Zëvendësministrja, Malaj: Edhe këtë vit, aplikimi do të bëhet online. Procedurat nisin pas datës 20 korrik
Njësoj si në përvojat e kaluara, edhe këtë vit, ata që rezultojnë mbetës në një apo më shumë provime të Maturës Shtetërore, do të kenë mundësi të ritestohen në një sezon të dytë. Bëhet fjalë për testimet e vjeshtës, mundësia e fundit e artë, për të gjithë kandidatët e interesuar për të ndjekur studimet e larta në një prej fakulteteve publike në vend. Në përputhje me rregulloren e provimeve të Maturës Shtetërore, ajo që dihet zyrtarisht është se do të ketë një tjetër mundësi riprovimi, ndërsa datat për zhvillimin e secilit testim pritet të bëhen publike së shpejti përmes një udhëzimi nga Ministria e Arsimit dhe Sportit.
“Për të gjithë ata maturantë që nuk kanë marrë provimet e detyruara apo me zgjedhje, provimi i radhës do të jetë në vjeshtë që do jetë në fund diku nga fundi i muajit gusht”, u shpreh zëvendësministrja e Arsimit, Nora Malaj. Sipas saj, deri në datën 7 korrik, Agjencia Kombëtare e Provimeve (AKP) duhet të ketë përfunduar korrigjimet e testeve. “Maturantët do të kenë mundësi për të bërë llogaritjet e tyre, se cilat janë rezultatet që kanë marrë në të tre provimet e detyruara dhe në dy të tjerat me zgjedhje. Pasi të marrin shumatoren e lëndëve sipas formulës që kemi thënë, pra shumatorja e tre viteve plus shumatorja e lëndëve që janë me zgjedhje dhe detyruese, pjesëtohet me 2 dhe del nota mesatare”, sqaron Malaj, në lidhje me formulën e përllogaritjes së pikëve. Kjo, për kandidatët e interesuar për të vijuar rrugëtimin e dijes në auditorët e universitetit, të cilët duke filluar nga ky vit i ri akademik, do të shpallen fitues vetëm nëse përmbushin kriterin e mesatares dhe të tjera të përcaktuara nga vetë fakultetet, sipas specifikës së secilit prej tyre. Lidhur me aplikimet në universitete, zëvendësministrja e Arsimit deklaron se procedurat do të nisin pas datës 20 korrik. “Edhe këtë vit, aplikimi do të bëhet online, do të bëhet njësoj siç është bërë në të gjitha vitet e mëparshme të Maturës Shtetërore. Do të jepet pranë drejtorive rajonale dhe zonale dhe pranë drejtorive të shkollave, sipas Komitetit të Maturës Shtetërore dhe do përcaktohet një individ në rolin e administratorit, që do të merret veçanërisht me menaxhimin e procesit. Kandidatët do të duhet të zgjedhin 10 degë, sipas parimit ofertë-kërkesë, që paraqesin vetë universitetet”, theksoi Malaj. Nga informacionet e deritanishme mësohet se maturantët janë njohur vetëm me rezultatet e provimeve të lëndëve me detyrim, Anglishtes, Gjuhës Shqipe dhe Letërsisë dhe Matematikës, ndërsa pritet publikimi i rezultateve të dy provimeve me zgjedhje, që janë ende në proces korrigjimi nga specialistët e Agjencisë Kombëtare të Provimeve.
“Matura Shtetërore 2016 është një maturë dalëse, e cila përmbyll ciklin e plotë të studimeve parauniversitare duke vendosur një standard të ri. Gjithsej do të jenë pesë provime dalëse, ku tre provime janë të detyrueshme dhe dy provime janë me zgjedhje. Këtë vit, në udhëzimin e ri, nuk do të ketë atë që është quajtur ‘formula’ e maturës shtetërore, për arsye se pranimet në universitete do të bëhen nga vetë universitetet, në mbështetje të Ligjit të ri për Arsimin e Lartë, pjesë e universiteteve”, u shpreh zëvendësministrja e Arsimit, në shkurt të këtij viti. Ajo shtoi se këtë vit, Matura Shtetërore ka një peshë specifike, pasi niveli i notës mesatare dhe niveli i provimeve me zgjedhje, do të reflektohet në aplikimin e maturantëve për të hyrë në universitet. Gjithashtu, sipas saj, shumë i rëndësishëm është edhe formimi i grupimit të lëndëve, që universitetet do përcaktojnë për peshën specifike që ato do të kenë për maturantët.