Ish-kryeministri Sali Berisha ka përshëndetur takimin e sotëm në Prizren të dy qeverive, asaj shqiptare dhe asaj të Kosovës, duke e quajtur këtë mbledhje si një praktikë të civilizuar në disa rajone të Europës.
Në një postim në rrjetin social “Facebook”, Berisha teksa ka vlerësuar çdo akt tjetër të bashkëpunimit të gjithanshëm ndërshqiptar si një interes jetik për shqiptarët dhe të dobishëm për bashkëpunimin në rajonin tone, nuk ka lënë pa ironizuar datën në të cilën u zhvillua kjo mbledhje. Sipas Berishës kjo ditë nuk ka asnjë lidhje me idealin e Prizrenit, por me ditën kur Enver Hoxha shpalli Republikën Popullore të Shqipërisë.
“Takimi i parë apo mbledhja e përbashkët e dy qeverive u mbajt në qytetin e Prizrenit, djepin e idealit kombëtar të shqiptarëve. Por 11 janari është një datë që nuk ka asnjë lidhje me idealin e Prizrenit. Ajo është e dënuar edhe me ligje e në mënyrë të parevokueshme nga historia e kombit shqiptar. Më 11 janar të vitit 1946, Enver Hoxha, Hitleri shqiptar i Pasluftës shpalli Republikën Popullore (Orëelliane) të Shqipërisë që do faktohej si forma e regjimit më mizor të shtypjes, persekutimit, izolimit të shqiptarëve në tërë historinë e tyre. sb”, shkruan Berisha në “Facebook”.