Partia Socialiste nuk ka ende kandidat. Priten takime edhe mes aleatëve qeverisës


Partia Socialiste nuk ka ende një kandidat për raundin e katërt të votimit për kreun e ri të shtetit. Në mbledhjen e sotme të Kryesisë së Ps-së, të mbledhur mëngjesin e sotëm nga kryesocialisti Rama nuk është diskutuar, as hedhur ndonjë emër konkret në tavolinë për ta propozuar në seancën e së hënës. Ndërkohë Gramoz Ruçi, është mandatuar nga Kryesia e PS-së për të rinisur bisedimet me homologun e tij në PD, Astrit Patozi, për gjetjen e një emri kandidati konsensual. Vendimet e mbledhjes së kryesisë së PS-së janë bërë publike nga anëtari i Kryesisë, Bashkim Fino. Nuk dihet ende se kur do të rinisin bisedimet me mazhorancën qeverisë, por pritet që gjatë kësaj fundjave të zhvillohen takime intensive në të dyja kampet, për gjetjen e kandidaturave për president. Pas tërheqjes së Xhezair Zaganjorit nga gara presidenciale, PD-ja bashkë me aleatët e saj, LSI-në, PDIU-në dhe PR-së do të rimblidhen sërish për të gjetur një emër të ri për raundin e katër të votimit. Kreu i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, paralajmëroi se të shtunën dhe të dielën do të ketë takime të partive të koalicionit me qëllim që Presidenti të zgjidhet në raundin e katërt në Parlament.


9 qershor 2012 (gazeta-Shqip.com)