Kryeministri Rama: Janë dhënë diploma në këmbim të lyerjes së institucioneve
Shpresa Mezini
Mbyllen 25 universitete në rang kombëtar, nga të cilat 17 janë private, ndërsa pjesa tjetër publike, pa përjashtuar edhe pezullimet e licencave për 13 universitete, private e publike.
Mungesë infrastrukture, pedagogësh, kontrata të paligjshme kontraktuale, mungesë pjesëmarrjeje nga ana e studentëve, diploma që lëshohen me klering, siç e cilësoi Kryeministri Edi Rama, dhënien e diplomave në këmbim të lyerjes së institucionit apo të prodhimeve blegtorale e druve të zjarrit, janë të dhënat e frikshme të auditit të Ministrisë së Arsimit në universitetet publike e private në rang vendi. Nga 59 universitete publike e private, rreth 71% e tyre nuk i plotësojnë kriteret ligjore dhe standardet që duhet të respektojnë e ofrojnë këto institucione për studentët. Për herë të parë, institucionet publike dhe private të arsimit të lartë në rang kombëtar, iu nënshtruan testit të ligjshmërisë, ai i cili nxori në shesh të vërtetën e dhembshme të situatës së arsimit të lartë në Shqipëri, ku mungojnë pedagogët, regjistrat, pjesëmarrja, e megjithatë diplomat janë lëshuar pa pikën e problemit.
Kryeministri Rama, duke i cilësuar këto institucione si skema piramidale, shprehu keqardhjen për investimin e familjeve për fëmijët e tyre në këto shkolla. Sipas tij, akreditimi është diçka krejt tjetër nga kontrolli ligjor, i domosdoshëm, të cilin Ministria e Arsimit duhet ta kishte kryer rregullisht dhe që nuk është bërë prej 20 vitesh, megjithëse ligjet kanë ekzistuar. “Më vjen keq për familjet që i kanë derdhur paratë në shumë skema piramidale dhe mashtruese. Po të kishin bërë kontrollet e gjendjes faktike, do të kishin kursyer miliona lekë, dollarë e euro investime të prindërve dhe qindra e miliona orë të shpenzuara kot nëpër institucione që nuk duhet t’i kishin dyert e hapur dhe që nuk mund t’i kenë të hapura. Qeveria e mëparshme blinte qetësinë me paratë e prindërve, duke i nisur të gjithë që të paguajnë gjithçka kanë për të shkuar në universitet dhe duke i ushqyer fëmijët me iluzionin se po bëhen inxhinierë, doktorë, juristë e me radhë dhe nuk gjendej përballë kërkesës për punësim”, tha Rama, gjatë prezantimit të raportit të ligjshmërisë së universiteteve. Sipas tij, në këtë raport, situata e arsimit të lartë është përtej imagjinatës së humoristëve të talentuar të vendit. “Rastet për të qarë e qeshur janë të panumërta në të gjitha, mjafton degjenerimi i Qendrës Albanologjike për të parë se ku është katandisur bota e të menduarit dhe niveli i arsimit të lartë, i shkencës që mësohet dhe zhvillohet në këto institucione. Si mund të ketë doktorë shkencash që kanë doktoruar me ‘Humori i këngës popullore’ apo temë doktorature ‘Diana Çuli dhe Helena Kadare?’ Janë dhënë diploma në natyrë, e kuptoni se ku kemi arritur? Janë dhënë në këmbim të diplomës dru të prera pa leje nga prindër a studentë? Kjo është e turpshme!”, theksoi Rama. Ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla, bëri me dije se 32 mijë diploma janë lëshuar vetëm nga universitetet private, 16 mijë prej të cilave janë dhënë nga një universitetet i vetëm privat. “Kemi verifikuar ligjshmërinë dhe kemi bërë transparente të gjitha gjetjet në 59 IAL pa dallim, publike dhe private, ku studiojnë 176 171 studentë dhe janë të punësuar 11 062 pedagogë.
Po bëjmë detyrën, sigurisht. Por, më duhet ta përsëris: po bëjmë një detyrë që ishte anashkaluar për 20 vite, sepse për 20 vite inspektimi nuk kishte asgjë të përbashkët me ligjin, transparencën dhe marrjen e përgjegjësive institucionale për të ecur përpara me verifikimin e cilësisë. Në një universitet privat nuk kemi gjetur dosjet. Përgjigjja që na kanë dhënë është: ‘Gjatë transportit me furgon na kanë rënë dosjet’. Kjo është e patolerueshme. Në një tjetër rast na thanë që janë djegur”, tha ministrja e Arsimit, e cila theksoi se ky është vetëm fillimi dhe se nuk do të lejojë kurrsesi që në universitetet e vendit të ketë probleme të tilla ligjore. Ndërkohë, juristi i Ministrisë së Arsimit, Plarent Ndreca, pohoi se biznesi me diplomat në shkollat e larta, të cilat vepronin në mënyrë tërësisht të jashtëligjshme jo vetëm që do të mbyllet, por do të procedohet edhe ligjërisht për të gjithë ata individë që kanë shkelur ligjin.
Nikolla
Në listën e universiteteve që do t’u pezullohet përkohësisht licenca e ushtrimit të aktivitetit, deri në përmbushjen e standardeve të kërkuara nga MAS, renditet edhe Albanian University, institucion ku vetë ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla, ka kryer studimet pasuniversitare. Në CV-në e ministres, të publikuar në faqen e internetit të Ministrisë së Arsimit, thuhet se zonja Nikolla, në korrik të vitit 2010, ka kryer studimet e nivelit të dytë, master shkencor, në degën: Administrim Publik, Drejtim Pushtet Ekzekutiv në Albanian University.
[callout]Reagimet
Universiteti Illyria
“Të dashur miq, të goditur dhe çoroditur nga lajmi i medieve, që MAS do të heqë disa licenca universitetesh, ju sqaroj se:
Universiteti Illyria ka angazhuar në stafin e saj personalitete të drejtësisë, shkencave politike dhe ekonomike si: Fehmi Abdiu, Enkelejd Alibeaj, Igli Totozani, Ylli Manjani, Vitore Tusha, Ervin Pupe, Marsida Xhaferrllari Kole etj. Universiteti Illyria në 5 vite ekzistence zbatoi ligjin dhe vetëm atë dhe arriti me tarifa e bursa mbështetëse të nxjerrë vjet të vetmen fituese të Shkollës së Magjistraturës”, reagon në rrjetin e tij social, “Facebook”, Ervin Malaj, pedagog në Universitetin Illyria. Sipas tij, këta hapa ligjorë kanë filluar për të ndaluar këtë formë reklame për universitetet e mbytura në borxhe, duke gjetur të vetmen rrugë shpëtimi, prishjen e imazhit dhe përhapjen e panikut për të përfituar disa studentë.
Albanian University
Sipas pronarit të Universitetit Vitrina, Astrit Veliaj, reforma e Ministrisë së Arsimit për heqjen e licencës apo pezullimin e saj për disa universitete publike e private në vend, është e vonuar. Ai thekson se Kryeministri Rama erdhi në pushtet me premtimin se do të mbyllte universitetet piramida, por ka kaluar një vit dhe kjo po ndodh sot, shumë vonë në kohë. “Kjo histori ka nisur herët që me licencimin e tyre, në stalla lopësh, duke bërë që spekulantët, abuzuesit të kthehen në vlerë kombëtare. Jam i ndërgjegjshëm, për mosplotësimin e standardeve nga shumë universitete private në vend, por gjykoj që diku-diku edhe është tepruar. E them këtë pasi komisioni, që ka ardhur për të verifikuar dokumentet në Albanian University, ka qenë tendencioz, jo politikisht, por disa individë mendoj që kanë vlerësuar negativisht qëllimshëm, disa probleme teknike do të thoja, më shumë se sa ligjore. Nuk mund të konsiderohet shkelje, afati i regjistrimeve të studentëve, kjo u vlerësua negativisht në universitetin tonë. Regjistrimet duhet të mbylleshin në dhjetor, ne i shtymë deri në janar, duke qenë se viti akademik nisi më vonë. Kështu që pjesërisht nuk jam dakord, me vendimin e marrë ndaj Albanian University, masa për ne nuk duhet të ishte pezullim i licencës, sepse nuk mund të renditemi me universitete që nuk plotësojnë kushtet thelbësore për ushtrimin e një aktiviteti të tillë. Megjithatë, jemi të vendosur të bëjmë ballafaqim me komisionin që erdhi për inspektim, pasi studentët e diplomuar në Albanian University janë pajisur me diploma të vlefshme dhe janë krenarë për këtë, siç jemi edhe ne”, sqaroi për gazetën “Shqip”, pronari i Albanian Universitety.
Universiteti Vitrinat
“Ky vendim për ne ka qenë i beftë, i pakomunikuar më parë, qoftë në mënyrë zyrtare me shkresë, qoftë në mënyrë verbale, apo në një mënyrë tjetër të njohur me ligj. Sipas nesh është një vendim i bazuar mbi hamendësime, paragjykime dhe opinione vetjake të disa anëtarëve të një komisioni që erdhi për tri ditë për të kontrolluar zbatimin e ligjshmërisë te ne, por me një mënyrë super të paligjshme, joprofesionale, joetike dhe shumë tendencioze. Në këtë raport kishte shprehje që Kampusi Universitar Vitrina ka qenë Kompleks Stallash, në fakt kur kemi hyrë ne në këtë kampus ka qenë paraprakisht bazë ushtarake e NATO-s. Thuhet në raport se kabllot elektrike ishin përtokë, kur në fakt çdo rrjet elektrik, hidraulik, është i standardizuar sipas kritereve më bashkëkohore të NATO-s. Akoma nuk jemi në dijeni, se me çfarë pretendimi jemi ndëshkuar. Janë përmendur prej Kryeministrit disa kontrata shkëmbimi që ne kemi bërë me studentët e familjeve të varfra, që në vend të një pjese të pagesës kanë rënë dakord të ofrojnë shërbimet e tyre, apo mallrat e tyre. Por kjo nuk është as e paligjshme, as e pamoralshme, as e palogjikshme”, tha Edmond Vlashaj, pronari i Universitetit Vitrinat, të cilit MAS i hoqi licencën. Sipas tij, kudo në botën perëndimore, formulohen dhe nënshkruhen të tilla kontrata, bazuar në vullnetin dhe interesin reciprok, në respekt të ligjit dhe të së drejtës për bashkëpunim. “Një pjesë e mirë e studentëve tanë në botën perëndimore kanë ofruar shërbimet e tyre që te puna në bibliotekë, në mensë, në projekte të ndryshme dhe kanë përfituar nga kjo punë, apo nga ky kontribut, një pjesë të pagesës së bursës, apo bursën si një e tërë. Këtu kemi të bëjmë me paragjykim të administrimit financiar të institucionit tonë.”
Partia Demokratike
Pas vendimit të Ministrisë së Arsimit për heqjen e licencës dhe pezullimin e saj në disa universitete publike e private në vend, reagoi edhe opozita, e cila akuzoi qeverinë se ndryshe nga çfarë pretendon, arsimin nuk e ka prioritet dhe se nuk ka investuar asgjë për të përmirësuar cilësinë e shkollës. Madje, me mbylljen e disa shkollave private lë edhe mijëra studentë jashtë auditorëve. “Ndryshe nga premtimet, nuk po përmirëson kushtet, nuk po ul tarifat e studimit, nuk po pranon më shumë studentë, nuk po e çon në 5% buxhetin për arsimin, nuk po rrit financimin për ekselencën dhe nuk po bën asnjë investim për të përmirësuar infrastrukturën mësimore. Pas një viti, arsimi është në udhëkryq”, tha Ervin Salianji, koordinatori për ndihmë ligjore në PD.[/callout]