burgime të përjetshme dhe një pafajësi për Dritan Dajtin. Ky është verdikti i Gjykatës së Krimeve të Rënda, e cila ka mbyllur procesin që ka nisur në vitin 2009. I pandehuri u shpall fajtor për vrasjen e katër oficerëve të policisë në muajin gusht të vitin 2009, përkatësisht të Kastriot Feskajt, Altin Dizdarit, Sajmir Duçkollarit dhe Fatos Xhanit. Në seancën e djeshme, Kolegji Penal dha një vendim të ndërmjetëm, duke urdhëruar sjelljen forcërisht në gjykatë të Dajtit, pasi ai refuzonte t’i përgjigjej kërkesës për të qenë i pranishëm në seancë dhe për t’u mbrojtur. Prej disa javësh, pas shpalljes së pretencës së akuzës, i pandehuri refuzonte të ishte i pranishëm në gjykatë, ndërsa dje ai ishte i pranishëm, por gjatë gjithë kohës qeshte dhe bënte ironi me të pranishmit. Kolegji Penal, i kryesuar nga gjyqtari Idriz Mulkurti, lexoi me radhë vendimin, ku i dha katër vendime me burg përjetë për vrasjen e secilit efektiv policie. Dajti u shpall fajtor edhe për armëmbajtje pa leje dhe i pafajshëm për vrasjen e Ledion Marës, në bazë të dëshmive të 22 efektivëve që morën pjesë në aksionin për arrestimin e tij në gusht 2009. Pas leximit të vendimit, Dajti ka ironizuar gjykatën, ndërsa në dalje, ai ngriti dorën përballë kamerave, në shenjë “aprovimi” për vendimin e lexuar nga Mulkurti. Në dalje, disa persona që e kanë mbështetur, deklaruan se Dajtit i është bërë injeksion, pasi refuzonte të ishte i pranishëm në seancë.


 


Masakra e Durrësit


Më datë 7 gusht 2009, rreth orës 13:50, në lagjen nr.13, Plazh, Durrës pranë pistës së vogël “Iliria” janë vrarë me armë zjarri punonjësit e policisë Fatos Xhani, Altin Dizdari, Sajmir Duçkollari, Kastriot Feskaj, shtetasi Ledion Mara, si dhe janë plagosur po me armë zjarri shtetasit Dritan Dajti dhe Fatjon Shamku. Para vrasjes, policia mori informacion mbi lëvizjet dhe vendndodhjen e personit në kërkim për vrasje, shtetasit Dritan Dajti nga Tirana. “Dritan Dajti hetohej dhe për aktivitet kriminal në fushën e trafikimit të narkotikëve. Nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit dhe komandanti i repartit janë ndarë detyrat dhe janë marrë përgjegjësitë për kryerjen e këtij operacioni”, do të deklaronte disa seanca më parë prokuroria, ndërsa saktësonte se Dajti kishte një shtëpi në zonën e plazhit në Durrës. Drejtuesi Arjan Muça, në bashkëpunim me Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit të asaj kohe, Ahmet Premçi, kanë përpiluar planin operacional. Hetimi dhe gjykimi ka provuar se i pandehuri Dritan Dajti, ditën e ngjarjes, më datë 7 gusht 2009, ka qenë në Tiranë. Rreth orës 7:30, ai ka dalë nga shtëpia dhe me autoveturën tip “Volkswagen Tuareg”, që drejtohej nga kunati i tij, Ergest Xhoxhi, ka udhëtuar drejt Durrësit. Rrugës së bashku me ta ka udhëtuar dhe shtetasi Ledion Mara. I pandehuri Dajti ka udhëtuar në sediljen e pasme të autoveturës, e cila duhet theksuar se xhamat e pasmë të saj i ka pasur krejtësisht të errët. Automjeti ka ndaluar në fillim në lagjen nr.13 dhe më pas ka vazhduar rrugën drejt Rrogozhinës, ku shtetasi Ergest Xhoxhi është interesuar për disa vazo lulesh. Më tej, automjeti është kthyer në plazhin e Durrësit. Rreth orës 13:30-13:45, shërbimet e policisë kanë konstatuar automjetin e tipit “Volkswagen Tuareg” ngjyrë e zezë me targa CR535FR, i cili është afruar rrugicës që të dërgon në zonën e Pistës 2 te lagjja nr. 13, e njohur si Blloku Iliria. Brenda në automjet ndodhej Dajti, i cili është identifikuar nga shërbimet si personi “me kapele të kuqe në kokë”. Fatos Xhani ka urdhëruar grupet e forcës së posaçme që tashmë i ishin afruar mjetit që të ndërhynin për neutralizimin e të pandehurit Dajti. Sapo janë afruar te mjeti “Tuareg”, punonjësi i policisë, Fatos Xhani, ka hapur derën e parë të krahut të shoferit të mjetit tip “Tuareg” dhe me thirrjen “Ndal policia!” i është drejtuar personit që ishte në sediljen e pasme të mjetit. Nga ana e personit që ndodhej brenda mjetit është hapur zjarr në drejtim të Fatos Xhanit, duke e lënë të vdekur atë. Dajti ka tentuar të dalë nga dera e pasme e krahut të pasagjerit, por dhe aty ka konstatuar forca policie, më konkretisht Saimir Duçkollari. Dajti nga brenda makinës ka hapur zjarr nga krahu i djathë i makinës, ku për pasojë ka mbetur i vrarë punonjësi i policisë Saimir Duçkollari. I pandehuri ka dalë nga dera e pasme e mjetit dhe menjëherë ka hapur zjarr në drejtim të punonjësit të policisë Altin Dizdari në distancë jo të largët, i cili ka mbetur i vrarë. Dajti ka vazhduar rrugën në drejtim të rrugicës së plazhit me një çantë që kishte krahë qafë, me qëllim që të përzihej me plazhistët. Ndërkohë, një person që ishte me Dajtin është ndjekur me vrap nga efektivi i policisë Kastriot Feskaj dhe në hyrje të rrugicës së dytë, Kastrioti ka arritur ta neutralizojë. Pasi pa këtë skenë, Dajti i është afruar policit Kastriot Feskaj duke e qëlluar këtë të fundit disa herë nga pas. Dajti tentoi të largohet, por ai është rrëzuar në rrugë, pasi ka mbetur i plagosur me një plumb në këmbë dhe një në bark. Pranë personit me pistoletë në dorë, është afruar polici P.S., që ka arritur ta prangosë atë duke i hequr dhe armën që kishte me vete, e cila ishte krejtësisht e zbrazur pa municion në të. Ky ka qenë dhe momenti që personi i sapoprangosur është vetidentifikuar si Dritan Dajti.


 


Vendimi për Dritan Dajtin


1. Burgim të përjetshëm për vrasje në rrethana të tjera cilësuese ndaj punonjësit të policisë Fatos Xhani.


2. Burim të përjetshëm për vrasje në rrethana të tjera cilësuese ndaj punonjësit të policisë Saimir Duçkollari.


3. Burim të përjetshëm për vrasje në rrethana të tjera cilësuese ndaj punonjësit të policisë Kastriot Feskaj.


4. Burgim të përjetshëm për vrasje në rrethana të tjera cilësuese ndaj punonjësit të policisë Altin Dizdari.


5. I pafajshëm për vrasjen e Ledion Marës.