Janë mbi 55 mijë aplikantë që pritet të konkurrojnë, nga të cilët 14 mijë nga vitet e mëparshme
Formulari – Një vit më parë, numri i maturantëve që plotësuan formularin A1 ishte 7 mijë, mirëpo këtë vit për shkak të numrit të madh të maturantëve që ngelën në lëndën e matematikës, ky numër u dyfishua
Kuotat – Në një kohë kur edhe kuotat e pranimit në institucionet e larta publike janë ulur, ka bërë që mundësia që këta të fundit të fitojnë një shkollë të lartë të jetë më e vogël
Manuali – “Duhet të theksojmë se llogaritja e pikëve për secilin maturant bëhet sipas profilit të shkollës së mesme që ka ndjekur, sipas lëndëve me zgjedhje që ka dhënë provim dhe preferencave të tij për programe të ndryshme studimi”
Ndërkohë, maturantët që kanë plotësuar formularin A1 dhe A1Z, duhet të paraqiten pranë shkollave përkatëse brenda datave 16-22 prill
Ilda Hoxha
Më pak shanse për maturantët për të fituar një vend në universitetet publike. Sipas të dhënave të Agjencisë Kombëtare të Provimeve, janë 55 mijë e 385 maturantë, të cilët kanë plotësuar formularët A1 dhe A1Z. Ndërkohë, kuotat e pranimit në universitetet publike janë rreth 19 mijë, duke bërë që të kenë më pak mundësi për të filluar një shkollë të lartë. Ajo ç’ka vihet re është se ndryshe nga një vit më parë, këtë herë kemi më shumë nxënës mbetës, duke bërë që 14 mijë e 535 maturantë të plotësojnë formularin A1Z. Një vit më parë, numri i maturantëve që plotësuan formularin A1 ishte 7 mijë, mirëpo këtë vit për shkak të numrit të madh të maturantëve që ngelën në lëndën e matematikës, ky numër u dyfishua. Në një kohë kur edhe kuotat e pranimit në institucionet e larta publike janë ulur, ka bërë që mundësia që këta të fundit të fitojnë një shkollë të lartë të jetë më e vogël. Ndërkohë, janë 40 mijë e 864 aplikime për formularin A1, i cili është plotësuar nga maturantët që janë aktualisht duke ndjekur gjimnazin. Ndërkohë, maturantët që kanë plotësuar formularin A1 dhe A1Z, duhet të paraqiten pranë shkollave përkatëse brenda datave 16-22 prill për të bërë verifikimin e të dhënave. Është i domosdoshëm verifikimi dhe saktësia e tyre, pasi në rast gabimi, maturanti rrezikon të mos futet në provime. “Duhet të tregoheni të kujdesshëm dhe të vëmendshëm që, në periudhën 16 deri 22 prill, të paraqiteni pranë shkollës ku kanë bërë plotësimin online të formularët A1 dhe A1Z, për të bërë verifikimin e të dhënave tuaja personale të afishuara te këndi i maturantit. Pas verifikimit të kryer, nëse konstatoni gabime në të dhënat tuaja personale, njoftoni me shkrim kryetarin e KSHMSH për gabimet e vëna re. Korrigjimet në Portal i bën KSHMSH”, përcaktohet qartë në manualin e maturantit. Këtë vit duket se konkurrenca do të jetë mjaft e fortë, pasi për të arritur një degë në universitet, maturantëve u duhet të ‘luftojnë” fort. Maturantët, të cilët arrijnë të kenë rezultate të larta, jo vetëm gjatë viteve të studimit, por edhe në provimet e Maturës Shtetërore do të kenë më tepër mundësi për t’u bërë pjesë e universiteteve publike. Edhe këtë vit, në përzgjedhjen e tyre do të zbatohet sistemi meritë-preferencë. Maturantët, pas datës 22 korrik do të plotësojnë formularin A2, nëpërmjet të cilit do të zgjedhin dhjetë preferencat e tyre në universitet, sipas preferencës që kanë. Në bazë të pikëve dhe preferencës, do të përzgjidhen më pas fituesit për në universitet. Në llogaritjen e pikëve, një rol të rëndësishëm ka edhe profili që maturanti ka zgjedhur, por edhe lëndët me zgjedhje. “Duhet të theksojmë se llogaritja e pikëve për secilin maturant bëhet sipas profilit të shkollës së mesme që ka ndjekur, sipas lëndëve me zgjedhje që ka dhënë provim dhe preferencave të tij për programe të ndryshme studimi. Kështu secili maturant në përfundimin me sukses të shkollës së mesme dhe katër provimeve të Maturës Shtetërore për çdo program studimi të përzgjedhur ka grumbulluar sasitë respektive të pikëve që përbëjnë meritën e tij për programet e përzgjedhura të studimit”, thuhet në manual. Ndërsa shtohet se një maturant kandidat që është shpallur fitues në një program studimi në fazën e parë të shpalljes së fituesve dhe është regjistruar, në fazat e mëtejshme mund të shpallet fitues në preferenca më të larta të përzgjedhura nga ai. Në këtë rast, ai duhet të regjistrohet në programin e ri fitues të preferencës më të lartë. Nëse nuk e bën këtë veprim humbet të drejtën e vazhdimit të studimeve në IALP.
SHKRIME TË TJERA ME INTERES
[related_posts limit=”5″]