Del raporti i autopsisë që tregon se Edlira Dobrushi qëlloi në çdo trup 30 herë me thikë
Edlira Dobrushi ka qëlluar me thikë nga 30 herë secila tri vajzat e saj, Simona, Keisi dhe Sidni, 14, 10 dhe 3 vjeç. Prokuroria e Leços në Itali ka bërë publike ekspertizën mjekoligjore për tragjedinë e ndodhur në orët e para të datës 9 mars 2014. Rezultatet e autopsisë tregojë se Edlira Dobrushi, gruaja nga Shqipëria, i ka masakruar fëmijët e saj duke i qëlluar 90 herë me thikë. Siç shkruan “Tgcom”, “në një llogaritje makabre, çdo njëra prej vajzave është qëlluar me thikë nga 30 herë, duke u masakruar”. Avokati i Edlira Dobrushit ka treguar për median se kishte mundur të fliste me të për atë që kishte bërë. “I kam shpjeguar atë që kishte bërë dhe atë që po ndodh me çështjen ndaj saj, me qëllim që ajo të jetë e vetëdijshme”, ka thënë ai. “Nuk doja që të jetonin një jetë të dëshpëruar”, ka thënë Edlira Dobrushi për policinë në momentin kur është shoqëruar për në spital pas krimit makabër që ajo kishte bërë. Trupat e pajetë të tri vajzave të mitura, Simona, Keisi dhe Sidni Dobrushi janë sjellë në Shqipëri dhe janë varrosur në fshatin Dobrush të Komunës Malzi të Kukësit. Edlira Dobrushi aktualisht ndodhet në burgun e Leços, pasi doli nga spitali ku ishte e shtruar pas krimit makabër që bëri.
Rrëfimi i vrasjes
Kam qenë unë, isha e dëshpëruar, nuk doja që vajzat e mia të jetonin në mizerje”. Kështu ka deklaruar Edlira Dobrushi. Pas orëve të tëra dëshmi në spital, ku ishte shtruar për shkak të tentativës së vetëvrasjes, 37-vjeçarja shqiptare ka pranuar vrasjen e tri vajzave të saj. Tri vajzat e saj janë vrarë në dhoma të veçanta dhe më pas janë dërguar në dhomën e gjumit, ku karabinierët i kanë gjetur. Për policinë, Edlira Dobrushi ka dëshmuar gjerë e gjatë, teksa ka shpjeguar se: “Duhet ta bëja, pasi ishte gjëja e duhur. Unë i shpëtova fëmijët e mi nga një fat mizor dhe i kam shpëtuar nga personat e këqij, pasi ndryshe do të bëheshin prostituta. Isha vetëm dhe ato nuk mund të jetonin në këtë dëshpërim”. Pas vrasjes, gruaja tentoi të vetëvritej duke prerë venat. Pas disa javësh në spital, ajo ka dalë dhe tashmë ndodhet në burg.
Dinamika e vrasjes
Sipas policisë italiane, gruaja shqiptare u ka marrë jetën tri vajzave të saj me një thikë. Vajza e madhe ka tentuar që të vetëmbrohet dhe t’i shpëtojë të ëmës. Babai i viktimave, Bashkim Dobrushi, prej kohësh nuk jetonte me familjen e tij. Kishte vendosur që të ndahej përfundimisht, pasi në rrëfimet e tij me shokët, gruaja i kishte rënë në depresion. Bashkimi u lajmërua për krimin e tmerrshëm gjatë kohës që ishte në Shqipëri, për vizitë te njerëzit e tij.
“Nuk e fal ish-gruan”
“Ishte një nënë e mirë, por i vrau vajzat e mia. Nuk mund ta fal kurrë.” Këto kanë qenë fjalët e Bashkim Dobrushit, babai i tri vajzave të mitura. Babai i Simonës, Keisit dhe Sidnit, thotë se nuk ka dëshirë as ta kuptojë ish-gruan e tij, Edlira Çopa (Dobrushi), me të cilën ishte ndarë prej disa kohësh, ndërsa pyeste sesi u vranë vajzat e tij dhe nëse ato kanë vuajtur. Ai ka treguar për policinë se përse ishte nisur për në Shqipëri. “Doja t’u shpjegoja familjeve tona se martesa mes nesh kishte marrë fund. Betohem se jo, jo, kurrë nuk e kam imagjinuar, pasi në të kundërt nuk do ta kisha lënë vetëm, nuk do të isha nisur kurrë. Mendoja se shkonte gjithçka mirë, raporti mes nesh ishte i rregullt. Më duhej t’i jepja më shumë se gjysmën e 2 mijë eurove që arrija të fitoja. Vajzat e mia ishin të mrekullueshme dhe ajo ishte një nënë e mirë. Një nënë e mirë sikurse të gjitha nënat e tjera. Edhe pse jemi grindur shpesh, edhe pse nuk shkonim mirë, nuk e kisha imagjinuar kurrë se mund t’u bënte keq vajzave tona. Unë e takoja shpesh, thuajse përditë”, ka rrëfyer Bashkimi në mediat italiane.