Superoperacioni


Policia shpëton të miturit në Vlorë. Trafikantët detyronin nënën e tyre të prostituonte


Italiania, nëna e dy fëmijëve, 5 dhe 7 vjeç, dyshohej se shfrytëzohej prej disa muajsh në vendin tonë


Dy fëmijë të vegjël italianë, të moshës 5 dhe 7 vjeç, janë mbajtur peng në Shqipëri për disa muaj nga trafikantët e femrave, me qëllim që nëna italiane të prostituonte për llogari të tyre. Fakti bëhet i ditur nga burime të besueshme pranë Prokurorisë për Krime të Rënda, e cila ka drejtuar një superoperacion mes policisë shqiptare dhe asaj italiane, duke kryer dhjetëra kontrolle dhe duke shoqëruar disa persona deri në orët e para të mëngjesit, duke realizuar shpëtimin e dy fëmijëve, nënës së tyre dhe arrestimin e personave të përfshirë në këtë ngjarje të rëndë kriminale. Megjithatë, grupi i punës është treguar tejet i rezervuar për të dhënë detaje mbi operacionin, pasi edhe rrezikshmëria e personave të përfshirë në shfrytëzimin e italianes dhe mbajtjen peng të fëmijëve të saj, konsiderohet tejet e lartë.


 


Denoncimi i italianëve


Gjithçka mësohet se ka nisur dy muaj më parë, kur autoritetet italiane kanë kërkuar ndihmën e palës shqiptare, pasi kishte dyshime se prej disa kohësh, një shtetase e vendit fqinj shfrytëzohej për prostitucion në vendin tonë, por edhe në Itali. Në këto kushte, pala italiane ka shpjeguar për autoritetet tona se për kërcënime ndaj italianes mbaheshin peng dy fëmijët e mitur. Menjëherë, strukturat e policisë shqiptare dhe ato të Prokurorisë për Krimet e Rënda kanë nisur hetimet për gjetjen e shtetases italiane dhe identifikimin e pengmarrësve të fëmijëve të saj. Pas një pune dymujore, strukturat e policisë dhe të prokurorisë mendohet se kanë arritur të identifikojnë trafikantët në qytetin e Vlorës, megjithëse ka qenë tejet e vështirë ndërhyrja për shkak të fëmijëve të mbajtur peng. Pas identifikimit të të gjithë personave të dyshuar në këtë aktivitet të rëndë kriminal, është vënë re se ata ishin me precedentë të theksuar kriminalë dhe me rrezikshmëri të lartë. Grupi hetimor tha se gjatë gjithë kohës nuk dihej se ku janë mbajtur peng fëmijët e italianes, pasi dyshohet se ata i kanë fshehur edhe në Itali, ndërkohë që nuk janë dhënë detaje nëse ajo kishe njohje të mëparshme, apo lidhje intime me ndonjë prej personave të dyshuar.


 


Operacioni me forca speciale


Duke vlerësuar të gjitha informacionet mbi këtë rast të rëndë, prokuroria ka vendosur goditjen e trafikantëve, të cilët, kohët e fundit fshiheshin në qytetin e Vlorës, ku mbanin edhe dy fëmijët italianë. Kështu, dje është përgatitur plani operacional, i cili ka nisur në orët e pasdites dhe ka zgjatur deri në të gdhirë. Forca të shumta policie, të armatosura dhe të maskuara kanë “pushtuar” Vlorën, duke kontrolluar mbi dhjetë banesa si në qytetin bregdetar, ashtu edhe në rrethinat e tij. Prania e forcave policore është vënë re nga të gjithë banorët, ndërkohë që vetë policia është treguar e rezervuar në dhënie informacioni mbi këtë operacion. Burimet nga prokuroria shpjegojnë se operacioni është shtrirë njëkohësisht në disa zona, duke shoqëruar edhe personat e dyshuar. Ndërsa për dy fëmijët e mbajtur peng, burime të rezervuara pranë prokurorisë thanë se janë liruar pa dëmtime, megjithëse nuk janë dhënë detaje se ku janë gjetur dhe nëse janë arrestuar persona bashkë me ta. Megjithatë, në orët e vona të natës, policia tha se janë identifikuar të gjithë personat e përfshirë në këtë ngjarje të rëndë, ku disa prej tyre janë shoqëruar, ndërkohë që vazhdonte puna për kapjen e personave të tjerë dhe sot pritet të jepen detaje të tjera mbi këtë operacion.