“Darka e gabuar” e drejtuar nga Kryetarja e Kuvendit, Topalli pritet të “bojkotohet” nga vendorët dhe opozita
Fatjona Mejdini
Mazhoranca ka përcaktuar në mënyrë përfundimtare zhvillimin e një darke ceremoniale në datën 27 nëntor në Vlorë. Kjo, pasi sipas “Top Channel” në axhendën e festimeve të 100-vjetorit, e cila i është shpërndarë trupit diplomatik në Tiranë, theksohet në mënyrë të qartë se një darkë e tillë do të mbahet dhe do të drejtohet nga Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli. Por kjo darkë duket se do të bëhet dhe “mollë sherri” mes qeverisë qendrore dhe pushtetit lokal në Vlorë, nisur nga fakti se kryebashkiaku i qytetit ku 100 vjet më parë u ngrit flamuri ka theksuar në mënyrë të qartë se vendorët nuk do të zhvillojnë apo marrin pjesë në asnjë aktivitet që nuk zhvillohet në datën 28. Mbajtja e saj pritet të mos i shërbejë atmosferës festive dhe bashkëpunimit mes palëve që duhet të reflektohet në qytetin jugor mëngjesin e datës 28 Nëntor. Nga ana tjetër, në këtë axhendë nuk vihet re asnjë celebrim me rastin e datës 29 nëntor e cila është dhe dita e përkujtimit të Çlirimit të Shqipërisë. Mazhoranca qeverisëse gjithmonë i ka përkujtuar dëshmorët në datë 28.
Data 27
Mazhoranca ka planifikuar zhvillimin e një sërë aktivitetesh, gjatë pasdites dhe darkës të datës 27 në qytetin e Vlorës. Kështu pasdite në qytetin bregdetar do të mbahet një koncert festiv me këngëtarët më të mirë shqiptare dhe pas tij nën drejtimin e Kryetares së Parlamentit, Jozefina Topalli, në këtë qytet do të zhvillohet një darkë e madhe. Në këtë darkë, një ditë para shpalljes së pavarësisë pritet të marrë pjesë Kryeministri Berisha, ministra të kabinetit të tij dhe përfaqësues të shumtë të mazhorancës qeverisëse. Po kështu, me ftesë të Kryetares së Kuvendit aty pritet të janë të pranishëm dhe përfaqësues të trupit diplomatik të akredituar në Tiranë dhe po kështu miq të tjerë nga jashtë vendit që do vijnë si të ftuar për kremtimin e 100-vjetorit të Pavarësisë. Por kjo darkë nuk pritet t’i shërbejë bashkëpunimit mes mazhorancës dhe opozitës në vigjilje të një dite të rëndësishme për të gjithë shqiptarët. Kjo pasi përfaqësuesit e opozitës kanë deklaruar se do të festojnë në Vlorë vetëm në datën 28 Nëntor dhe se festimet në ditë tjetër do t’i hiqnin këtij qyteti të drejtën për të gëzuar të gjithë prioritetin që i takon. Po kështu kryebashkiaku i Vlorës, Shpëtim Gjika, ka theksuar në mënyrë të qartë se përfaqësuesit e pushtetit vendor në këtë qytet, nuk do të kremtojnë asnjë ditë tjetër përveçse datës 28. Kjo situatë pritet të tregojë dhe një herë përçarjen e madhe që ekziston mes të majtës dhe të djathtës në vend 100 vjet pas krijimit të shtetit shqiptar.
Data 28
Por pavarësisht festimeve në pasditen e datës 27, përfaqësuesit e mazhorancës do të jenë të pranishëm dhe paraditen e datës 28 në Vlorë. Por personazhi kryesor i aktiviteteve në këtë datë pritet të jetë Presidenti i vendit, Bujar Nishani, i cili do të bëjë edhe ngritjen e flamurit. Në këtë mëngjes i pranishëm në Vlorë pritet të jetë dhe Kryeministri Berisha dhe anëtarë të tjerë të kabinetit të tij. Më pas përfaqësuesit e mazhorancës do të nisen për në Tiranë për të vijuar aktivitet e tjera në nder të 100-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë. Në Tiranë pritet të mbahet një paradë dhe pastaj një drekë. Po kështu, këtë ditë do të zhvillohet dhe inaugurimi i monumentit të 100-vjetorit të Pavarësisë. Koncertet do të jenë të shumta në këtë ditë dhe do kulmojnë një koncert të madh festiv në sheshin “Nënë Tereza”. Kryeministri Berisha ka theksuar se qeveria ka bërë të gjitha përpjekjet që datat 27 dhe 28 nëntor të jenë sa më festive.
Elementet
Qengjat – Për kremtimet e datës 28 Nëntor pritet që të theren 1000 qengja dhe 1000 desh, sipas porosisë së Kryeministrit në mbledhjen e qeverisë.
Torta – Bashkia e Tiranës po përgatit dhe një tortë me peshë rreth katër tonë, e cila pritet të thyejë ndonjë rekord ndërkombëtar.
Festa – Për të kënduar në koncertin festiv që do të mbahet në mbrëmjen e datës 28 pritet të mbërrijë në Tiranë dhe këngëtarja me famë botërore, Rita Ora.
29-ta – Deri tani mazhoranca nuk ka vendosur asnjë ceremoni për datën 29 nëntor.
Replika mes kreut të PS-së, Edi Rama, dhe përfaqësuesve të kësaj partie
PDIU dekoron Tiranën. Idrizi: Koha për bashkim kombëtar
Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet, Shoqata Çamëria dhe Klubi i Patriotëve vendosën dje dekore festive me rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë në disa pjesë qendrore të Tiranës. Dekor dhe flamuj të shumtë u vendosën në anët e lumit Lana. Po kështu qindra flamuj kombëtarë dhe flamuj ku mbishkruhej “I Love Çamëria” dhe “I Love Kosova” u vendosën përgjatë bulevardeve “Bajram Curri” dhe “Zhan D’Ark” me pikë kulmore në urën mbi Lumin Lana ku kalon Rruga “Sami Frashëri”. Aty ishin vendosur tre monumente të mëdha me shkronja tredimensionale ku denoncohej Traktati i Londrës, që copëtoi trojet shqiptare dhe dy monumente të tjera, një me hartën e Shqipërisë etnike dhe një me hartën e Çamërisë. Në këtë aktivitet kryetari i PDIU-së, Shpëtim Idrizi, deklaroi në këtë përvjetor të rëndësishëm të shtetit shqiptar duhet të punohet edhe më shumë për bashkimin kombëtar. “I ftojmë të gjithë shqiptarët që jo vetëm të festojnë, por të mos harrojmë që babai i kombit, Isamil Qemali, nuk e ngriti flamurin kombëtar vetëm për Shqipërinë politike që kemi sot por për të gjithë shqiptarët në katër vilajetet ku ata jetonin. Sot jemi këtu për t’u bërë thirrje bashkëkombësve tanë kudo që ndodhen që të gjithë të luftojmë për bashkimin kombëtar për të vendosur të drejtën e mohuar të kombit tonë”, deklaroi Idrizi. Por përmes rrjetit social “Twitter”, kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, e quaji batërdi atë që po bëhej me dekorin në Tiranë. “Vazhdon batërdia për sytë në dekorin banal të festës në Tiranë. Flamuj të ngulur në trotuaret e shpuara me matrapik! E paparë. Ç’pamje në flamujt e varur në Tiranë. Ky lloj zogu i shpërfytyruar veç shqiponja e flamurit tonë kombëtar nuk është”, deklaroi Rama. Kjo deklaratë mori përgjigje nga ana e përfaqësuesve të PDIU-së. “Çdo shqiptar ndihet i fyer nga ata që dëgjojnë dy minuta matrapik e nuk shohin qindra flamuj kuqezi që valëviten krenarë. Klubi i Patriotëve të Rinj, PDIU dhe Shoqata Çamëria ua kanë dhuruar këtë dekor madhështor shqiptarëve dhe jo politikanëve, ndonëse do të duhej që dekorin e Tiranës ta bënin institucionet shtetërore dhe jo KPR e PDIU, siç rezultoi. Nuk presim leksione nga ata që për 10 vjet zbardhnin netët e refuzonin të vishnin kuqezi ditët!”, theksohet në deklaratën e PDIU-së.
Vizita
Rama merr titullin “Mirënjohja e Preshevës”
Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, i shoqëruar nga deputeti Pandeli Majko dhe kryetari i Bashkisë së Korçës, Niko Peleshi, zhvilluan dje një vizitë në Luginën e Preshevës me rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë. Rama u shpreh shumë mirënjohës dje pasi nga të zgjedhurit lokalë të krahinës shqiptare brenda territorit të Shqipërisë iu dha titulli “Mirënjohja e Preshevës”. “Emocion i rrallë marrja e këtij titulli. Shumë faleminderit të gjithëve”, theksoi Rama mbrëmjen e djeshme në rrjetin social “Twitter” ku ndau dhe përshtypjet e tij në lidhje me këtë vizitë. Në Preshevë, Rama dhe bashkëpunëtorët e tij prezantuan dhe ekspozitën me flamuj të cilët e kanë çelur në shumë treva ku jetojnë shqiptarët. “Një event gjithë emocion në Preshevë mes qindra shqiptarëve entuziastë për rrugën e flamurit në 100 vjet. Kori i fëmijëve që këndoi Himnin Kombëtar në çelje ishte drithërues dhe po ashtu interesimi i njerëzve për ekspozitën. Në rrugët e Komunës Preshevë flitet veç për ekspozitën tonë. Shumë faleminderit Artan Lames dhe Leart Kolës për angazhimin. Një fjalë shumë e duartrokitur e Pandeli Majkos për shqiponjën me dy kokë”, deklaroi Rama në rrjetin social. Ai gjithashtu theksoi faktin se përfaqësuesit e Partisë Socialiste kishin bërë homazhe në lapidarin e dëshmorëve të Ushtrisë Çlirimtare të Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit.
