Debati


Tryezë e aktorëve vendas dhe ndërkombëtarë


liria e mediadZyra e Komisionit Europian në Shqipëri në bashkëpunim me qeverinë organizuan dje një seminar për lirinë e medias në Shqipëri ku përveç përfaqësuesve të qeverisë mbajtën fjalë dhe gazetarë të njohur në vend. Me një pjesëmarrje të gjerë ku numëroheshin 180 profesionistë të medias shqiptare, palët diskutuan mbi një numër çështjesh, duke përshirë ato që nënvizohen në Raportin e Progresit të Komisionit Europian, si shpifja, transparenca dhe hapja e tregut, pavarësia e transmetuesit publik, kushtet e punësimit të gazetarëve dhe etika e medias. Ambasadori i BE-së, në Tiranë deklaroi se liria e medias kishte një rëndësi kryesore për integrimin në Shqipëri, duke vendosur barazi mes saj dhe mbajtjes së zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. “Liria e medias ka shumë rëndësi për integrimin e vendit, po ashtu siç ka rëndësi zhvillimi i zgjedhjeve të lira apo e drejta e pronësisë. Na duhen media të lira, jo vetëm liri në të shprehur. Liria e medias është e rëndësishme për standardet e Shqipërisë dhe kjo thuhet në raport. Është në dorën tuaj të veproni konkretisht me dekriminalizimin e shpifjes. Është në duart tuaja testimi i angazhimit për financimin e reklamës shtetërore. Media duhet të jetë e lirë dhe ju duhet të jenë agjentët e saj”, deklaroi Sequi. Nga ana tjetër, ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu, theksoi progresin e bërë nga Shqipëria në forcimin e lirisë së medias kohët e fundit nëpërmjet ndryshimeve të bëra kuadrit ligjor lidhur me shpifjen dhe moratoriumit për procedimet kundër gazetarëve, dhe ajo shprehu angazhimin e qeverisë shqiptare për të ndërmarrë veprime të mëtejshme për të arritur standardet më të larta europiane për lirinë e medias. Ministri i Inovacionit, Genc Pollo, foli për nismat e qeverisë për të rregulluar çështjen e reklamës shtetërore, duke theksuar se qeveria mbetet e parimit se ajo nuk duhet shpërndarë për të influencuar linjën editoriale. Ai foli dhe për dy nisma të reja të qeverisë që kishin si synim rritjen e transparencës në raportin qeveri-media. Kryetarja e Komisionit Parlamentar të Mediave, Valentina Leskaj, u tregua shumë e ashpër në fjalën e saj me KKRT-në, një institucion rregullator ky në këtë fushë. “Ligji ekzistues e përcakton qartë pavarësinë e autoritetit rregullator, në rastin e KKRT-së, por unë nuk mund të them që KKRT-ja ka plotësuar standardet, përkundrazi është një ent që funksionon larg standardeve të një enti të pavarur; përcakton qartë mënyrën e përzgjedhjes së anëtarëve, të cilët duhet të vijnë nga shoqëria civile, por në fakt, sot KKRT-ja është me militantë”, deklaroi ajo.