Ish-presidenti – Dy titullarët e institucionit thanë se ka pasur keqinterpretime për punën e SHISH-it
Përfaqësuesit e Shërbimit Informativ Shtetëror, Kodra dhe Spahiu, në fjalën e tyre e cilësuan të domosdoshëm miratimin e një ligji për mbikëqyrjen parlamentare. “Projektligji është diskutuar nga ana jonë dhe ne jemi plotësisht dakord për miratimin e tij. Se si ka ecur procesi e dinë parlamentarët, por ne në qershor jemi shprehur pro votimit. Duhet të ketë një ligj të qartë dhe të saktë mbi një mbikëqyrje të tillë”, tha Spahiu i SHISH-it. Ndërsa inspektori i përgjithshëm, Saimir Kodra, ngriti shqetësimin se shumë probleme kanë ardhur se ky institucion është kontrolluar nga njerëz të paspecializuar dhe se miratimi i një drafti të tillë do t’i eliminojë ata. Në këtë takim ishte i pranishëm edhe këshilltari i Presidentit Nishani, gjeneralbrigade Jeronim Bazo. Ai vlerësoi tryezën, duke e vënë theksin te sensibilizimi i njerëzve, si dhe te një lloj paranoje që ekziston ndaj shërbimeve sekrete, nisur nga fakti që është trashëguar gjatë regjimit komunist. IDM-ja zhvilloi edhe një trajnim me gazetarët për çështjen e përdorimit të fondeve publike nga ana e shërbimeve sekrete.
Gjoni – Deputeti i PS-së u shpreh se mazhoranca po bllokon edhe nismat ligjore, me qëllim fshehjen e sekreteve të pista të agjencive
PS-ja bëri të ditur se do ta ngrejë në Kuvend sërish çështjen e përgjimeve
Opozita akuzoi mazhorancën se pengon miratimin e ligjit “Për kontrollin e shërbimeve inteligjente” për të ruajtur “sekretet e pista” të korrupsionit dhe abuzimit me detyrën. Deputeti i PS-së, Ilir Gjoni, tha se “mazhoranca qëllimisht prej 2 vitesh nuk kalon ligjin që do t’i hapë rrugën kontrollit ligjor të aktivitetit të agjencive të inteligjencës. Ne jemi kundër mbajtjes sekret të atyre që quhen ‘sekretet e pista’, fenomen ky i cili shpesh mbulohet nën petkun e sigurisë shtetërore. Institucione të tjera që kryejnë funksione inteligjente janë pothuajse jashtë kontrollit parlamentar”, deklaroi deputeti i PS-së, Gjoni. Një tjetër çështje është bllokimi i nënkomisionit parlamentar të SHISH-it. “Na u bllokua mbikëqyrja parlamentare, edhe pse u ra dakord në unanimitet mes mazhorancës dhe opozitës për një gjë të tillë. Kuvendi shihet si një apendiks i qeverisë. Na u bllokua së fundmi nisma për ngritjen e komisionit hetimor ndaj Ministrisë së Mbrojtjes. Ne paraqitëm atë çfarë kërkoi Kryeministri dhe ministri i Mbrojtjes, por na u refuzua”, tha Gjoni.
Moisiu – Ish-presidenti tha se mandati i Ina Ramës nuk mbaron në nëntor, pasi llogaritet data e hyrjes në fuqi të ndryshimeve kushtetuese
Moisiu thekson se politika shqiptare duhet të ndërrojë mënyrën e të bërit politikë
Ish-presidenti Alfred Moisiu, në një intervistë televizive, u shpreh se “politikanët shqiptarë duhet të ndërrojnë mënyrën e të bërit politikë. Politika nuk mund të ushtrohet mbi interesa as personale, as partiake dhe as klanore, ajo në radhë të parë duhet t’u nënshtrohet interesave të kombit, të popullit. Ne kemi qenë nga të parët që kemi aplikuar për t’u integruar si në NATO dhe në BE dhe akoma nuk po arrijmë dot. Unë them se këtu ka përgjegjësi e gjithë politika”. Lidhur me debatin për mandatin e prokurorit të përgjithshëm, Moisiu deklaroi për “AS TV”, se mandati i saj përfundon në kohën që hyjnë në fuqi ndryshimet kushtetuese. “Nga ana kushtetuese koha e zgjedhjes së prokurorit të ri, është jo siç po thuhet në muajin nëntor, po data kur ndryshimet kushtetuese kanë hyrë në fuqi”, shprehet Moisiu. Sfida e politikës shqiptare, sipas ish-presidentit, do të jetë në përzgjedhja e një kandidati dinjitoz për këtë post dhe heqja dorë nga uzurpimi i institucioneve. Sipas Moisiut, për këtë çështje nuk është e nevojshme që palët t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese.
Meidani – Ish-presidenti e cilësoi si tepër të rëndësishëm miratimin e draftit, i cili mbahet që nga 2010-a në sirtarët e Kuvendit
Për ish-kreun e shtetit, i rëndësishëm është edhe ngritja e nënkomisionit të SHISH-it
Ish-presidenti Rexhep Meidani, duke vlerësuar punën e bërë nga IDM-ja në lidhje me çështjet e sigurisë, i mëshoi fort idesë së miratimit të një ligji për mbikëqyrjen parlamentare të agjencive që operojnë në fushën e shërbimeve sekrete. “Nënkomisioni parlamentar i SHISH-it është i rëndësishëm. Ai është vendosur që në vitin 2005, prandaj duhet të ushtrohet presioni i duhur në Parlament që nënkomisioni të ngrihet”, tha ish-presidenti. Për sa i përket draftit të bllokuar, Meidani e cilësoi si shumë të rëndësishëm një gjë të tillë. “Ai ligj është tepër i domosdoshëm. Legjislacioni shqiptar ka nevojë për një ligj të tillë. Është bërë një punë e mirë nga OSBE-ja dhe specialistët e aftë për një draft të tillë”, theksoi ish-presidenti. Në këtë panel foli edhe përfaqësuesi i KLSH-së, Erjon Bregasi. Ai bëri të ditur se Kontrolli i Lartë i Shtetit ka nisur kontrollin pranë Ministrisë së Mbrojtjes, nisur nga debatet në lidhje me blerjet e armëve apo për pajisjet e përgjimeve nga ana e Shërbimit Informativ Ushtarak.
NATO
Rasmussen – Shefi i NATO-s i ka kthyer përgjigje letrës së dy deputetëve Lutaj dhe Prenga, në të cilën cilësohej e rëndësishme kontrolli kuvendor për sigurinë