Kristi Llozi, 17-vjeçari i plagosur në Elbasan: Kundërshtarët erdhën 15 vetë, unë veti i dytë


Silvana Muça


Thike-pas-shpineAdoleshenti që u plagos me thikë, mesditën e së hënës në Elbasan, Kristi Llozi, thotë se ngjarja ka ndodhur brenda pak sekondave. Sipas 17-vjeçarit, sherri ka qenë banal dhe motivin nuk dëshiron që ta përmendë. “Nuk kam dëshirë ta kujtoj atë histori. Mirë që mbaroi me kaq, se nuk dihet se si mund të shkonte. Jam mirë dhe po marr mjekim në Spitalin Ushtarak” shprehet Kristi. Pas një sherri më bashkëmoshatarët e tij, adoleshenti ka marrë dy plagë në trup, të shkaktuara me thikë, njërën në faqen e majtë dhe tjetrën te mushkëritë. Konflikti mes tyre ka nisur për qejfmbetje dhe më pas “lufta” ka vazhduar në rrjetin social “Facebook”, duke u mbyllur me plagosjen e njërit prej tyre. Nëna e Kristit nuk i ndahet për asnjë moment. “Isha në punë kur më morën në telefon dhe më njoftuan plagosjen e tim biri. Është mjaft e rëndë, kur dikush të thotë që djali të është plagosur dhe ndodhet në spital. Nuk dija se si të veproja në ato momente. Po më ikte mendja, nuk e di se si kam bërë rrugën nga puna deri tek spital”, shprehet e ëma, me lot në sy, teksa kujton ato momente.


 


Çfarë lidhje keni me autorin?


Nuk e njoh në mënyrë direkte agresorin. Ai ka qenë shoku i ngushtë i atij personit që unë kam pasur konflikte. Ajo ditë ka qenë e tmerrshme dhe nuk dua që ta kujtoj. Personin me të cilin kam pasur probleme, e kam pasur shok dikur. U grindëm për gjëra që nuk kam dëshirë të t’i them.


Si lindi konflikti mes jush?


Kemi qenë bashkë kur u grindëm. Gjërat u acaruan mjaft në ‘Facebook’ dhe këmbenim mesazhe fyese me njëri-tjetrin. Për ta qetësuar situatën, kërkova ndihmën e shokut tonë të përbashkët. Ai ndërhyri dhe për disa kohë situata u qetësua. Disa ditë pas kësaj bisede, gjërat u acaruan sërish. Në faqen time të ‘Facebook’-ut kishte ardhur një mesazh nga i njëjti person. Fjalët ishin shumë të rënda dhe fyese. Kjo situatë nuk mund të durohej më, kështu që kërkova një takim. Ai është në klasën e nëntë, në shkollën “Ali Agjahu” ndërsa unë tek “Jeronim de Rada”, në të njëjtin vit. Pas mësimit, vendosëm që të takoheshim, tek vendi i quajtur “Kryqëzimi i Cerrikut”. Isha krejt i papërgatitur dhe nuk doja që gjërat të merrnin të tilla përmasa. Shkova thjesht që të sqarohesha dhe ta mbyllja atë bisedë. Me vete kisha marrë shokun tim të ngushtë dhe nuk isha i armatosur.


Nuk arritët që t’i qetësonit konfliktet?


Jo, nuk munda, ndonëse kisha të vetmin qëllim. Kur u takuam, vura re se ata kishin ardhur rreth 15 veta. Gjithçka ishte e planifikuar. E vetmja fjalë që arrita të thoja ishte nëse do ta mbyllnim këtë bisedë, apo do ta acaronim edhe më tej gjendjen. Ai më tha që do ta përkeqësojmë dhe në ato momente, shoqëruesi i tij, më qëlloi direkt me thikë në pjesën e faqes. Gjaku nisi që të më rridhte pa pushim dhe me vrull. Në ato momente rashë direkt në tokë. Agresori nuk u mjaftua me aq, por sërish më goditi në trup. Thika më ka prekur mushkërinë. Pastaj ata ikën dhe unë e kam humbur vetëdijen.


Kush iu çoi në spital?


Ndihma ka qenë e shpejtë sepse aty afër qëlloi një miku im që më ka hipur në makinën e tij dhe më ka çuar pa humbur kohë, në kirurgji. Gjatë rrugës i kam humbur ndjenjat. Prej plagëve të marra, humba edhe shumë gjak. Kur u përmenda në spital, mbaj mend që mjekët më kanë thënë që nuk isha për aty dhe se duhej të dërgohesha në Spitalin Ushtarak të Tiranës. Këtu kam marrë mjekim të specializuar, pavarësisht se plagët i kam të thella.


Çfarë kërkoni?


E vetmja gjë që kërkoj, është që të shërohem. Jam në vitin e fundit të ciklit 9-vjeçar dhe pas pak më fillon sezoni i provimeve. Nuk e di se si do të shkojë çështja e provimeve. Ajo që dua më shumë, është që ta harroj këtë histori.