Kryeministri Edi Rama bëri një deklaratë të fortë gjatë fjalës së mbajtur në seancën plenare, një ditë më parë. Duke folur për çështjen e negociatave, Rama tha se Reforma në Drejtësi është një prej kritereve kryesore dhe kërkoi pastrimin e drejtësisë nga të inkriminuarit.

Ai përmendi edhe një prokuror në Durrës, i cili sipas tij punon për një organizatë kriminale, por pa i thënë emrin.

Por mesa duket zv.kryeministri Erjon Braçe, ka dhënë detaje shtesë se kush mund të jetë ky prokuror.

Edhe Braçe nuk e përmendi emrin, por shprehet se prokurori i çështjes së Liridon Pulës, drejtor i Kadastrës Shtetërore në Durrës, mbështet një grup kriminal në Durrës dhe prokurori i çështjes në fjalë, është Arian Ndoja, shkruan Shqiptarja.

Prokurori Ndoja ishte sot në seancë gjyqësore, ku Gjykata e Durrësit vendosi masë sigurie arrest me burg për Liridon Pulën, një masë që sipas Braçes është e pabazuar në ligj duke thënë se po akuzohet për çështje që nuk i përkasin, pasi Pula ka vetëm pak muaj që është emëruar në krye të zyrës së Kadastrës së Durrësit.

Akuzat e ngritura nga prokuroria janë se Liridon Pula, së bashku edhe me zyrtarë të tjerë, dyshohet të kenë tjetërsuar dhe abuzuar me pronat, kryesisht në bregdet.

"Në ALUIZN-in e Durrësit ka pasur probleme të vjetra, në mënyrën se si janë administruar këto zyra, dhe kohë pas kohe ka pasur lëvizje të drejtuesve dhe procedime penale. Prokuroria ka ngritur një akuzë kundrejt drejtuesit të zyrës së re, të Kadastrës, nuk bëhet fjalë për Hipotekën, Aluiznin, por i referohet një institucioni të ri bazuar funksionimi i tij mbi një ligj tjetër të ndryshëm nga ligjet për dy institucionet e mëparshme. Më takonte të isha këtu për të parë akuzën që ka ngritur prokurori ndaj një punonjësi të shtetit shqiptar. Pa më të voglin diskutim që është akti final i një historie të gjatë gati një mujore, presioni, shantazhi kriminal mbi punonjësin që sot ishte me pranga në sallën e gjyqit. Presioni kriminal që nuk është bërë për çështjen në fjalë për të cilën është akuzuar por për pallate monsturuoze që duhet të legalizohen dhe të regjistrohen në këtë qytet. është bërë jo për çështjen, por presion në mënyrë të qartë për disa vjedhje të tjera, të mëdha shumë të rënda, në kohë të ndryshme në zonën e Gjirit të Lalëzit. Ai punonjësi i shtetit atje sipër pavarësisht shantazhit në të cilin ka qenë ka refuzuar të bëhet pjesë e këtyre veprimeve kriminale dhe unë dyshoj shumë pas asaj që dëgjova përreth një orë e gjysmë që e gjithë akzua e ngritur me të është e paprovuar por ka edhe lajthitje marramendëse që u referohen rregulloreve që sot nuk janë në fuqi që i kërkojnë drejtuesit të Kadastrës të sillet si drejtor i institucioneve që kanë qenë më parë. Të akuzosh për shpërdorim detyre duhet të provosh që vepra që ka konsumuar është kryer me dashje, dhe që vepra ka sjellë dëme, publike, pra shtetit, private, qytetarit. Duhej të ishte e provuar që drejtuesi i Kadastrës duhej të kishte sjellë dëme të qarta mbi shtetin, dhe dëme mbi privatët. Kompanitë që ka bërë ndërtime në Lalëz ose partnerët e saj që janë pronarët e truallit, nga asnjëri nuk ka asnjë pretendim mbi veprimet që ka bërë Regjistruesi. Kjo tregon që çdo gjë në gjykimin tim personal është e stisur dhe prokurori dhe gjykatësja në fjalë do duhet të provojnë në Apel ato që edhe pasi u vu në diskutim, prokurori tha: Ne deri në këtë moment kemi këto, nëse ju do sillni prova të tjera ne mund të ndryshojmë qëndrim. Nuk është i akuzuari që sjell prova, por prokurori që duhet të vërtetojë fajësinë. E kuptoni se në ç'shkelje të rëndë kushtetuese është ky prokuror?", tha Braçe.

Kush është Arian Ndoja
Arian Ndoja me 28 janar 2008 është emëruar prokuror në Durrës, pasi ishte liruar nga detyra e prokurorit nga ish-kryeprokurori Theodhori Sollaku. Gjatë kohës që nuk ka qenë prokuror, Ndoja ka bërë avokatin, ku ka mbrojtur edhe Arian Selimin, akuzuar për trafik ndërkombëtar kokaine. Vitin që shkoi Ndoja u përfol si personi që qëndronte pas rrahjes së avokatit Ilia Ilia, çështje për të cilën u nis hetimi, por ndaj Arian Ndojës nuk u mor asnjë masë.

Sipas deklaratave të pasurisë të pasqyruara në Open Spendig Albania, rezulton se ai ka dhjetëfishuar pasurinë për katër vjet.

Gjatë vitit 2004, Ndoja deklaron një pasuri prej 20 mijë euro dhe 200 mijë lekë. Dhe pas katër viteve, pikërisht në vitin 2008 ai rezulton me një pasuri mbi 760 mijë euro. Ndoja pretendon se këtë pasuri e ka shtuar gjatë kohës që ka punuar si avokat. Por nga ana tjetër rezulton se Ndoja ka punuar mbi tre muaj si avokat.

Në vitin 2016, Arain Ndoja ka deklaruar se ka në pronësi, 21 apartamente që ndodhen në Shëngjin, 3 bodrume, pemëtore dhe një ndërtesë truall në Krujë, të cilin thotë se e ka fituar me vendim gjykate pasi pronari i kishte borxhe.

height="438" class="aligncenter size-full wp-image-866052" />