Katër – Parti parlamentare ishin dje pjesë e diskutimeve për zgjedhjen e kandidatit më favorit për të qenë kreu i ardhshëm i vendit.


Tre – Ishin takimet e zhvilluara mes kryetarëve të partive të mazhorancës ditën e djeshme. Dy u zhvilluan në selinë e Kryesisë së Kuvendit dhe një jashtë saj.


Katër – Ishin kandidaturat që morën më shumë kohë në diskutimin e tretë mes anëtarëve të mazhorancës qeverisëse. Xhezair Zaganjori, Mimoza Halimi, Artur Kuko dhe Dashnor Dervishi ishin favoritë.


Njëzet – Janë firmat që do të marrë paraditen e sotme Zaganjori për t’u shpallur zyrtarisht kandidat për President.


Negociatat mes partive të koalicionit përzgjedhin anëtarin e Gjykatës Kushtetuese. Rama: Ky është një konsensus gjysmak


Fatjona Mejdini


 


Meta, Berisha, Idrizi & Mediu


Fjalia e Kryeministrit Berisha mëngjesin e djeshëm se në lojën për Presidentin e ri do të futeshin përveç politikanëve dhe diplomatët e juristët, solli në mbrëmje një listë kandidatësh të mazhorancës për këtë proces. Por në këtë hark kohor ndodhën një sërë takimesh mes drejtuesve të koalicionit të djathtë qeverisës, ku Sali Berisha nga PD, Ilir Meta nga LSI, Shpëtim Idrizi nga PDIU dhe Fatmir Mediu nga PR ishin aktorët kryesorë. Por protagonist kryesor i mbrëmjes së djeshme ishte anëtari i Gjykatës Kushtetuese, Xhezair Zaganjori, ndërsa emra që u diskutuan ishin dhe ata të Mimoza Halimit, Artur Kukos dhe Dashnor Dervishit, të gjithë këta personalitete të larta të fushës së jurisprudencës dhe diplomacisë në vend.


Paraditen e djeshme një nga emrat e përzgjedhur që me shumë gjasa pritet të jetë e ajo e Xhezair Zaganjorit, do të marrë në Komisionin e Ligjeve dhe 20 firmat që kërkohen për t’u shpallur kandidat. Më pas do të jetë kryetari i grupit parlamentar të PD-së, Astrit Patozi, personi i cili do ia paraqesë emrin e kandidaturës, homologut të tij socialist, Gramoz Ruçi. Gjithsesi, mbrëmjen e djeshme në një spektakël përballë gazetarit Adi Krasta, Rama theksoi se nuk ishte njohur me asnjë emër që diskutohej dhe shtoi se gjithsesi gjysma e politikës shqiptare ishte jashtë këtij procesi. “Për momentin kemi gjysmën e Parlamentit që ka ndërtuar një proces të vetin, por nuk kemi gjysmën tjetër jashtë, pra nuk ka ende një konsensus”, deklaroi kreu i PS-së, Edi Rama, duke shtuar se Presidenti i ri duhet të përfaqësonte unitetin e kombit. Por më i ashpër në komentin e tij u shfaq dje vonë deputeti i PS-së, Erion Braçe, i cili theksoi se e para Zaganjori ishte një kandidaturë e një qeverie në ikje dhe e dyta se ai vetëm tri javë më parë kishte votuar në konflikt interesi për të qëndruar në detyrën e tij si gjykatës, ndonëse mandati i kishte mbaruar.


Sinjali


Ishte Kryeministri Berisha ai që paraditen e djeshme nëpërmjet një deklarate përpara Kryesisë së Kuvendit hapi siparin e vërshimit të emrave nga radhët e juristëve dhe diplomatëve për pozicionin e Presidentit. “Emrat mund të jenë me atë që kemi rënë dakord me LSI-në dhe do të kërkojmë dhe me partitë e tjera. Emrat mund të jenë nga tri fusha, nga politika, drejtësia dhe diplomacia. Kjo është normale. Në historikun e zgjedhjes së presidentëve në Europë, këto janë tri fushat nga ta cilat kanë ardhur një pjesë e tyre”, deklaroi kreu i qeverisë paraditen e djeshme, duke lënë të kuptohej se përfundimisht ishte rënë dakord që ai të hiqte dorë nga zgjedhja e një kandidature të PD-së për këtë post.


Takimet


Dita e djeshme u mbush me negociata që nisnin nga selitë e katër partive politike dhe përfundonin në kryesinë e Parlamentit shqiptar. Takimi i parë mes aleatëve të koalicionit qeverisës nisi rreth orës 13.00 dhe përfundoi vetëm një orë me vonë. Në këtë kohë burimet bëjnë të ditur se mes katër drejtuesve të mazhornacës u fol në parim për nevojën për të përfshirë sa më shumë emra kandidatësh që nuk vinin drejtpërdrejt nga politika në procesin përzgjedhës. Në takim u vendos gjithashtu që palët politike të konsultoheshin më parë me kryesitë e tyre dhe më pas të mblidheshin përsëri për të paraqitur kandidaturat e tyre për President. Kështu, në orët e para të pasdites, pothuajse paralelisht u zhvilluan mbledhjet e kryesisë së PD-së, LSI-së, PDIU-së dhe PR-së. Në mbledhjen me dyer të mbyllura të PD-së bëhet e ditur se Kryeministri Berisha ka theksuar se do të hiqet dorë nga kandidatura e PD-së dhe se do t’u jepej prioritet fushave të tjera. Po kështu, Berisha ka lakuar në këtë mbledhje dhe emrin e anëtarit të Gjykatës Kushtetuese, Xhezair Zaganjori si propozim të tij. Një emër tjetër nga Kryeministri Berisha ka qenë dhe ai i ambasadores së Shqipërisë në Bruksel, Mimoza Halimi. Nga ana tjetër, në mbledhjen e saj të kryesisë, LSI e ka vendosur theksin te dy diplomatë për këtë proces, të cilët janë Artur Kuko dhe Dashnor Dervishi. Pas këtyre mbledhjeve, palët janë takuar përsëri në kryesinë e Kuvendit, ku kanë paraqitur listën me emrat reciprokë. Më pas një tjetër takim është zhvilluar mes katër kandidatëve në një bar në kryeqytet dhe nga bisedimet mësohet se emri i Xhezair Zaganjorit ka qenë më favoriti.


 


Jetëshkrim


Zaganjori, gjyqtar dhe ish-ambasador i Shqipërisë


Xhezair ZaganjoriXhezair Zaganjori lindi më 9 maj të vitit 1957 në Shkodër. Ai është diplomuar në Fakultetin e Drejtësisë të Universitetit të Tiranës në vitin 1981. Që nga kjo kohë ai ka qenë lektor i së Drejtës Ndërkombëtare Publike, i së Drejtës Europiane dhe i të Drejtave të Njeriut në Fakultetin e Drejtësisë të Universitetit të Tiranës, në Shkollën e Magjistraturës dhe në Shkollën e Studimeve Europiane, Tiranë. Gjatë viteve 1992-1997 ka qenë Ambasador i Republikës së Shqipërisë në RF të Gjermanisë. Në vitin 1993 merr gradën shkencore “Doktor i Shkencave Juridike” dhe në vitin 2009 “Profesor”. Ka qenë bashkëpunëtor shkencor pranë Institutit Max-Planck, Heidelberg. Në vitin 1991 është zgjedhur anëtar i Gjykatës së Pajtimit dhe Arbitrazhit pranë OSBE-së me seli në Vjenë. Është autor i një sërë botimesh shkencore brenda dhe jashtë vendit. Është pjesëmarrës aktiv në kongrese e konferenca të ndryshme ndërkombëtare brenda dhe jashtë vendit. Që nga viti 2003 ushtron funksionin e anëtarit të Gjykatës Kushtetuese.


 


 


Patozi: Zgjeruam fushën e lojës, për t’i hequr alibinë opozitës


Negociatori demokrat zbardh prapaskenat e bisedimeve


Negociatori i Partisë Demokratike, Astrit Patozi, zbuloi dje arsyet që e kishin çuar partinë e tij për të hequr dorë nga një kandidaturë për President, e cila i takonte partisë kryesore në pushtet. Përballë gazetarit Ilir Babaramo, Patozi theksoi se ky vendim ishte marrë për disa arsye dhe i shtyrë nga disa faktorë, por në thelb ai kishte ardhur për të mos i lejuar opozitës parlamentare asnjë alibi në lidhje me dyshimin se PD kërkonte të impononte një President të sajin. “E kemi marrë këtë vendim pas disa konsultimesh me partinë tonë dhe me aleatët. Arsyeja pse kemi hequr dorë nga këto kandidatura lidhet dhe me kërkesën e opozitës, aleatëve tanë, ndërkombëtarëve, opinionit publik dhe medias për ta zgjeruar rrethin e kandidaturave. Por në thelb ne e kemi marrë këtë vendim për t’i hequr alibinë opozitës se ne po kërkojmë procesin duke imponuar një kandidaturë tonën”, theksoi kryetari i grupit parlamentar të PD-së, duke theksuar se tashmë Rama është përpara një testi të rëndësishëm për procesin. Nga ana tjetër, Patozi theksoi se PD nuk do të pranonte që procesi i Presidentit të diskutohej me reformën zgjedhore, atë parlamentare dhe çështjen e imunitetit të zyrtarëve të lartë. Sipas Patozit, reforma zgjedhore mund të zgjidhej shumë kollaj, sepse në thelb kërkonte vetëm vullnet dhe tashmë ishte një çështje që mund të zgjidhej pas procesit të zgjedhjes së Presidentit. Po kështu, ai u shpreh dhe për pikat e tjera që kërkon opozita të zgjidhen sa më shpejt të jetë e mundur. “Ne reformën zgjedhore donim ta mbyllnim që në muajin shkurt, por PS ka gjetur gjithmonë arsye për ta bllokuar dhe për ta zvarritur këtë reformë. Nga ana tjetër, çështja e imuniteteve zgjidhet për 30 minuta, nisur dhe nga fakti se kjo është një çështje që ne e kemi pasur gjithmonë në fokus”, shpjegoi Patozi. Por ai theksoi gjithashtu se propozimet e Partisë Socialiste për Komisionin Qendror të Zgjedhjeve nuk mund të ishin të pranueshme dhe se e udhës ishte të negociohej me qetësi. “Mënyra sesi PS na ka kërkuar ndryshimet në KQZ është bajate. Ata përdorën një mashë si Avokati i Popullit për të marrë kryetarin e këtij komisioni”, theksoi Patozi, duke theksuar përsëri se theksi në këtë moment duhej të vendosej te zgjedhja e Presidentit të ri.