Në kuadër të operacionit “Vjosa”, Policia ka sekuestruar një sasi prej 1 ton e 463 kg kanabis si dhe 16 armë zjarri.


Sipas policisë, në afërsi të fshatit Leshnje, Bashkia Memaliaj, në një zonë mes shkurresh e pemësh, në afërsi të shtratit të lumit Vjosa janë konstatuar të fshehur dhe të mbyllur me ccelës dy furgonë të bardhë të markës ‘Mercedes Benz’ me targa të falsifikuara.


Gjatë kontrollit grupi hetimor konstatoi se në brendësi të furgonëve kishte pako me lëndë narkotike dhe armë zjarri dhe konkretisht: 16 armë zjarri (1 snajper, 12 kallashnikovë, 2 pushkë dhe 1 armë gjahu); 1 ton e 463 kilogramë lëndë narkotike Cannabis Sativa (prodhuar më herët, një pjesë e ngurtësuar drejt dekompozimit)


Si rezultat i presionit të kontrollit të ushtruar javët e fundit në atë territor nga shërbimet e Policisë për evidentimin e personave që mund të mbajnë armë e lëndë narkotike me qëllim trafikimin e saj, personat që dispononin lëndën narkotike dhe armët e zjarrit i kanë fshehur në pyll me qëllim shmangies së kontrollit.


4 gusht 2018 (gazeta-Shqip.com)