Sali Berisha – “Besojmë se opozita nuk do ta shfrytëzojë këtë si një tendencë të brendshme politike, por do të ofrojë bashkëpunimin aty ku duhen 3/5 e votave. Këtu nuk kemi të bëjmë aspak me çështje që kanë të bëjnë vetëm me marrëdhëniet e brendshme të shtetit, por për kërkesa të BE-së”
Janez Jansa – “Çështja e imunitetit duhet të zgjidhet në Shqipëri ashtu siç kërkohet nga standardet e BE-së. Ne i dimë përpjekjet e shumta e të fuqishme, ndaj i shprehim Kryeministrit mbështetje të plotë në këtë drejtim”
Berisha: Nëse nuk votohet imuniteti, i rikthehemi referendumit
Fatjona Mejdini
Seanca e parë parlamentare në sesionin e ri të shtatorit nuk solli asnjë ndryshim në retorikën e palëve për çështjen e kufizimit të imunitetit në vend. Ndonëse pritej që dy forcat kryesore politike në vend, Partia Demokratike dhe ajo Socialiste të kishin reflektuar në lidhje me nevojën e gjetjes së një konsensusi që do t’i hapte rrugë heqjes së imuniteteve në Kuvend, një gjë e tillë u duk e largët. Mosarritja e një konsensusi u vu re qartë nga deklaratat e acaruara që mbajtën në seancën e parë të këtij sesioni dy krerët e grupeve parlamentare, Astrit Patozit nga PD-ja dhe Gramoz Ruçit nga PS-ja, të cilët kanë deklaruar haptazi se nuk kishin ndërmend t’i hapin rrugë njëri-tjetrit në betejën për imunitetet. Në qetësimin e kësaj klime nuk ndikoi as thirrja e kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli, sipas të cilës ky sesion i ri parlamentar merrte një dimension të ri për shkak të faktit se shtrihet në përvjetorin e 100 të shpalljes së Pavarësisë së vendit dhe në një kohë kur Shqipëria kishte për të dhënë një test tepër të rëndësishëm përpara Komisionit Europian. Nga ana tjetër, nga Sllovenia ku ndodhet për një vizitë zyrtare, Kryeministri Berisha, gjatë një takimi me homologun e tij slloven, Janez Jansa, theksoi se mazhoranca kishte ende shpresa për votimin në parlament të imunitetit, pavarësisht se ai theksoi se ideja e referendumit mbetej aty e gatshme të aplikohej në momentin kur kishte humbur çdo shpresë për votim në Parlament.
Mazhoranca
Kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Astrit Patozi deklaroi dje në mënyrë të qartë se mazhoranca nuk kishte ndërmend ta pranonte draftin e propozuar nga socialistët për kryerjen e disa reformave shtesë në vend, si kusht për heqjen e imunitetit. Patozi nuk nguroi ta cilësonte si një paçavure draftin e opozitës dhe la të kuptohej se, ndonëse ai do të kalonte të gjitha procedurat parlamentare, përsëri nuk do të merrej për bazë nga mazhororanca. “Nuk kemi asgjë për të fshehur, po ta themi qysh sot se nuk kemi ndërmend t’i miratojmë paçavuret e depozituara. Por sigurisht, ne do të respektojmë deri në fund të drejtën e opozitës, për t’ia futur edhe kot. Ndaj do të zbatojmë çdo normë procedurale në shqyrtimin e nismës së Partisë Socialiste”, deklaroi prerë Patozi. Por sipas tij, ai ishte i sigurt se “socialistët dhe shpirtin e jepnin, ndërsa imunitetin jo”. Sipas Patozit, kjo vjen për shkak të faktit se Edi Rama kërkon të bllokojë me çdo kusht statusin e vendit kandidat në Bashkimin Europian, duke përdorur të njëjtën taktikë që ka përdorur edhe vitet e tjera.
Opozita
Kryetari i grupit parlamentar të PS-së, Gramoz Ruçi, deklaroi dje në sallën e Kuvendit se opozita asnjëherë nuk ka qenë kundër heqjes së imunitetit të zyrtarëve të lartë. Duke i quajtur një alibi deklaratat e përfaqësuesve të mazhorancës, Ruçi theksoi se për të votuar heqjen e tij, mazhoranca duhet të shqyrtonte nismën e socialistëve për reformën kushtetuese, një nismë kjo që, sipas kreut të grupit socialist, ndihmonte në radhë të parë vetë mazhorancën. “Vota ndaj amendamenteve tona është një votë për shtetin e së drejtës, është votë për barazinë reale para ligjit, është votë për t’i dhënë vendit gjyqtarë me integritet, që u mundësojnë qytetarëve të këtij vendit drejtësinë e kërkuar dhe të munguar dhe jo gjyqtarë e prokurorë që drejtësinë për qytetarin e këmbejnë me shërbimin ndaj pushtetarit, ndaj më të fortit dhe atyre që paguajnë më shumë”, deklaroi Gramoz Ruçi, duke theksuar se kjo ishte reforma reale që i shërbente drejtësisë së pavarur dhe transparente. Nisur nga kjo, Ruçi i bëri thirrje mazhorancës që të reflektonte dhe të merrte parasysh kërkesat e opozitës. “Ne shpresojmë që ju të reflektoni. Ne ju ftojmë sinqerisht t’i votoni amendamentet tona, t’i bashkoheni këtij vizioni dhe këtij qëllimi që ne kemi”, theksoi Ruçi. Por duket se ky reflektim ka pak gjasa të ndodhë, në një kohë kur përfaqësuesit e mazhorancës mendojnë se miratimi i këtyre amendamenteve me shumë gjasa e kthente vendin në një Republikë ku sundonte pakica parlamentare. Pavarësisht pesimizmit që shoqëroi dhe ditën e parë të punimeve të Kuvendit për çështjen e imunitet, pritet që për këtë çështje të ketë negociata intensive mes palëve.
Integrimi
Çështja e heqjes të imunitetit pritet të ketë një rëndësi të veçantë në fillimin e muajit tetor, kur Shqipëria duhet të kalojë provimin e radhës për sa i përket statusit të vendit kandidat.