Panariti: Ne, shembull i paqes në diversitet
Shqipëria ka mbyllur Presidencën e Këshillit të Europës, duke e cilësuar një sukses semestrin e drejtimit të organizatës, por pa shënuar një objektiv të rëndësishëm të arritur në këtë Presidencë. Tirana i dorëzoi dje Presidencën e KIE-s, vendit pasardhës, Andorrës. Në përmbyllje të kryesisë shqiptare të Komitetit të Ministrave të Këshillit të Europës dje paradite u mbajt konferenca “Diversiteti në Europë, një fuqi për të ardhmen”. Gjatë konferencës, ku ishin të pranishëm personalitete të rëndësishme politike të vendit dhe më gjerë, ministri Panariti, në cilësinë e presidentit të Komitetit të Ministrave të KiE-s mbajti një raport mbi arritjet kryesore të Presidencës shqiptare, ndërsa ministri i Jashtëm i Andorrës, Gilbert Saboya Sunyé, prezantoi prioritetet e Presidencës andorriane. “Të bashkuar në diversitet” u bë moto dhe kryefjalë e presidencës shqiptare, për të promovuar dialogun ndërkulturor, edukimin e brezave të rinj me ndjenjën e tolerancës, bashkëndarjes dhe të jetuarit së bashku, si një ndër sfidat kryesore të shoqërive europiane sot”, tha Panariti në fjalën e tij. Kreu i diplomacisë shqiptare, duke u kthyer pas në kohë, kujtoi se “më 11 maj 2011, atëherë kur raporti ‘Të jetojmë së bashku’ u prezantua për herë të parë në takimin Ministerial të Komitetit të Ministrave, në Stamboll, bashkërisht vlerësuam faktin se ky raport ishte një përmbledhje gjithëpërfshirëse e formave të ndryshme të diskriminimit, intolerancës dhe një pasqyrë e stereotipave mbi grupet vulnerabël të popullsisë, si emigrantët, pakicat kombëtare, azilkërkuesit, etj.”. Në veçanti, theksoi Panariti, “vlerësuam faktin se raporti nuk është thjesht moralizëm, por pasqyron shembuj konkretë nga praktikat më të mira të vendeve anëtare të organizatës lidhur me implementimin efikas të politikave të bashkëjetesës së diversiteteve. Gjithashtu, gjatë takimit të nivelit të lartë të nëntë presidentëve europianë, zhvilluar në Finlandë, në shkurt 2012, ky raport u vlerësua si një strategji për menaxhimin demokratik të diversitetit në Europë”. Po ashtu, tha Panariti, në këtë takim u nënvizua se Këshilli i Europës ka nevojë për mbështetjen e secilit prej vendeve tona për promovimin e këtij raporti. Sipas tij, “Shqipëria, edhe një herë sot, i përgjigjet pozitivisht kësaj thirrjeje, pasi jemi të bindur se 17 parimet drejtuese të raportit dhe 59 propozimet për veprim në formën e rekomandimeve strategjike, duhet të shërbejnë si bazë për politikat qeveritare për t’iu përgjigjur kërcënimeve në rritje të formave të reja të racizmit dhe intolerancës, me të cilat përballen shoqëritë tona sot”. “Shqipëria është vendi i vetëm në Europë që në pjesën më të madhe të kufirit rrethohet me popullsi shqiptare, që jeton në vendet fqinje, me të cilat vendi ynë ndjek një politikë të moderuar e konstruktive të fqinjësisë së mirë, bashkëpunimit dhe integrimit rajonal dhe bashkëjetesës paqësore. Ne synojmë ta kthejmë këtë diversitet të kontinentit tonë në një forcë krijuese për paqe dhe bashkëndarje të vlerave më të mira të gjithsecilit”. Në këtë aktivitet morën pjesë Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, Kryeministri i vendit, Sali Berisha, si dhe përfaqësues të lartë të KiE-s, të 47 vendeve anëtare të KiE-s, vendeve vëzhguese, vendeve fqinje të Mesdheut, përfaqësues të trupit diplomatik të akredituar në Tiranë, si dhe autoritete të tjera të larta. Gjithashtu, në Konferencë mori pjesë si i ftuar special Jorge Sampaio, përfaqësues i lartë i OKB-së për Aleancën e Qytetërimeve dhe ish-president i Portugalisë, Emma Bonino, zv/presidente e Senatit italian, Sonja Licht, anëtare e Grupit të Personave të Shquar, hartues të raportit “Të jetojmë së bashku”, etj.