E vërteta e zbuluar nga një analizë gjaku. 22-vjeçares i ishte transmetuar infeksioni nga barku i nënës


Shpresa Mezini


scotti_2470Ajo është 22 vjeçe. E birësuar ligjërisht nga tezja e saj, rreth 16 vjet më parë, kur ishte 6 vjeçe, si pasojë e humbjes së prindërve në një aksident tragjik. Sikur të mos mjaftonte ndarja nga jeta e prindërve të saj, në një moshë kur ajo kuptonte gjithçka, 12 vjet më pas mësoi një tjetër lajm të tmerrshëm.


Ajo është e infektuar me SIDA, sëmundje që pas një sërë ekzaminimesh në Shqipëri, u konfirmua në një spital në Gjermani se i ishte transmetuar që në barkun e nënës, gjatë shtatzënisë së saj. U bë sebep raporti mjekësor, kusht i domosdoshëm për t’u regjistruar në një prej autoshkollave në kryeqytet, që vajza të mësonte se ishte e infektuar me këtë sëmundje. Dhurata që e ëma e saj, ndonëse jo biologjike (tezja), dëshironte t’i bënte për shkak të rezultateve të larta të arritura në maturë, u bë shkak i zbulimit të një vërtete të dhimbshme që tronditi jetën e saj dhe të familjes. Që nga ai moment, ajo do të jetonte me SIDA-n, pa asnjë shpresë për shërim, ndonëse me këtë sëmundje kishte lindur. Rëndesa psikologjike, interesimi për kurat që duhet të ndiqte rregullisht, trauma ishin shumë të mëdha si për vajzën dhe për prindërit. E megjithatë, pas një viti të mundimshëm ajo ia doli. Sot ndjek studimet në vitin e tretë në degën Mjekësi e Përgjithshme dhe ka një shoqëri për t’u admiruar, por i mungojnë shumë gjëra të tjera.


“Jam e dashuruar prej shumë kohësh me një shokun tim. Ai gjithashtu më ka shprehur simpatinë e tij ndaj meje. Por unë kurrë në asnjë moment nuk i kam treguar se ç’ndiej për të. I them që nuk e shoh me atë sy. E çfarë mund t’i them tjetër? T’i them që e dua, por që jam me SIDA. Jo, kurrë. Dhe për sa kohë kam vendosur të mos e ndaj këtë të vërtetë me askënd, më mirë të mos lëndoj askënd. Për më tepër që jam e sigurt se kushdo që do e mësonte këtë lajm, nuk do të më pranonte, do të më largohej”, thotë 22-vjeçarja, identiteti i së cilës nuk bëhet publik, për shkak të ruajtjes së anonimatit.


 


 


Kur e mësuat se jeni infektuar me këtë sëmundje?


Në moshën 6-vjeçare mbeta jetime, pasi prindërit e mi humbën jetën në një aksident tragjik, duke u kthyer nga një dasmë në Sarandë drejt Tiranës, ku edhe banonin. Që atëherë dhe aktualisht unë jam birësuar nga tezja ime, e cila ka dy fëmijë biologjikë, edhe mua që më konsideron si vajzën e saj. Kam jetuar shëndetshëm, siç jetoj ende, pavarësisht se marr disa ilaçe antiretrovirale, me qëllim forcimin e sistemit të imunitetit


dhe ngadalësimin e përhapjes së infeksionit. Gjithçka nisi në moshën 18-vjeçare, pikërisht atëherë unë mësova që jam e infektuar me SIDA. As që e kisha menduar ndonjëherë se mund të isha e sëmurë, për më tepër e prekur nga ky lloj infeksioni në gjak. Kur mbusha 18 vjeçe, duke qenë se ishte fundi i maturës, tezja më kishte premtuar se do të më regjistronte në kursin e patentës nëse do ta përmbyllja këtë cikël me rezultate të larta. Kështu ndodhi, unë mësova shumë, dola me nota të mira dhe vendosëm të regjistrohesha në një autoshkollë pranë shtëpisë. Një nga kushtet ishte paraqitja e raportit mjekësor, pra kryerja e të gjitha analizave për të ditur gjendjen time shëndetësore. Gëzimi ishte aq i madh saqë nuk pranova të kalonte as edhe një ditë, por shkova në qendrën shëndetësore dhe iu nënshtrova të gjitha analizave. Kur mora analizat, isha bashkë me tezen, mirëpo unë nuk po kuptoja pothuajse asgjë nga ato që shkruheshin në letra.


Doktoresha thërriti tezen në një dhomë, ndërsa mua më tha të pres jashtë. Po kuptoja që diçka nuk shkonte, por kurrsesi mendja nuk më shkonte se mund të kisha SIDA. U larguam nga qendra shëndetësore për t’u kthyer në shtëpi. Gjithë rrugën e pyeta tezen çfarë po ndodhte. E kuptoja që po më fshihte diçka. Mirëpo ajo heshte, i kishte ikur ngjyra e fytyrës, ishte e tronditur saqë kalonte përpara makinave pa i parë fare. Kur mbërritëm në shtëpi, pasi kaluan disa orë dhe pasi ajo kishte biseduar me bashkëshortin e saj, më thanë se do të më tregonin diçka, por që unë nuk duhet të mërzitesha, sepse do ta kalonim bashkë. Më në fund ata vendosën të më thoshin të vërtetën, ndërsa unë nuk e fshihja dot shqetësimin në fytyrën time. Të dy bashkë të përlotur, me zërin e ngjirur që u dridhej, ndërsa ecnin përgjatë dhomës gjatë gjithë kohës, nuk i mbante vendi, më treguan se unë isha e infektuar me SIDA. Gati sa nuk më ra të fikët. Në shkollë kisha mësuar për këtë sëmundje, por e kisha shpërfillur, nuk doja të dija shumë rreth saj, duke ditur që është vdekjeprurëse. O Zot! Qamë të tre me ngashërim. Askush nuk fliste përveç meje që pyesja si e çmendur nëse do të vdisja ose jo. Analizat e gjakut tregonin se në gjakun tim diçka nuk shkonte, por testi i SIDA-s ishte ai që na konfirmoi përfundimisht sëmundjen nga e cila unë vuaj.


 


Keni dijeni për origjinën e sëmundjes?


Kur mësuam se unë isha e infektuar me SIDA, në shtëpinë tonë sikur kishte rënë murtaja. Prindërit e mi, të tillë janë për mua, pavarësisht se jo biologjikë, çfarë nuk bënë, nuk lanë gur pa lëvizur. Biseda me mjekë, me psikologë për të më qetësuar mua psikologjikisht, sepse trauma që po përjetoja ishte jashtëzakonisht e madhe. Isha vetëm 18 vjeçe, me shumë ëndrra të thurura në vite, që po shuheshin si drita e qiririt dita-ditës. Nuk doja të bisedoja me askënd. Doja vetëm të rrija vetëm. U bëra agresive, situatë që zgjati plot tre muaj rresht. Pas shumë e shumë analizave që kryeja vazhdimisht për të mësuar origjinën e infektimit me SIDA, mjekët shqiptarë nuk arritën asnjëherë të gjenin nga se ka ardhur. Dyshohej se mund të ishte sëmundje e transmetuar si pasojë e kryerjes së marrëdhënieve seksuale të pambrojtura, por ky pretendim ra poshtë, duke qenë se unë isha e virgjër. Nuk isha e droguar që të mendohej se kisha përdorur gjilpëra të përbashkëta injeksioni. Kishin mbetur dy pista: kontakti i drejtpërdrejtë me gjakun e infektuar ose transmetimi i sëmundjes gjatë shtatzënisë, nga nëna te fëmija ose nëpërmjet ushqimit me qumësht gjiri. Gati sa nuk po çmendeshim. Nga njëra anë doja ta dija vërtet se nga se kishte ardhur, nga ana tjetër mendoja se ç’rëndësi do të kishte kjo, çfarë do të ndryshonte nëse e mësoja ose jo origjinën. Tezja këmbënguli që unë të vizitohesha në Gjermani, duke qenë se atje kishim disa familjarë tanët, të cilët natyrisht nuk do ta mësonin këtë të vërtetë, por që do të na lehtësonin punë duke ditur rrugët, spitalet. Pasi ndenjëm dy javë, mësuam që shkaku i infektimit tim me SIDA ishte ime më. Unë e kisha marrë sëmundjen gjatë shtatzënisë së saj. Ky ishte me siguri lajmi më i tmerrshëm, edhe më i hidhur se kur mësova që isha me SIDA. Nuk po e besoja dot.


 


 


Si e kujtoni atë ditë?


Nuk po u besoja syve, veshëve, isha totalisht e përhumbur në këtë të vërtetë që një ditë do të më marrë jetën. U pendova që tezja këmbënguli që të kërkonim medoemos origjinën e sëmundjes. Më mirë të mos e kisha ditur. Kjo ishte dhuratë nga ime më. O Zot! S’kam fjalë për ta përshkruar. Kanë kaluar 4 vjet që nga ajo ditë dhe e kujtoj fare mirë sikur të ketë ndodhur dje. Nga mërzia, nervat, helmi që kisha në trup e në shpirt iu ktheva tezes sime. Ajo ishte shkaktare për këtë dhimbje të dytë që po kaloja. E pyesja se pse e bëri këtë. Nuk më fliste, vetëm qante. Heshtja e saj më shkatërronte edhe më shumë. Po filloja ta urreja. Si ishte e mundur që nuk fliste, që nuk më qetësonte, pavarësisht se më shihte në atë gjendje. Kur një ditë, pas shumë të tillash, mes nervave e fjalëve fyese që i kishin dëgjuar veshët, ia dha ulërimës: “Ky mund të jetë shkaku pse prindërit e tu u aksidentuan”. Gjithçka po dëgjoja e mendoja njëkohësisht u bë edhe më rrëqethëse. Ajo doli nga shtëpia, pa më shpjeguar se për çfarë e kishte fjalën. Ashtu e tmerruar u solla nëpër shtëpi deri sa ajo u kthye bashkë me bashkëshortin dhe fëmijët. Në sytë e tyre nuk flisnim për këtë temë. Si nuk po mbytesha. Doja të bërtisja me të madhe, pa e pasur problem se kush ishte në shtëpi, por e përmbajta veten. Babai doli me dy fëmijët, ndërsa ne të dyja mbetëm sërish vetëm. Më mori në prehër duke qarë, duke më kërkuar falje, duke m’u lutur të mos mërzitesha, sepse çdo gjë do të kalonte me kohën dhe se ne do të ishim përsëri të lumtur si dikur. Por kjo s’mund të ishte e vërtetë. Në familjen time shumë gjëra kishin ndryshuar, nuk ishin si më parë.


 


Çfarë donte të nënkuptonte tezja juaj kur tha se infektimi me SIDA mund të jetë shkaku i aksidentit të prindërve të tu biologjikë?


Për disa kohë me radhë ne vendosëm të mos diskutonim më për këtë temë. Kaluan gati dy muaj, kohë gjatë së cilës prindërit e mi iu kushtuan qetësisë sime, mjekimit që duhet të merrja. Sipas tyre, kjo ishte primarja, ndërsa për të tjerat, megjithëse dyshime që gati sa nuk po e mbysnin, do të vinte vetë koha për t’i diskutuar. Kështu më thoshte ajo vazhdimisht. Dhe që të jem e sinqertë ashtu bëra vërtet. Fundja çfarëdo të ishte shkaku i aksidentit të prindërve të mi, mua nuk do të ma shëronte sëmundjen nga e cila vuaj. Qetësia ime psikologjike kishte më shumë rëndësi, sepse po më dukej sikur nga momenti në moment do të çmendesha. Ishte e kotë t’ia lejoja vetes këtë gjë. Miqtë i kisha ende, pavarësisht se po bëhej gati një vit që nuk i kisha takuar, humba vitin e parë të studimeve. Megjithatë kam dy prindër të mrekullueshëm. Vëllai dhe motra tjetër, që jetojnë në të njëjtën shtëpi, më duan fort. Më marrin kudo me vete. Motra është fejuar, ndërsa vëllai është një vit më i vogël se unë. Ata nuk e dinë që unë jam me SIDA. Kjo ishte një marrëveshje që e bëra me prindërit e mi. Në fakt askush tjetër përveç meje dhe prindërve nuk e di këtë gjë. Pas rreth një viti e gjysmë, kur mund të thuhet se gjërat po shkonin në vend dhe unë po mësohesha me këtë fakt, tezja më tha se aksidenti i ndodhur rreth 16 vjet më parë mund të ketë qenë i qëllimshëm nga ana e prindërve të mi biologjikë. Më tregonte për bisedat me time më dhe për shqetësimet e saj. Dikur nuk i kishte parë me atë sy, ndërsa me të mësuar këto ngjarje, ajo kishte filluar të bënte lidhjet e muhabeteve. Por, që të jem e sinqertë, i kërkova që gjithçka që lidhej me shpirtrat e tyre të mbyllej përfundimisht. Dhimbja e madhe ishte varrosur thellë në trupin time dhe nuk doja ta rizgjoja për asnjë arsye në botë. Ajo ishte dita e fundit kur prindërit e mi biologjikë u diskutuan për një temë si kjo. Doja të ruaja kujtimin e tyre, siç e kisha kur isha fëmijë. Nuk doja ta cenonte askush këtë pjesë të largët të jetës sime.


 


Kishte kaluar një vit që kur mësuat lajmin e hidhur. Ç’ndodhi më pas me jetën tuaj?


Jam krenare që e mora veten në dorë, me një ndihmë jashtëzakonisht të madhe nga ana e prindërve të mi, për të vazhduar jetën, siç ishte shkruar të ishte. Në atë kohë flisja shumë me veten time. E pyesja veten nëse do të lejoja që SIDA të më merrte me vete brenda pak kohësh apo më gjatë; e sigurt është se një ditë unë nuk do të jetoj më prej saj. Ishte shumë e vështirë më besoni. Sado që e largoja, mendimet rreth SIDA-s më vinin nëpër kokë sikur një mizë që të ngjitet e s’të shqitet më. Por e detyrova veten. Marr ilaçet rregullisht, më japin një lloj force në qëndrueshmëri. Në fakt edhe efekti që duhet të japin është të forcojnë imunitetin. Përpara se të diagnostikohesha me SIDA, nuk kam pasur asnjë simptomë apo probleme me shëndetin. Ndërsa pas një viti, ndoshta edhe më shumë fillova të dalloja shenjat e para si: ethe, pak temperaturë, dhimbje


fyti, gjëndra limfatike të fryra dhe skuqje të lëkurës. Megjithatë këto simptoma shfaqen për një kohë të shkurtër, ndërsa në periudha të tjera ndihem shumë mirë. E vetmja dhimbje që ndiej është ana psikologjike që gjithsesi më mundon, ndonëse sot pas 4 vjetësh jam munduar t’ia largoj vetes. Pas një viti pushim, konkurrova për të nisur studimet e larta në degën Mjekësi e Përgjithshme në Universitetin e Tiranës. Aktualisht jam në vitin e tretë. As që e kisha imagjinuar që do të studioja këtë degë, nuk e kam pëlqyer kurrë më parë, por jeta ime kishte marrë devijime nga më të ndryshmet, kështu që nuk ishte më problem. Doja shumë televizionin, ëndërr e pamundur për mua. Studioj shumë dhe kam shumë shokë e shoqe. Pasi ndjek leksionet e seminaret çdo ditë, pi një kafe me miqtë, shkoj në kinema ose gjej mënyra të tjera argëtimi bashkë me ta. Jeta ime është e plotësuar, por jo tërësisht. Unë jam me SIDA. Kjo e vërtetë e imja nuk më lë hapësira për të menduar për shumë gjatë.


 


Nga çfarë e privoni veten?


Ehhhhhhh. Jam e dashuruar prej shumë kohësh me një shokun tim. Ai gjithashtu më ka shprehur simpatinë e tij ndaj meje. Por unë kurrë në asnjë moment nuk i kam treguar se ç’ndiej për të. I them që nuk e shoh me atë sy. E çfarë mund t’i them tjetër? T’i them që e dua, por që jam me SIDA. Jo, kurrë. T’ia fsheh? Nuk e bëj dot, nuk dua të lëndoj askënd, aq më tepër atë. Unë nuk mund të dashuroj. Ose nëse zgjedh të dashuroj, nuk mund të kem një familje timen. Nuk mund të lind fëmijë, sepse do ta transmetoja infeksionin te fëmija im, do të bëja mëkat. E vetmja mënyrë do të ishte të gënjeja partnerin, po deri kur do e bëja këtë? Prandaj këto janë ato që më mundojnë dhe që e di që s’do të mund t’i provoj dot kurrë. Për këtë e urrej veten time hera-herës. Dhe për sa kohë kam vendosur të mos e ndaj këtë të vërtetë me askënd, më mirë të mos lëndoj njeri. Për më tepër që jam e sigurt që kushdo që do e mësonte këtë lajm, nuk do të më pranonte, do të më largohej, por unë nuk dua të humb askënd, për këtë arsye më mirë të hesht.


 


Nuk e keni menduar ndonjëherë t’ia besoni dikujt këtë sekret? Ndoshta shokut tuaj më të mirë, që njëkohësisht e dashuroni?


 


Jo, kurrë! E them me bindje që do ta humbisja. Në fakt ndonjëherë kam tentuar që të hap tema diskutimi në tavolinë që lidhen me SIDA-n. Më shumë për të kuptuar se çfarë mendojnë për personat që janë të infektuar me këtë sëmundje, nëse do t’i pranonin ose jo. Por kam vërejtur fytyra të shtrembëroheshin, mungesë dëshire për të folur për ata njerëz, siç i grupojnë miqtë e mi, personat me SIDA. Madje një ditë thanë: “Njerëz të neveritshëm. “Larg qoftë me i pas afër!” Shkova në banjë, sepse gati më rrodhën lotët në sytë e tyre. Ishte shumë fyese ajo sjellje. Ndoshta kanë të drejtë të sillen kështu, ndoshta unë jam zbutur për faktin se vuaj vetë nga ky infeksion, por gjithsesi kjo sjellje është e pavend. Kush do ta zgjidhte me dëshirë të vuante nga SIDA? Askush nuk do të preferonte të dinte se në mos sot, nesër do t’i vijë fundi prej kësaj sëmundjeje. Megjithatë ndonjëherë më kalon nëpër mendje që t’ua them miqve të mi. Ndoshta po ta dinë që jam unë do ta mendonin ndryshe. Por s’e gjej guximin. Kam frikë se rezultati do të jetë i dhimbshëm për mua. Nuk jam më e gatshme të provoj dhimbje të tjera.