Zbulimi: Arjan Alla është arrestuar nga policia, duke u bazuar në dëshminë e shokut të viktimës, i cili e kishte gjetur autorin, duke e therur 86-vjeçarin
I arrestuari: Arjan Alla pranon vrasjen dhe shpjegon se ia kishte hequr viktimës unazën e orën, pasi kishte dëgjuar se një gjë e tillë ishte mirë për të vdekurin
Dyshimet: Nga mënyra se si është kryer vrasja, banorë e besimtarë myslimanë të zonës së Dushkut kanë ngritur dyshimet se ajo ngjante me kryerjen e një kurbani
Arrestohet emigranti i dyshuar: Më bërtiti se hyra në xhami
Edmond Hoxhaj
Një vrasje që tronditi jo vetëm opinionin publik të fshatit të Dushkut të Lushnjës, por edhe më gjerë, lë pas plot mistere për sa i përket mënyrës së ekzekutimit, ndonëse autori i arrestuar nga policia 24 orë pas krimit, ka zbardhur para hetuesve detaje të asaj që ka ndodhur pak para se 86-vjeçari Shemshir Muça të jepte frymën e fundit. Gazeta “Shqip” ka siguruar të dhëna mbi dëshminë e të prangosurit, Arjan Alla, i cili ka deklaruar se fillimisht gjithçka ka nisur pas një debati banal e ka përfunduar në rituale në nder të viktimës. Ashtu si në një film triller, autori ka kryer veprime të ngjashme me rituale me ato të një kurbani, në këtë rast njerëzor.
Dëshmia
Burimet konfidenciale të gazetës kanë bërë me dije, se i prangosuri 38-vjeçar Arjan Alla ka pranuar autorësinë e krimit dhe ka shpjeguar arsyet pse e ka kryer. Sipas Allës, ai kishte qenë emigrant në Greqi gjatë 15 viteve të fundit. Ai ka shtuar se është kthyer një ditë para ngjarjes në shtëpi, pasi kishte qëndruar për tre vite me radhë në shtetin helen. Alla ka treguar se pasditen e së premtes ka shkuar në xhami dhe po qëndronte aty duke u falur. “Isha duke qëndruar e duke rregulluar ndonjë gjë që s’më dukej në vendin e duhur, kur rreth orës 16:00 mbërriti aty 86-vjeçari Shemshir Muça. Ai më pyeti se kush isha dhe çfarë bëja në xhami. Nisi të ngrinte zërin dhe kjo gjë më bezdisi. Ia ktheva dhe unë dhe i thashë se nuk kishte çfarë i duhej me mua. Me siguri nuk më mbante mend se kisha tre vite pa ardhur në Shqipëri. Ai prapë vazhdoi të më bërtiste dhe nuk durova dot më, por e qëllova me grusht. Mesa duket e qëllova fort pasi u rrëzua përtokë. Kur u rrëzua, i doli nga brezi një biçak që e kishte të lidhur me ushkur. Sapo pashë biçakun mendova t’ia merrja dhe e kapa duke e tërhequr. Në momentin që po tërhiqja biçakun, ushkuri që ishte lidhur tek pantallonat bëri që ato të uleshin poshtë deri në fundin e këmbëve. Isha nxehur aq shumë saqë nuk po dija se çfarë bëja. E kapa nga pas, e ngrita dhe e qëllova në fyt me thikë. Kur e kuptova se kishte vdekur, i hoqa orën dhe unazën e ia vendosa në dorë, pasi kam dëgjuar se është mirë t’i çosh të vdekurit sende me vlerë. Pas pak në derë erdhi një person dhe ika me vrap”. Kështu mësohet të ketë deklaruar para hetuesve 38-vjeçari Arjan Alla, i cili ka pranuar autorësinë e krimit.
Në vendin e ngjarjes vërehen qartë gjurmët e këpucëve të vrasësit. Për shkak se besimtarët myslimanë, para se të hyjnë në ambientet e xhamisë i heqin këpucët, në tapetin ngjyrë gri shquhen vetëm gjurmët e këpucëve të vrasësit, i cili ka hyrë aty duke ndjekur të moshuarin që ndodhej i vetëm. Në tapet duken disa gjurmë pluhuri të këpucëve, të cilat ndodhen në anën e majtë të pellgut të gjakut dhe kanë drejtimin për nga lindja. Ndërsa gjurmët e lëna nga këpucët e lyera me gjak, të cilat kanë të njëjtën madhësi e formë me ato me pluhur, drejtohen për nga perëndimi dhe në anën tjetër të pellgut me gjak. Këto gjurmë janë konstatuar.
I arrestuari
Janë dashur vetëm 24 orë që Drejtoria e Policisë së Qarkut Fier të zbardhë e të vërë para përgjegjësisë penale autorin e dyshuar të vrasjes së Shemshir Muçës nga Dushku i Lushnjës. Në njoftimin zyrtar të policisë thuhet se 38-vjeçari Arjan Alla është ndaluar për veprën penale të vrasjes me dashje. Gjithashtu, aty shtohet fakti se vrasja ka ndodhur për motive të dobëta. Nga verifikimet paraprake të policisë ka rezultuar se autori kishte jetuar gjatë 15 viteve të fundit në Greqi dhe se kishte mbërritur në Shqipëri vetëm dy ditë më parë.
Kurbani
Nga mënyra se si është kryer vrasja, banorë e besimtarë myslimanë të zonës kanë ngritur dyshimet se ajo ngjante me kryerjen e një kurbani. Sipas tyre, kurbanit i lidhen këmbët, çka në këtë rast është realizuar prej vrasësit duke i ulur pantallonat viktimës deri në nyje të këmbëve. Gjithashtu, edhe vendosja e trupit me kokën në drejtim të perëndimit, pasi viktima ka ndërruar jetë, ka ngritur dyshimet e banorëve të zonës se është bërë me qëllim të paramenduar të vrasësit. Ndërkohë, vetë i arrestuari, Arjan Alla, ka pranuar se pasi e ka vrarë dhe e ka vendosur në pozicionin që u gjet viktimën, i ka hequr atij orën dhe unazën e ia ka vendosur në dorë, pasi kishte dëgjuar se kjo ishte një gjë e mirë, në nder të të vdekurit. Ndërsa për sa u përket shenjave të gjetura pranë kyçeve të duarve, dyshohet se janë shkaktuar gjatë përleshjes mes autorit dhe viktimës.
Intervista
Policia dyshoi fillimisht për një konflikt të djalit të viktimës pak ditë para vrasjes
Shoqërohet fqinji, nëna: Im bir ishte në arë kur ndodhi vrasja
Menjëherë pas gjetjes së trupit të pajetë të 86-vjeçarit Shemshir Muça në Dushk të Lushnjës, policia shoqëroi rreth 20 persona që dyshohej se kishin dijeni apo lidhje me ngjarjen. Një ndër të dyshuarit kryesorë të hetimit paraprak ishte 42-vjeçari Ismet Shpata, djali i Luftiut e Fatimes, fqinjëve të familjes Muça, i cili qëndroi në qeli prej mbrëmjes së të premtes deri në orët e vona të pasdites së djeshme. Një konflikt mes tij dhe djalit të viktimës i pak kohëve më parë ka çuar në dyshimet e policisë për implikimin e mundshëm të Metit në këtë krim. Kjo, pasi grupi hetimor ka mësuar se ai vuante edhe nga probleme depresive. Banesa e 42-vjeçarit Shpata ndodhet para shtëpisë së Shemshirit. Babai dhe nëna e tij kanë qenë të pranishëm në ceremoninë mortore të të ndjerit, pasi kanë pasur gjithmonë marrëdhënie të mira me njëri-tjetrin. Fatimja qan për situatën e krijuar duke u shprehur se djali i saj nuk mund ta bënte kurrë një gjë të tillë. Ajo thekson se djali i saj ka qenë duke punuar në arë me dy persona të tjerë në momentin e ngjarjes.
Zonja Fatime, djalin tuaj e kanë shoqëruar në polici që prej mbrëmjes së të premtes dhe ende nuk e kanë liruar. Policia dyshon se ai mund të jetë i implikuar në vrasjen e Shemshir Muçës. Çfarë mund të thoni për këto dyshime të policisë?
Disa punonjës të policisë erdhën rreth orës 21:00 të së premtes dhe e morën djalin. Unë në atë kohë kam qenë tek shtëpia e Shemshirit, pasi mësuam se e kishin vrarë dhe shkuam për të ngushëlluar familjarët, pasi kemi pasur gjithmonë marrëdhënie të mira me ta. Mësova se e kishin shoqëruar ashtu si shoqëruan edhe të tjerë. Por deri tani nuk e kanë liruar, nuk e di pse, edhe pse jam e sigurt që ai nuk ka gisht në këtë vrasje.
Nga e mësuat ju se djalin ua kishin shoqëruar në polici?
Na treguan dy punonjës policie se e kishin marrë djalin për të kryer disa verifikime. Por më pas gjithë banorët e fshatit nisën të thoshin me njëri-tjetrin se djali ynë ishte shoqëruar pasi dyshohej si autor i vrasjes. Unë nuk e besoj kurrë që ai ta ketë bërë një gjë të tillë, por nëse do të kishte ndodhur, do ta vrisja me duart e mia djalin. Ne kemi pasur gjithmonë marrëdhënie të mira me familjen e Shemshirit, kemi hyrje-dalje familjare.
Banorët e zonës pohojnë se djali juaj dhe një prej djemve të Shemshirit kanë pasur një konflikt pak kohë më parë. Ju keni qenë në dijeni të këtij konflikti?
Po është e vërtetë, rreth tre muaj më parë ai ka pasur një debat me një prej djemve të Shemshirit. Djalin nuk e kam aq në rregull, ka disa probleme të tijat. Ndonjëherë flet fjalë të pista. Për këtë arsye, djali i Shemshirit i ka tërhequr vëmendjen, sepse i thoshte se ka vajza të reja nëpër shtëpi. Dhe kjo ka qenë arsyeja që kanë debatuar. Por jo të arrinte në të tilla veprime. Djali im nuk do ta bënte kurrë një gjë të tillë. Në fakt, të premten, gjatë orës kur thuhet se ka ndodhur ngjarja, ai ka qenë në arë. Ka njerëz që e kanë parë duke punuar në arë dhe e kanë thënë publikisht këtë gjë. Ai shkoi dje në arë rreth orës 14:00. Ka rreth një muaj që shkon të punojë tokën. Kur iku, mori në sup një thes me patate se do mbillnim arën. Rrugën e ka bërë me dy vëllezërit Fusha, banorë të fshatit, të cilët janë dëshmitarë për këtë fakt. Nuk di çfarë të them tjetër. Unë besoj në pafajësinë e djalit tim. Edmond Hoxhaj
Dëshmia
Fatime Shpata, nëna e të shoqëruarit 42-vjeçar ka treguar se djali i saj është mbajtur në qeli që të premten pasdite
Misteri
Xhelo Zeqiri rrëfen sesi e gjeti mikun e tij të masakruar, ndërkohë që e kishin zhveshur nga mesi e poshtë dhe e kishin kthyer me kokë nga Perëndimi
Dëshmia
“Ky mbaroi, më tha vrasësi dhe iku me vrap nëpër fshat. Ishte një person trupmadh 35-40 vjeç, me flokë të verdhë, kuqalash në fytyrë e pa mjekër”
Kryemyftiu
Besimtari Shemshir Muça u gjet i therur për vdekje në xhaminë e Dushkut, që administrohet nga dhëndri i tij, kryemyftiu i Lushnjës, Tomor Boriçi
Intervista
Dëshmitari në xhami: E pashë vrasësin me duart e përgjakura në fytin e Shemshir Muçës
“Vrasësi ishte biond, kuqalash, me flokë të shkurtra, rreth 40 vjeç”
“Vrasësi e kishte zhveshur nga mesi e poshtë besimtarin dhe e kishte kthyer me kokë nga perëndimi”
Nga i dërguari në Lushnjë
Edmond Hoxhaj
I tronditur, me duart dhe buzën që i dridhet, i moshuari Xhelo Zeqiri nga fshati Dushk-Sektor i rrethit të Lushnjës, ka rrëfyer dje për gazetën “Shqip” çastet kur e gjeti bashkëfshatarin e tij Shemshir Muça në duart e vrasësit. Ndonëse tregon se është ndodhur përballë një tmerri të vërtetë, Xheloja ka arritur të fiksojë karakteristikat fizike të autorit. Gjithashtu, dëshmitari i vetëm që ka parë në sy vrasësin ka treguar me lot në sy sesi ishte katandisur miku i tij, Shemshir Muça, i cili u gjet i therur në Xhaminë e Dushkut, që administrohet nga dhëndri i tij, kryemyftiu i Lushnjës.
Zoti Xhelo, ju keni qenë i pari që keni mbërritur në xhami pasditen e të premtes dhe keni gjetur aty të vrarë 86-vjeçarin Shemshir Muça. Mund të na tregoni diçka nga ajo që ju keni parë?
Ishte ora 16:15 kur unë shkova në xhami. Ne jemi disa të moshuar të fshatit që shkojmë tre herë në ditë në xhami, ku falemi. Së bashku me ne vinte edhe Shemshiri. Ai shkonte gjithmonë më shpejt se ne në xhami, pasi vuante nga prostata dhe për këtë arsye i kryente ritet më parë. Ne të tjerët, pasditeve shkonim rreth orës 16:25. Dje (të premten) unë shkova pak më herët dhe sapo hyra brenda në xhami pashë llahtar me sy. U trondita dhe nuk besoja dot atë që po shikoja. Pashë mikun tim, Shemshir Muça, i cili qëndronte në gjunjë i përgjakur në fyt e kraharor. Ndërsa një person i kishte vendosur duart në fyt, mes gjakut. Bërtita me të madhe: “Çfarë është ky llahtar”, i thashë personit që shtrëngonte me duar në fytin e gjakosur Shemshirin. Ai m’u kthye e më tha: “Ky mbaroi” dhe iku me vrap. Isha i shokuar e nuk dija ç’të bëja. Pasi iu afrova Shemshirit dhe pashë se ishte masakruar me thikë në fyt, i tronditur dola jashtë dhe kërkova ndihmë.
Kë lajmëruat për atë që kishte ndodhur?
Mora biçikletën dhe shkova lajmërova familjarët e Shemshirit dhe myftiun, Tomor Boriçin, që është dhëndër i Shemshirit, pasi është martuar me vajzën e tij. Erdhën edhe familjarë të tjerë të të ndjerit dhe u lajmërua policia.
E mbani mend se ku ishte qëlluar i ndjeri?
Ai personi që iku me vrap e kishte qëlluar me thikë në fyt disa herë. Mbaj mend që Shemshiri ishte mbytur në gjak. Kishte dëmtime edhe te duart. Ndërsa kokën ia kishin kthyer nga perëndimi. Ne kur falemi kthehemi me kokën në drejtim nga lindja. Nuk e di pse ndodhej në atë pozicion. Më erdhi keq dhe u trondita thellë, sepse vrasësi nuk kishte pasur mëshirë. Madje nuk di pse, por të ndjerin, mikun tim, e gjeta të zhveshur nga mesi e poshtë. Nuk e kuptoj pse vrasësi e ka zhveshur krejt nga mezi e poshtë, duke e lënë pa asnjë rrobë. Edhe ora e unaza i ishin hequr nga duart.
Po vrasësin arrini ta përshkruani dot?
Mbaj mend që ishte një burrë i bëshëm. Mund të ishte nga 35 deri në 40 vjeç. Kishte flokë biondë, të qethur shkurt anash dhe me balluke para. Në fytyrë ishte i kuq dhe i rruar mirë. Mbaj mend që kishte veshur xhinse, një bluzë ngjyrë vishnje dhe një xhuboks sipër. Mbaj mend që sapo më tha; “ky mbaroi”, iku me vrap përmes fshatit me duart e lara në gjak. Edhe kur ecte la disa gjurmë gjaku.
E njihni atë person?
Jo, nuk e kisha parë ndonjëherë më parë. Nuk m’u duk të ishte banor i zonës. Por po ta shikoj prapë, ia mbaj mend tiparet ishte biond kuqalash dhe pa mjekër, ishte i pastruar nga mjekra.
Cila mendoni se ka qenë arsyeja që mund të ketë çuar në këtë krim autorin? Keni dijeni për ndonjë konflikt të mundshëm të Shemshirit?
Shemshiri ka qenë një njeri i rregullt dhe respektohej nga të gjithë. Nuk di të ketë pasur ndonjë konflikt. Ne kemi qenë disa të moshuar që rrinim bashkë e mblidheshim te xhamia, ku edhe faleshim. Kjo që ka ndodhur nuk ka arsye. Është e llahtarshme dhe nuk di të ketë ndonjë shkak. Edhe familjarët e Shemshirit janë të gjithë të rregullt e nuk di të kenë pasur konflikte.
Autori
Sipas dëshmitarit, vrasësi iku me vrap përmes fshatit, me duart e lara në gjak
Dëshmia
Resmi Muça rrëfen dyshimet e tij, duke u shprehur se nuk mund të vetëvritesh me katër thika në fyt
Djali i viktimës, polic: Dyshoj
se u tentua të manipulohej vrasja
Somario
Shemshir Muça, i ardhur nga Librazhdi, ka jetuar gjatë këtyre dy dekadave në Dushk dhe ka 9 fëmijë
Familjarët e Shemshirit janë të tronditur me atë çfarë i ka ndodhur të dashurit të tyre. Katër djemtë dhe katër vajzat e tij i dhanë lamtumirën e fundit babait të tyre pasditen e djeshme rreth orës 15:30 në Konjat të Lushnjës. Rreth orës 16:30, pas shtrimit të bukës për të pranishmit, ashtu siç e do zakoni, ata nisën të përcillnin të afërmit, miqtë e bashkëfshatarët që kishin ardhur për t’i ngushëlluar. Është e vështirë të arrihet një komunikim me familjarët e Shemshirit për shkak të dhimbjes që i ka kapluar. Por njëri prej djemve, Resmi Muça, i cili tregon se punon si punonjës policie në Lezhë, shpreh indinjatën e tij lidhur me klasifikimin paraprak të ngjarjes si vetëvrasje. “Kjo që ka ndodhur nuk mund të shpjegohet me fjalë. Ne jemi të tronditur dhe na ka kapluar dhimbja. Erdha me nxitim të madh, sepse askush nuk e priste atë që ndodhi. Nuk mund të ishte e vërtetë që babi im të vetëvritej dhe kërkova që të bllokohej vendi i ngjarjes. E kërkova këtë gjë se dyshova se po manipulohej vendi i ngjarjes kur dëgjova se flitej për një vetëvrasje të mundshme. Nuk e di pse u bë një gjë e tillë, por ishte mjaft e dukshme se babai im ishte vrarë. Atë e kishin qëlluar katër herë me thikë në fyt. Nuk ka mundësi që një person të qëllohet vetë katër herë me thikë në fyt, e aq më tepër babai im në një moshë të thyer”, është shprehur Resmiu. Ndërsa mes lotësh, ai kërkon të shprehë indinjatën e tij, familjarët e tërheqin duke e penguar të flasë. Ata i kërkojnë me ngulm të largohet, duke bërë të pamundur komunikimin e mëtejshëm me Resmiun, një prej katër djemve të të ndjerit. Në ceremoninë mortore të 86-vjeçarit kanë marrë pjesë edhe familjarët e një prej të shoqëruarve mbrëmjen e të premtes, Ismet Shpatës, që fillimisht u etiketua si i dyshuari kryesor i ngjarjes. Nga të pranishmit mësohet se ata janë fqinj me familjen e viktimës dhe se kanë pasur gjithmonë marrëdhënie të mira familjare. Por, një konflikt i pak ditëve më parë mes Ismetit dhe një prej djemve të Shemshirit, ka ngritur dyshimet se djali i Lutfi Shpatës, mund të ishte i implikuar në ngjarje. Ndërkaq, familjarët e Ismetit, gjatë një interviste për gazetën “Shqip” e kanë hedhur poshtë një fakt të tillë, duke pohuar se djali i tyre ishte duke punuar në kohën kur ka ndodhur vrasja e Shemshirit. Ky i fundit mësohet të ketë ardhur së bashku me familjen e tij për të jetuar në fshatin Dushk-Sektor të Lushnjës prej Librazhdit në vitin 1994. Aty i ndjeri ka jetuar gjatë këtyre dy dekadave ku ka parë t’i martohen nëntë fëmijë e t’i lindin e rriten nipërit e mbesat. E. Hoxhaj
Në fshat
Banorët e Dushkut, të
tronditur nga ngjarja
Banorët e Dushkut ndihen të shokuar nga ajo ç’ka ndodhur pasditen e të premtes në xhaminë e fshatit të tyre. Ata tregojnë se nuk mbajnë mend të ketë ndodhur kurrë një gjë e tillë në zonën e tyre. “Nuk dimë çfarë të mendojmë. Jemi të shokuar nga kjo vrasje makabër. Askush nuk mund të parashikonte se mund të ndodhte një gjë e tillë në fshatin tonë, e aq më tepër brenda në xhami e kundrejt një të moshuari. Ne kemi pasur gjithmonë respekt për Shemshirin, pasi ai ka qenë njeri i rregullt. Po ashtu edhe familja e tij. Kanë qenë njerëz të rregullt e në hall të tyre. Nuk e dimë pse mund të ketë ndodhur. Ndoshta ndonjë hajdut që ka dashur të shkojë të marrë paratë që hidhen në xhami? Nuk dimë ç’të mendojmë”, shprehet për gazetën një i moshuar, banor i fshatit. Ai shton se ka dëgjuar se mund të kenë qenë tre persona që kanë bashkëpunuar për të vrarë 86-vjeçarin. “Kemi dëgjuar se njëri ka qenë brenda në xhami dhe e ka qëlluar, ndërsa të tjerët kanë ruajtur jashtë dhe janë larguar më pas”, pohon personi në fjalë. Ndërsa lidhur me konfliktin mes djalit të Shemshirit dhe Lutfi Shpatës, ai pohon se e ka dëgjuar këtë fakt, por nuk beson që të ketë qenë Ismeti ai që e ka kryer vrasjen. “Ismeti ka qenë jashtë shtetit, në Angli. Ka dy vjet që është kthyer dhe ka pasur edhe probleme mendore. Edhe pse mund të jenë grindur me njëri-tjetrin dy të rinjtë, me aq sa e njohim Meti nuk mund ta ketë bërë këtë krim. Nëse do kishte qenë Meti do e kishte njohur Xheloja. Ai ka thënë se autori nuk ishte banor i fshatit”, ka përfunduar bashkëfshatari i të ndjerit. E. H.
