Mbërrin në atdhe trupi i pajetë i Lirak Bejkos, martirit të grevës së urisë të ish-të përndjekurve politikë. Babai i tre fëmijëve humbi jetën 4 ditë më parë në një spital në Bari të Italisë, ku trajtohej për plagët që pësoi nga vetëdjegia me benzinë. Arkmorti me trupin e Bejkos ka mbërritur mëngjesin e sotëm në portin e Durrësit, me tragetin e linjës Bari-Durrës, ndërsa është pritur nga familjarët dhe miqtë e e tij. Pak minuta më parë, Laku siç e njihnin njerëzit e afërt, është rikthyer i pajetë në shtëpinë ku lindi dhe u rrit.
Morti në familjen Bejko është hapur qysh prej mesditës së të premtes, kur mjekët u telefonuan familjarëve dhe u komunikuan lajmin e hidhur se Liraku nuk ia kishte dal dot mbanë. Zemra e tij kishte pushuar rreth orës 11:20 të së premtes. Pranë tij nuk ndodhej asnjë i afërm, pasi bashkëshortja dhe familjarët e tjerë nuk mund të përballonin dot shpenzimet e udhëtimit. Ceremonia e varrimit është parashikuar të zhvillohet nesër, pas homazheve në Institutin e Integrimit të Ish-të përndjekurve politikë. Pas diskutimesh dhe përplasjesh të shumta, është arritur marrëveshja që homazhet në nderim të Bejkos të mbahen nga ora 11:00-13:00, e më pas ai do të përcillet për në banesën e fundit .
KE: Keqardhje për humbjen e Bejkos. Duhet dialog për të shmangur aktet ekstreme
Komisioni Evropian ka shprehur keqardhje për vdekjen e Lirak Bejkos, ish-të përndjekurit politik që u vetëflijua teksa merrte pjesë në një grevë urie dhe ka kërkuar që çështja e ish-të përndjekurve politikë në Shqipëri të zgjidhet përmes dialogut. Në një konferencë për shtyp, zëdhënësi i Komisionerit për Zgjerim Europian Stefan Fyle, tha se KE po e ndjek nga afër situatën dhe vlerëson se vendosja e dialogut dekurajon aktet ekstreme si vetëdjegia. “Më lejoni t’iu them se Komisioni Europian shpreh keqardhje të thellë për ndarjen nga jeta të zotit Lirak Bejko, pas aktit të tij sublim të kryer gjatë grevës së urisë në tetorit. Me këtë rast shprehim ngushëllimet tona familjes. Dua të theksoj se është tepër e rëndësishme që të dekurajohen akte të tilla si vetëdjegia përmes një dialogu në mes të autoriteteve dhe shoqërisë civile. Kjo me qëllim që të adresohen dhe zgjidhen çështjet e ngritura nga ish- të përndjekurit politikë dhe kjo duhet të ndodhë në kuadër të legjislacioneve të vendit, duke i respektuar institucionet demokratike. Ne po e ndjekim nga shumë afër atë që po ndodh në këtë aspekt”, u shpreh zëdhënësi i Fyle, Peter Stano.
Gjergj Ndreca: Amanetin e Lirak Bejkos do ta çojmë deri në fund
Miku i Lirak Bejkos, bashkëvuajtësi i tij në grevën e urisë Gjergj Ndreca, u ka bërë thirrje të gjithë shqiptarëve të marrin pjesë në homazhet në nderim të martirit të demokracisë. “Ju drejtohen të gjithë shqiptarëve, bashkëkombasve tanë kudo që jetojnë, të gjithë ata që u sensibilizuan me ne kur duhej të bëhej kurban heroi ynë Lirak Bejko. Nesër është përcjellja për në banesën e fundit. Ai të prehet lehtë atje ku është, të rrijë i qetë, sepse amanetin e atij do ta çojmë deri në vend. Ai është skalit, është heroi ynë. Nuk ka nevojë me e dekuruar kush, sepse atë e ka dekoruar i madhi Zot”, ka thënë Ndreca.
Tufa: Në mort, dera e hapur për të gjithë
Ish-koordinatori i grevës së urisë së ish-të përndjekurve politikë Skënder Tufa ka deklaruar se nesër do të zhvillohen homazhe në “strehën” e ish-të përndjekurve. Ai ka pohuar se është ngritur një komision homazhesh, që do të merret me të gjitha detajet për të nderuar siç duhet mikun e tyre.
“Është një komision i homazheve që po merret me detajet më të vogla. Dje është kontaktuar policia e shtetit dhe është marrë leja dhe mbështetja. Ne do të hyjmë në Institut do të bëjmë homazhe, dera e homazheve është e hapur për të gjithë. Kanuni i Lekë Dukagjinit thotë se edhe hasmi pritet në mort, për ne dera është e hapur”,- u shpreh Tufa për mediat.
Bazhdari: Bejko, dëshmori i vërtetë i demokracisë
Kryetarja e grupit të punës për ish-të përndjekurit në Partinë Socialiste, Keti Bazhdari, ka shkuar sot në shtëpinë e Lirak Bejkos, ku u ka shprehur ngushëllimet familjarëve dhe të afërmve të 47-vjeçarit.Pas daljes nga banesa, Bazhdari u ka bërë thirrje publike shqiptarëve të marrin pjesë në homazhet që do të zhvillohen të mërkurën, për të nderuar Lirak Bejko, dëshmorin e vërtetë të demokracisë.
“Askush nuk ndalon askënd për ta nderuar dhe respektuar Lirak Bejkon. Ai është dëshmor i vërtetë i demokracisë, djalë vital dhe i fortë që la gjithçka për t’iu bashkuar kauzës. Ai e meriton të jetë hero, do jetë vula e lirisë në Shqipëri, e të drejtave të njeriut, lirisë së shprehjes e demokracisë”, tha Bazhdari.
Lirak Bejko u vetëdogj me benzinë teksa ishte ngujuar në një grevë urie me disa ish-të përndjekur politikë. Në shenjë proteste për shurdhësinë e qeverisë ndaj kërkesave të tyre ekonomike dhe pas akuzave që iu adresuan grevistëve, ai u lye me benzinë dhe i vuri flakën vetes. Bejko pësoi dëmtime të rënda në më shumë se 50% të trupit. Ai u transportua në një klinikë në Bari për trajtim më të specializuar, ku iu nënshtrua disa ndërhyrjeve kirurgjikale. Pak para mesditës së datës 2 nëntor ai ndërroi jetë.
6 nëntor 2012 (gazeta-Shqip.com)
