Qëndrimet 


Rritja e pagave, PD-PS replika për ekonominë


Mazhoranca dhe opozita replikuan dje për vendimin e fundit të qeverisë për të rritur pagat, si dhe treguesit e situatës ekonomike në vend. Në një deklaratë për mediat, zëdhënësja e Kryeministrit Berisha, Erla Mëhilli, deklaroi se rritja e radhës e rrogave është rezultat direkt i performancës ekonomike të vendit dhe është bërë tërësisht bazuar në të ardhurat e mbledhura nga taksat dhe tatimet. “Theksoj, se si rrjedhojë e kësaj performance ekonomike, që nga viti 2006 deri më sot qeveria nuk ka marrë asnjë qindarkë borxh për rritjen e rrogave dhe pensioneve”, deklaroi dje Mëhilli, duke përsëritur të gjitha kategoritë që kishin përfituar nga vendimi i 16 gushtit. Sipas Mëhillit, me këtë rritje Shqipëria bëhet vendi me rritjen më të shpejtë të rrogave dhe pensioneve në Europë. Nga ana tjetër përfaqësuesi i Partisë Socialiste, Ilir Beqja, theksoi se pagat e administratës shqiptare rriten vetëm në letër. “Nga sot duhet të pranojmë të dëgjojmë edhe lajme se kur firmos Saliu vendimet e qeverisë. A thua se nuk paguhet për këtë gjë Kryeministri.


Pagat që Saliu mburret se ka firmosur sot, në fakt duhet të ishin paguar që para tri javësh. Qeveria u përpoq të mburret sot duke na treguar se sa janë rritur pagat në letër. Por familjet shqiptare nuk jetojnë me paratë e rrogës në letër. Jetojnë me paratë që marrin në dorë dhe më konkretisht me çfarë blejnë me paratë që marrin në dorë”, theksoi sekretari i PS-së, për programin, Ilir Beqja. Sipas tij, nuk kishte rëndësi sesa rriteshin pagat në letër, por rëndësi kishte fakti që sot arsimtarët, mjekët, infermierët dhe punonjësit e policisë blejnë më pak se sa kanë blerë në 2005-n.