Në census rezultoi me 85 mijë banorë, Ministria thotë se ka 108 mijë banorë


Lëvizja-Prej 10 vitesh qarqet e Veriut, në rënie. PS, Çuçi: Mospublikimi i të dhënave, veprim antiligjor i Nokës


Studimi demografik i popullsisë rrëzon pretendimin e ministrisë për Kukësin


BLEDAR HOTI


Në Shqipëri, numri i popullsisë ka pësuar rënie, si pasojë e lëvizjeve demografike, ku uljet më të mëdha janë në qarqet e Veriut. Ky është studimi i kryer nga Shoqata e Demografëve, i botuar në një revistë të posaçme për vitin 2012. Studimi përfshin një dhjetëvjeçar mbi lëvizjet e qarqeve. Në studimin e kryer nga profesor Ilia Telo theksohet se “kohët e fundit ka një zvogëlim të popullsisë. Në bazë të të dhënave parake të regjistrimit të popullsisë në vitin 2011, krahasuar me regjistrimin që është bërë 10 vite më parë, në shkallë vendi popullsia është zvogëluar 237534 veta ose afro 8%. Mirëpo kjo nuk ka ndodhur në të gjitha prefekturat”. Jepen katër qarqet Shkodër, Dibër, Kukës dhe Lezhë. Ndërsa në dy qarqet e tjera, si në Tiranë dhe Durrës ka pasur rritje të popullsisë. Nga 2001-2011, në Qarkun e Kukësit ka 77% rënie të numrit të popullsisë. Sipas studimit rezulton se në vitin 2001 popullsia e prefekturës së Kukësit (rrethet Kukës, Tropojë dhe Has) ishte 111.393 banorë, ndërsa në vitin 2011 numri popullsisë rezultonte me 85.238 veta. Pra me një diferencë që shkon në 26.154 banorë. Shifra të tilla të botuar në studimet demografike zhvlerësojnë pretendimet e Ministrisë së Brendshme se ka pasur rritje të numrit të popullsisë në Qarkun e Kukësit. Ministria e Brendshme për vitin 2012 ka depozituar një shifër popullsie për Qarkun e Kukësit, e cila është e përafërt me atë të 10 viteve më parë, në një kohë që lëvizjet demografike flasin për një ulje të ndjeshme në drejtim të zonave të Ultësirës Perëndimore të Shqipërisë, si në Tiranë dhe në Durrës. Në materialin e depozituar pranë KQZ-së, sipas shifrave zyrtare, rezulton se numri i popullsisë në këtë qark është 108.750 banorë, pra 23.511 banorë më shumë se shifra e paraqitur në studimin demografik që përmban numrin e popullsisë së vitit 2011. Në një kohë që diferenca e lëvizjes në këtë dhjetëvjeçar në këtë qark është 26.154 banorë. Qarku i Kukësit është beteja më e re mes mazhorancës dhe opozitës në prag të ndarjes së 140 mandateve të deputetëve. Socialistët kanë pretenduar se Ministria e Brendshme ka rritur ndjeshëm numrin e popullsisë në katër komunat Topojan, Tropojë, Fierzë dhe Shishtavec, me qëllim heqjen e mandatit të tetë në Qarkun e Beratit dhe mbajtjen e katër mandateve në Qarkun e Kukësit. Në një kohë që sipas të dhënave që PS-ja disponon, të ofruara zyrtarisht nga MB-ja në maj të këtij viti, në bazë të numrit të popullsisë, Qarku i Kukësit përfitonte tre deputetë.




PS kundër Nokës për të dhënat


Partia Socialiste e konsideron si antiligjore, refuzimin që Ministria e Brendshme i ka bërë kërkesës së tre anëtarëve të KQZ-së, për të dhënë informacione, në lidhje me shtimin e popullsisë në katër komuna në Qarkun e Kukësit. Në një intervistë për “News 24”, Bledar Çuçi, nënsekretari i socialistëve për çështjet zgjedhore, argumenton se ligji për të dhënat personale parashikon që nuk mund të publikohen të dhëna, si feja, gjendja ekonomike e sociale, të dhëna që Partia Socialiste nuk i kërkon. Për Çuçin kërkesa e opozitës është e qartë dhe ligjore, të jepen emrat e personave që kanë shkuar të banojnë në katër komunat e Kukësit.


“Ministria e Brendshme, në fakt, është në një pozitë joligjore. Ligji për Gjendjen Civile e shpreh qartë detyrimin që ka Ministria e Brendshme për t’u dhënë informacion institucioneve të cilat kërkojnë këto të dhëna. Nuk është aspak e vërtetë që të dhënat që kanë kërkuar anëtarët e KQZ-së, por dhe përfaqësuesi ynë në KQZ, nuk përbëjnë të dhëna personale. Ato janë të dhëna të përgjithshme që kanë të bëjnë me emër, mbiemër dhe me të dhënat se nga kanë lëvizur këta shtetas dhe si kanë shkuar”, deklaroi Çuçi. Sipas tij, janë rreth 400-500 persona që kanë shkuar në zona të thella malore në Kukës, për të banuar këto tre muaj. “Nuk janë lëvizje normale demografike të popullsisë. Drejtimi i lëvizjes demografike është nga zonat malore drejt Ultësirës Perëndimore në Shqipëri”, përfundon Çuçi.


Lëvizja


Revista: Revista demografike jep të dhënat e numrit të popullsisë në dhjetë vitet e fundit, nga 2001-2011, bazuar te regjistrimet zyrtare


2001: Sipas studimit, rezulton se popullsia në Qarkun e Kukësit në vitin 2001 ka qenë 111.393 banorë, shifër nga regjistrimi zyrtar


2011: Po nga të dhënat zyrtare të nxjerra nga regjistrimi i popullsisë rezulton se Qarku i Kukësit ka 85.239 banorë, 26.154 veta më pak se në vitin 2001


2012: Ministria e Brendshme ka depozituar të dhënat zyrtare të popullsisë në KQZ, ku figuron se popullsia e Qarkut të Kukësit është 108.750 banorë


862 banorë: PS ka konstatuar rritje në letër të popullsisë në Qarkun e Kukësit me 862 banorë


4 mandate: PD-ja dhe qeveria synojnë t’i japin katër mandate Qarkut të Kukësit, pasi shihet si bastioni i tyre


7 mandate: Qarkut të Beratit i hiqet një mandat, duke ia dhënë Kukësit. Kjo lëvizje e lë me shtatë mandate