MASH nuk paguan arsimtarët e fshatrave dhe pedagogët e rretheve
Shpresa Mezini – Ministria e Arsimit dhe Shkencës nuk i ka shlyer ende detyrimet për vitin 2012. Mbi 5 mijë mësues me kontratë provizore nuk e kanë marrë rrogën, që me fillimin e vitit të ri shkollor.
Ndonëse kanë kaluar afro 4 muaj që nga çelja zyrtare e vitit të ri arsimor, arsimtarët që kanë punuar me kohë të plotë apo të pjesshme, me kontratë provizore, nuk janë paguar ende. Fakti bëhet edhe më alarmant kur mësohet se numri i mësuesve që kanë mbetur në “tako” arrin në mbi 5 mijë në të gjithë vendin. Por, sikur të mos mjaftonte, ky nuk është i vetmi shqetësim që kanë mësuesit. Ndonëse nuk marrin rrogën që u takon për çdo orë mësimi që kanë zhvilluar, MASH u mohon edhe pagesën e transportit. Arsimtarët, të cilët udhëtojnë me linjat e transportit interurban po e paguajnë vetë biletën vajtje–ardhje çdo ditë nga shtëpia për në punë. Bëhet fjalë për të gjithë ata mësues të cilët marrin autobus apo furgonë për të shkuar në punë, pasi banojnë në qytet, por punën e kanë në fshat. Sipas mësuesve të fshatit, rimbursimi për biletat dhe koston e transportit duhet të ishte dhënë që në fillim të muajit shtator, kur nisi zyrtarisht mësimi, ndonëse fatura e tyre nuk është “prerë” ende nga MASH. Kështu, edhe pse ka afro 4 muaj që ka nisur mësimi për këtë vit shkollor, mësuesit nuk janë rimbursuar, madje vendimi nuk ka kaluar ende në Këshillin e Ministrave.
Nisur nga kjo situatë që ka rënduar ekonominë e një numri të konsiderueshëm familjesh, reagon presidentja e Federatës së Sindikatave të Punonjësve të Arsimit, Ana Xheka. Ajo e quan jokorrekt faktin që mbi 5 mijë mësues nuk kanë marrë rrogën prej 4 muajsh, ndërsa një pjesë tjetër nuk janë paguar për biletën e transportit.
“Në pothuajse të gjitha shkollat 9-vjeçare të Shqipërisë, sistemi i mësuesve me kontratë provizore nuk është paguar për shërbimin e ofruar. Në pjesën më të madhe të rasteve as nuk është pajisur me aktet administrative që sanksionojnë këto lloj marrëdhëniesh, pra statusin e tyre provizor, çka e bën të pamundur nga pikëpamja formale edhe kërkesën e tyre për të mundësuar pagesën. Edhe kuota e transportit nuk i është paguar që prej fillimit të këtij viti, duke shtuar këtu që kjo kuotë për këtë vit është ulur në krahasim me një vit më parë”, theksoi Xheka.
Burime zyrtare bëjnë me dije për gazetën “Shqip” se masa e rimbursimit të mësuesve që udhëtojnë në rrethe apo në zonat rurale, ndërkohë që banojnë në qytete të tjera përcaktohet me projektvendim të Ministrisë së Arsimit dhe miratohet nga qeveria. Ndërkohë, zbatimin e vendimit dhe modalitetet për kalimin e pagesave shtesë për këtë kategori mësuesish e bëjnë drejtoritë arsimore. Vitin e kaluar, për shkak të shkresave, burokracive apo problemeve me çeljen e fondeve, mësuesit e rretheve i kanë marrë paratë me vonesë, duke rënduar gjendjen e tyre ekonomike.
Presidentja e Sindikatave të Arsimit sqaron se përveç mësuesve numërohen me dhjetëra pedagogë që punojnë me kohë të pjesshme në Universitetin e Durrësit, Shkodrës dhe Elbasanit, të cilët nuk kanë marrë asnjë pagë për vitin akademik 2011-2012.
“Jemi në fund të vitit kalendarik 2012 dhe pedagogët e sistemit part-time në disa universitete publike të vendit nuk janë paguar ende për shërbimin e ofruar për vitin akademik 2011-2012. Sindikalistët i kërkojnë Ministrisë së Arsimit, rektorateve të universiteteve dhe drejtorive arsimore të zbatojnë detyrimet e pagave të papaguara në përputhje me punën dhe kohën e kryer”, shtoi Xheka.
Rroga
Mbi 5 mijë mësues që kanë punuar me kontratë provizore nuk janë paguar ende, pas 4 muajve që nga çelja zyrtare e vitit shkollor
Transporti
Arsimtarët që jetojnë në qytet, por paguajnë biletën e autobusit apo furgonit për të dhënë mësim në fshatra, nuk janë rimbursuar
Universitetet
Dhjetëra pedagogë që japin mësim në Universitetin e Durrësit, Shkodrës dhe Elbasanit nuk janë paguar për vitin 2011-2012