Dështojnë ligjet me shumicë të cilësuar të votave, Berisha fajëson opozitën
BLEDAR HOTI
Tri ligjet e kërkuara nga BE-ja ishin objekt i debateve në seancën e Kuvendit. Dita e djeshme shihej si një mundësi e miratimit të tri nismave të kërkuara nga BE-ja. Por mësohet se palët janë ndarë sërish, duke mos u dhënë mundësi votimit të drafteve për rregulloren e Kuvendit, statusin e nëpunësit civil dhe Gjykatën e Lartë. Ndërkohë që si mazhoranca dhe opozita akuzuan njëra-tjetrën për mosvotimin. Përpara hedhjes në votim të tri projektligjeve, Topalli iu drejtua opozitës me këtë deklaratë: “Prej gati një viti, çdo ditë në axhendën e Kuvendit janë tri ligjet për t’u votuar, që janë bllokuar nga PS-ja, duke bërë të mundur vetëm bllokimin e marrjes së statusit. Jam para qytetarëve me ftesë ndaj Ramës, edhe në emër të mazhorancës, por si Kryetare e Kuvendit, tri ligjet janë në rendin e ditës; ftoj Ramën të lërë deputetët të votojmë sot tri ligjet, duke bërë detyrën tonë, edhe pse shumë vonë; edhe pse u realizua qëllimi i tij, ai ka mundësi që të lërë deputetët të votojnë”. Pas gjysmë ore pushim, deputetët janë mbledhur për të votuar nismat. Përpara se të votohej, deputetët e PS-së janë larguar nga seanca. Kjo më pas solli edhe reagimin e Kryeministrit Sali Berisha. Ai theksoi se ligjet nuk do të miratohen pa u përmbyllur më parë listat e zeza të kandidatëve për deputetë. “Ju i keni bërë çështje pazaresh. Dhe unë një kërkesë kam për Ilir Metën, i cili që nga janari i 2012-s deri ditën e aleancës së tij, ftonte Ramën që të votonte tri ligjet, tani fton Berishën që të votojë, pavarësisht që Berisha ishte ai që kërkonte miratimin e tyre. Unë i kërkoj të mos i shndërrojë ligjet në pazar për lista të zeza në kurriz të mbështetësve të tij. Të vijë këtu, sepse kjo votë nuk mund të konceptohet si pazar. Tani është bërë lista e zezë, se cilët pranohen dhe cilët nuk pranohen nga LSI-ja. Listën e zezë ia ka dorëzuar zoti Rama dhe tani u shty votimi”, tha Berisha.
Kryeministri theksoi se mazhoranca është e gatshme në çdo kohë që të mbledhë Parlamentin dhe të votojë tri ligjet e integrimit.
“Ne jemi të gatshëm t’i votojmë edhe në mesnatë. Përgjegjësia bie mbi njeriun që privoi shqiptarët nga qindra milionë euro të BE-së, përgjegjësia bie mbi dëmin kolosal që i bëri vendit ku shqiptarët nga të katër anët e botës kanë përsëritur refrenin se atë që i bëjnë shqiptarët Shqipërisë nuk ia bën asnjeri. Unë prita t’i votonin, por ata vazhdojnë t’i kenë lista pazaresh. Pa përfunduar pazaret ligjet nuk do t’i votojnë. A e patë si ikën. Po flisnim për tri ligjet dhe ikën nga salla sikur të ishte futur ndonjë substancë apo halor kafshësh në karriget e tyre. Ikën po karriget e tyre të lëna bosh flasin shumë më tepër. Ikën për të marrë me vete një përgjegjësi shumë të rëndë. Pavarësisht dëmeve ato duhet të votoheshin, por pazaret nuk kanë përfunduar. Po halat do t’u ngelen në fyt atyre”, tha Kryeministri. Gjatë këtij diskutimi kanë ikur nga salla deputetët e vetëm socialistë: Pandeli Majko, Armando Subashi dhe Marko Bello. Ndërkohë mësohet se arsyeja e mosvotimit të tri ligjeve ka qenë qëndrimi kundërshtues i mbajtur nga ana e Kryeministrit Berisha, i cili nuk ka pranuar kushtin e PS-së që nismat të hyjnë në fuqi në muajin shtator. Në lidhje me akuzat e liderit të PD-së, reagoi kreu i LSI-së, Meta, i cili e akuzoi Berishën si një nga personat bllokues të integrimit. “E ftoj përsëri kryetarin e Partisë Demokratike, z. Berisha, që të jetë më i qartë për këtë çështje. Nëse vazhdon me idetë e tij për të provokuar mosmiratimin e këtyre tri ligjeve, është një përgjegjësi e tij çdo ditë që vonohet miratimi i këtyre tri ligjeve. Në rast se vazhdon me idenë e mbajtjes së referendumit pas zgjedhjeve, ai vetëm dhe thjesht kërkon të përgatisë bojkotimin e votimit të tri ligjeve nga opozita e nesërme, të cilës ai do t’i përkasë. Në rast se vazhdon me idenë e mbajtjes së referendumit pas zgjedhjeve, ai vetëm dhe thjesht kërkon të përgatisë bojkotimin e votimit të tri ligjeve nga opozita e nesërme, së cilës ai do t’i përkasë”, tha Meta. Ndërsa për akuzat e listave të zeza, kreu i LSI-së theksoi se “Pas dështimit të tij për të infiltruar në listat e opozitës kandidatë të besuar, natyrisht që nuk i ka ngelur gjë tjetër veçse të merret me diversion brenda radhëve të opozitës, gjë që nuk ka për të funksionuar, përkundrazi. Përgjigjja më e mirë do të jetë më 23 qershor. Por mos u habisni kur të shikoni vetë listat e Partisë Demokratike, sepse gjithë kjo përpjekje që bëhet për ta përqendruar vëmendjen te listat e partive të opozitës është fakt për të fshehur vëmendjen nga ajo që pritet të ndodhë në mesnatë me listat e Partisë Demokratike, ku do të ketë krasitje të mëdha sipas edhe informacioneve që ju keni”.
Projektligjet
Miratohen marrëveshjet me 73 vota
Nismat e tjera të parashikuara në rendin e ditës janë kaluar me 73 vota nga ana e Kuvendit. Kështu pro nismave të paraqitura votoi dhe deputeti i FRD-së, Gazmend Oketa. Kuvendi miratoi projektligjin “Për ratifikimin e konventës për ndihmën e ndërsjellë në çështjet tatimore”; projektligjin “Për ratifikimin e marrëveshjes së financimit, ndërmjet Shqipërisë, përfaqësuar nga Ministria e Financave, dhe Artigiancassa S.p.A., për financimin e programit të ndihmës së integruar për zhvillimin e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme shqiptare”; “Për ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet Shqipërisë dhe Malit të Zi, për mbrojtjen e ndërsjellë të informacionit të klasifikuar”; Aktin normativ nr.2 “Për rivlerësimin e pasurisë së paluajtshme”; Aktin normativ nr.3 “Për ratifikimin e marrëveshjes së huas, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Fondit për Zhvillim ABU DHABI, për financimin e projektit të bulevardit verior dhe të rehabilitimit të lumit të Tiranës”.