provimet maturaPublikohet udhëzimi i MAS. Detaje mbi afatet, nivelin e gjuhës dhe procedurat e zhvillimit të testimeve


Shpresa Mezini


Provimet e Maturës Shtetërore për këtë vit shkollor do të zhvillohen në datat 4-24 qershor. Në mbështetje të ligjit “Për


sistemin arsimor parauniversitar në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar, udhëzoj: Lëndët dhe datat e provimeve kombëtare të Maturës Shtetërore janë: Gjuhë e huaj më datë 4 qershor, Gjuhë shqipe dhe letërsi më 11 qershor, Matematikë më 17 qershor dhe provimet me zgjedhje më datë 24 qershor”, thuhet në udhëzimin e Ministrisë së Arsimit, për Maturën Shtetërore 2015-2016. Sipas tij, administrimi i provimeve kombëtare të Maturës Shtetërore 2016 bazohet në Rregulloren e Maturës Shtetërore 2016 në Republikën e Shqipërisë, ndërsa Drejtoria e Arsimit Parauniversitar dhe Agjencia Kombëtarë e Provimeve, brenda muajit mars 2016, përcaktojnë llojin e testeve për secilin provim kombëtar të Maturës Shtetërore (të detyruar dhe me zgjedhje).


Masat


“DAR/ZA-të të marrin nga shkollat listat e maturantëve mbetës të vitit mësimor 2015-2016 brenda datës 3 qershor 2016 dhe t’i pasqyrojnë ato në sistemin elektronik ‘Matura online’, sipas udhëzimit përkatës. DAR/ZA-të dërgojnë në AKP, të printuar dhe në kopje elektronike, listat e maturantëve mbetës të vitit për çdo shkollë; Drejtoritë e shkollave njoftojnë maturantët mbetës, që të mos paraqiten në provimet kombëtare të Maturës Shtetërore 2016, pa likuiduar më parë provimet e klasës. Organizimi i konsultimeve për maturantët kryhet sipas procedurave të përcaktuara në Urdhrin e ministrit të Arsimit dhe Shkencës Nr. 121, datë 25.02.2011, ‘Për organizimin e konsultimeve në ndihmë të nxënësve maturantë’”, thuhet në udhëzimin për zhvillimin e provimeve kombëtare të maturës shtetërore 2016. Në të theksohet se provimet kombëtare të Maturës Shtetërore 2016 zhvillohen në mjediset e institucioneve arsimore, në përputhje me rregulloren e Maturës Shtetërore 2016. “Teza e provimit ‘Gjuhë dhe letërsi greke’ për shkollën e mesme pedagogjike të pakicës kombëtare greke përgatitet nga DAR-ja Gjirokastër. Teza e provimit ‘Gjuhë dhe letërsi italiane’ (Lingua e literatura italiana) për seksionet dygjuhëshe shqiptaro-italiane përgatiten nga Ministria e Arsimit e Republikës së Italisë dhe provimi zhvillohet në datën 23 maj 2016 në shkollat përkatëse. Teza e provimit ‘Gjuhë frënge’ (DELF B2 scolaire) për seksionet dygjuhëshe shqiptaro-franceze përgatitet nga Ambasada Franceze dhe provimi zhvillohet në datën 23 maj 2016 në shkollat përkatëse. Tërheqja e testeve të provimeve kombëtare të Maturës Shtetërore 2016 bëhet sipas grafikut të hartuar nga AKP-ja dhe të miratuar nga MAS-i”, sqarohet në udhëzim. Zyrtarisht sqarohet se përfaqësuesit e Postës Shqiptare, njësoj si vitet e mëparshme tërheqin në AKP materialet e provimit, një ditë para zhvillimit të provimit përkatës, ndërsa materialet e provimit janë të paketuara për çdo mjedis më vete. Sa i takon shpërndarjes dhe grumbullimit të materialeve, thuhet se do të bëhet bazuar në rregulloren e këtij procesi për këtë vit shkollor.


Provimet


“Provimet e detyruara dhe me zgjedhje fillojnë në orën 10:00. Hartimi i testeve të provimeve të detyruara dhe atyre me zgjedhje bëhet sipas procedurave të përcaktuara në Rregulloren e Maturës Shtetërore 2016 në Republikën e Shqipërisë. Testi për secilin nga provimet e detyruara përmban 25 pyetje, nga të cilat 13 kërkesa janë me përgjigje alternative, që vlerësohen me një pikë secila (13 pikë gjithsej) dhe 12 pyetje me zhvillim, të cilat vlerësohen me 37 pikë. Testi vlerësohet maksimalisht me 50 pikë. Testi për secilin nga provimet me zgjedhje përmban 20 pyetje, nga të cilat 10 pyetje janë me përgjigje alternative, që vlerësohen me një pikë secila (10 pikë gjithsej) dhe 10 pyetje me zhvillim, të cilat vlerësohen me 30 pikë. Testi vlerësohet maksimalisht me 40 pikë. Provimet e detyruara zgjasin 2 orë e 30 minuta”, thuhet në udhëzimin e MAS për maturën e këtij viti. Mësohet se testi i provimit të detyruar të gjuhës së huaj hartohet, administrohet dhe vlerësohet nga AKP-ja, ndërsa testi i provimit me zgjedhje të gjuhës së huaj Anglisht “TOEFL Junior Standard Test” hartohet dhe vlerësohet nga ETS Global, në bazë të marrëveshjes ndërmjet Education Testing Service Global BV dhe Ministrisë së Arsimit dhe Sportit. Provimet me zgjedhje zgjasin 3 orë. Provimi i gjuhës së huaj Anglisht “TOEFL Junior Standard Test” zgjat 1 orë e 55 minuta. “Maturantët/kandidatët që japin provim vetëm njërën nga lëndët me zgjedhje e fillojnë provimin në orën 11:30 dhe e përfundojnë atë në orën 13:00. Maturantët/kandidatët që japin dy provime me zgjedhje, ku njëra prej tyre është gjuhë e huaj Anglisht ‘TOEFL Junior Standard Test’, hyjnë në provimin tjetër me zgjedhje në orën 11:30. Provimin e gjuhës së huaj Anglisht ‘TOEFL Junior Standard Test’ e japin në orën 13:30. Kandidatët që japin provim me zgjedhje vetëm gjuhën e huaj Anglisht ‘TOEFL Junior Standard Test’, hyjnë në provim në orën13:30.


Maturantët/kandidatët mbetës në provimet kombëtare të Maturës Shtetërore 2016 i rihapin këto provime në sesionin e dytë”, saktësohet në udhëzim.