Lobimet – Grupi “Podesta”, vetëm gjatë vitit 2011, nga lobimet e bëra për qeveri të ndryshme, ka përfituar shumën prej 4.769.716 USD
Shqipëria – Prej vitesh, qeveria e djathtë ka kontraktuar “Podesta”-n dhe “Patton Boggs”, për t’i bërë avokatinë në Senatin Amerikan dhe në DASH
Berisha – Takimet e Kryeministrit Berisha në SHBA janë lobuar nga 2 kompanitë amerikane, në këmbim të shumave të majme për shërbimin e kryer
Faktet e 8 majit
“Podesta” shpërndan materialin konfidencial të Ministrisë së Jashtme për votat e “gabuara”
Vazhdojnë të dalin në dritë të reja nga lobimi gjigant i zgjedhjeve të 8 majit, ku siç mësohet, e gjithë energjia e kompanive lobuese amerikane, të kontraktuara nga qeveria shqiptare dhe të paguara me taksat e shqiptarëve, është harxhuar për të bindur opinionin ndërkombëtar mbi vendimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për hapjen e kutive, për të rinumëruar votat e hedhura gabim. Pas botimit të serisë së dokumenteve nga “Shqip”, sot po sjellim një letër të Ministrisë së Jashtme shqiptare, e cila ka sqaruar për qarqet diplomatike, vendimin e hapjes së kutive për Bashkinë e Tiranës. Një vendim, që në fakt, nuk i takon diplomacisë, por institucioneve të linjës si KQZ apo Kolegji Zgjedhor. Ky dokument është shpërndarë gjithashtu nga “Podesta Group”. Në një material të shpërndarë për qarqet diplomatike, ekspertët e Podesta”-s theksojnë se “në lidhje me vendimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për numërimin e votave të hedhura gabimisht në kuti, ne po ju dërgojmë këtë Memo konfidenciale për procedurat e KQZ-së, kur ky institucion vepron si KZAZ e Tiranës. Shpresojmë që ky dokument do të jetë ndihmës dhe ne duam që kjo memo konfidenciale të sqarojë të gjitha pyetjet që ne kemi marrë nga ju, në lidhje me procesin e votimit në Shqipëri”. Më pas, publikohet memoja konfidenciale e Ministrisë së Jashtme, e cila duket se është përgatitur nga ekspertë ligjorë të mazhorancës, pasi merret me shpjegimin e hollësishëm të vendimit të KQZ-së për numërimin e votave “të gabuara”. Në këtë dokument tentohet të shpjegohet fakti se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve vepron si një KZAZ në Tiranë, pasi kryeqyteti nuk kishte një KZAZ të madhe, por 11 KZAZ sipas numrit të zonave zgjedhore, të cilat vepronin sipas minibashkive. Në memon konfidenciale të Ministrisë së Jashtme, e cila është shpërndarë në ditët e nxehta të majit 2011, pasi PD nuk pranoi rezultatin final, ku Edi Rama ishte me 10 vota në avantazh ndaj Lulzim Bashës në garën për kreun e bashkisë së kryeqytetit theksohet se “tabela e rezultateve gjithmonë miratohet 4 me 3 nga KZAZ. Ndërkohë KQZ duhet ta miratojë 5 me 2 tabelën e rezultateve sipas procedurave. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, kur vepron si KSAZ, nuk ka përjashtim nga rregulli, pra do ta miratojë tabelën vetëm me 4 vota”. Në këtë dokument tentohet të sqarohet opinioni ndërkombëtar pikërisht për paqartësitë që u shpërndanë nga opinioni ndërkombëtar në lidhje me vendimin partiak të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, i cili miratoi vendimet për kryeqytetin, vetëm me votat e mazhorancës. Ministria e Jashtme, thërret më tej në memon e saj konfidenciale disa precedentë, që sipas saj i japin legjitimitet vendimit të KQZ-së. Sipas MPJ-së, në zgjedhjet parlamentare të vitit 2001, KQZ-ja mori kompetencat e komisioneve të niveleve të dyta dhe të treta. Ndërkaq, më tej, theksohet se në zgjedhjet lokale të vitit 2003, ngaqë dy komisione zonale nuk arritën dot të miratonin tabelën finale, ajo u bë në KQZ. Por nuk thuhet sesi ka qenë numri i votave. Ministria e Jashtme thekson se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, duke marrë kompetencat e KZAZ-së, ka për detyrë të bëjë procesin e tabulimit dhe miratimit të të dhënave. Sipas MPJ-së, “KQZ ka pushtet të plotë që si KZAZ të miratojë udhëzime për nisjen e numërimit, edhe pse ky proces ka përfunduar. KQZ dhe KZAZ i Tiranës kanë të njëjtin kapacitet për të vendosur standardin për procesin postzgjedhor. Një standard i vendosur nga KQZ mund të kundërshtohet vetëm nga Gjykata e Apelit (Kolegji Zgjedhor)”. Dhe pikërisht Ministria e Jashtme futet në temën e nxehtë apo në “nyjën gordiane” të zgjedhjeve lokale të 8 majit 2011, ku u përmbysën rezultatet e numërimit nga të 11 minibashkitë, proces që përfundoi më 14 maj në shkollën 9-vjeçare “Vasil Shanto” në Tiranë. Sipas këtij rezultati, Edi Rama drejtonte garën me 10 vota diferencë ndaj Bashës. Por pikërisht pas deklaratës së Berishës dhe Bashës për të hapur kutitë ku ishin hedhur të ashtuquajturat “vota të gabuara” është shpërndarë dhe memoja konfidenciale e Ministrisë së Punëve të Jashtme. “KQZ ka mbledhur informacione nga 11 KZAZ-të e Tiranës, përkatësisht nga komisionerët e Partisë Demokratike, që kanë ngritur çështjen e votave të hedhura gabim. Ngaqë në kutitë e votimit të kryetarit nuk është e mundur gjetja e këtyre fletëve, atëherë KQZ do të ngrejë një hetim për të arritur gjetjen e fakteve mbi fletët e votimit të hedhura në kutinë e gabuara”. Por ajo që është interesante, është fakti që Ministria e Jashtme i paraprin qëndrimit të ndërkombëtarëve, kur thekson se “është e vërtetë se ligji nuk furnizon rregulla të qarta për të zgjidhur problemin e votave të hedhura gabim. Kodi Elektoral liston vetëm 8 kritere ku votat bëhen të pavlefshme nëse ato gjenden në kutitë e tjera të votimit”.
MPJ thekson se “është e vërtetë se ligji nuk furnizon rregulla të qarta për të zgjidhur problemin e votave të hedhura gabim”
Berisha – Kryeministri Sali Berisha, që në ditën e parë, u shpreh se nga të dhënat që ai dispononte, rezultonte se votat pro kandidatit të së djathtës janë hedhur në kutinë e gabuar. “Disponojnë fakte të pakontestueshme se votat e hedhura për Bashën janë disa herë më tepër se 10 votat e Ramës”.
Pollo – Ministri i Teknologjisë dhe Inovacionit, Genc Pollo, është personi që mbajti kontaktin kryesor me një nga kompanitë lobuese amerikane. “Njeriu hije” i Berishës është zyrtari i lartë i ekzekutivit që mban lidhjet e ndërkombëtarëve, e këtë ai e realizon me sa duket më së miri më mirë ndihmën e “Patton Boggs”, kompanisë lobuese amerikane
Lobistët – Qeveria dhe Partia Demokratike kanë pasur si lobiste kompaninë “Podesta” dhe “Patton Boggs” gjatë zgjedhjeve lokale të 8 majit. Kontrata të mbajtura të fshehta, pasi në KQZ nuk ka pasur një depozitim të tyre nga ana e PD-së se “Podesta” ose dhe “Patton Boggs” kanë qenë konsulente zyrtare në zgjedhjet e 8 majit.
“Florida” – Gazeta “Shqip” ka zbuluar disa dokumente, në të cilat punonjës të kompanisë “Podesta” i dërgojnë qendrës në SHBA informacione mbi ecurinë e zgjedhjeve lokale të 8 majit, duke bërë të qartë se në Shqipëri po ndodh ajo që ndodhi në Florida në vitin 2000. E gjithë makina shtetërore është vënë në shërbim të kompanive lobuese, jo vetëm “Podesta”-s, por edhe “Patton Boggs”.
Anderson – John Anderson, më 18 maj të vitit 2011, në orën 07.55, i dërgon Mike Burns-it një letër elektronike (e-mail). Që të dy janë punonjës të kompanisë lobuese, “Podesta Group”. E-mail-i i 18 majit të vitit 2011 ka si subjekt “Zgjedhjet në Shqipëri”. “Kam vetëm një apel për ju, durimin për numërimin e votave në Tiranë.
23 maji – Gazeta “Shqip” disponon dhe një letër të dytë, të datës 23 maj 2011. E-mail-i shoqërohet dhe me një relacion të posaçëm, sekret të Ministrisë së Jashtme dërguar komunitetit ndërkombëtar, ku sqarohet procesi i 8 majit dhe posaçërisht përplasja e madhe për Bashkinë e Tiranës
Vëzhguesit
Raporti i misionit të ODIHR-it për votat e kryebashkiakut
“Në përfundim të numërimit në VNV për kryetar bashkie të Tiranës, rezultatet paraprake që KQZ-ja i dha MVZ-së së OSBE/ODIHR-it e nxirrnin z. Rama (PS) me 10 vota më shumë se z. Basha (PD) (124,623 dhe 124,613 vota secili). Z. Rama deklaroi menjëherë fitoren, ndërsa z. Basha u shpreh se do të priste për rezultatin zyrtar nga KQZ-ja. Ndërsa vazhdonte numërimi i kutive të votimit për minibashkitë e Tiranës, zyrtarë të PD-së kërkuan që votat për garën për kryetar bashkie të Tiranës të hedhura në kutitë e gabuara të numëroheshin si të vlefshme, me argumentimin se vullneti i votuesve ishte i qartë dhe se neni 117.3 i Kodit Zgjedhor, që rendit arsyet e shpalljes së pavlefshme të votave, nuk shprehet se fletët e votimit të hedhura në kutitë e gabuara duhet të konsiderohen si të pavlefshme. PS-ja kundërshtoi fuqishëm, duke u shprehur se fletët e gjetura në kutitë e gabuara ishin konsideruar gjithmonë të pavlefshme deri në atë moment, si në zgjedhjet vendore 2011 ashtu edhe në zgjedhjet e mëparshme. PS-ja i kërkoi KQZ-së që të nxirrte tabelat e rezultateve për garën për kryetar bashkie siç i kishin përcaktuar 11 VNV-të në tabelat e tyre përmbledhëse të rezultateve, në përputhje me nenin 122 dhe 123 të Kodit Zgjedhor. Kodi Zgjedhor nuk e rregullon në mënyrë të drejtpërdrejtë vlefshmërinë e fletëve të gjetura në një kuti votimi të ndryshme nga ajo që i korrespondon llojit të zgjedhjeve për atë fletë votimi. Ai as nuk parashikon ndonjë procedurë për trajtimin e fletëve të gjetura në kutitë e tjera. Përpara ditës së zgjedhjeve nuk pati asnjë vendim apo udhëzim të KQZ-së lidhur me këtë çështje, ndonëse fletët e hedhura gabim kanë qenë problem edhe në zgjedhjet vendore të mëparshme, ashtu si edhe asnjë përfaqësues i ndonjë partie politike nuk e ngriti këtë çështje në seancat e KQZ-së. Manuali i numërimit i miratuar nga KQZ-ja nuk e trajtonte çështjen e fletëve të hedhura gabim. Anëtarët e grupeve të numërimit duket se ishin trajnuar që t’i konsideronin fletë të tilla si të pavlefshme, dhe mesa duket, në të gjithë vendin, grupet e numërimit i kishin konsideruar të pavlefshme votat e hedhura gabim, përfshirë edhe në Tiranë deri në përfundim të numërimit për garën për kryetar bashkie më 14 maj. Deri më 16 maj, KQZ-ja i mori të 11 tabelat përmbledhëse të rezultateve, ndonëse rezultati për KZAZ-në 49 nuk ishte miratuar prej shumicës së anëtarëve (në këtë rast, shumicën e përbënin partitë në qeveri). Më 17 maj, kryetari i KQZ-së propozoi një projektvendim, sipas të cilit fletët e hedhura në kutitë e gabuara në Tiranë do të konsideroheshin të vlefshme dhe do të numëroheshin prej vetë KQZ-së. Ky numërim do të bëhej vetëm për fletët e gjetura në kutitë e gabuara, që ishin kontestuar në nivel VNV-je. Anëtarët e opozitës e kundërshtuan propozimin, duke u shprehur se KQZ-ja nuk kishte asnjë të drejtë të numëronte votat dhe mund të hapte kutitë vetëm pas një ankimimi të vendimit mbi rezultatet zyrtare”.