Ilir Meta


“Dua president me maxhorancë të gjerë,” thotë kreu i LSI


Kreu i Lëvizjes Socialiste për Integrim deklaroi sot në Korçë se bashkëpunimi i tij me kreun e socialistëve Edi Rama është për interesat e vendit ndërsa përsëriti se marrëveshjes së ka me qeverinë dhe se dëshironte që presidenti i ardhshëm i vendit të zgjidhet “mundësisht me 140 vota”.


Meta gjendej në Korçë për Konferencën e Lëvizjes së Gruas për Integrim.


“Lëvizja Socialiste për Integrim është e bindur se dialogu është një domosdoshmëri që duhet praktikuar pa ndërprerje midis të gjithë aktorëve politik, në radhë të parë atyre parlamentarë, sepse dialogun e kërkon detyrimi për t’i shërbyer disa interesave që janë përtej atyre partiake dhe interesi kryesor në këtë rast është përshpejtimi i integrimit evropian,” tha Meta duke folur për takimin e tij me kryetarin socialist Edi Rama, takim që për shumë analistë përbën një sinjal për një largim të mundshëm të LSI-së nga koalicioni qeverisës, gjë që mund të sjellë edhe rënien e qeverisë para zgjedhjeve të ardhshme që pritet të zhvillohen verën e vitit 2013. Por i pyetur drejtpërsëdrejti për një ndërprerje të mundshme të bashkëpunimit me Partinë Demokratike, Meta tha se “partia e tij njihet si një forcë politike e cila u qëndron marrëveshjeve”. Përkundër spekulimeve mediatike, të cilat thonë se Meta dhe Rama kanë rënë dakord për një kandidat për president, Meta tha se partia e tij nuk ka propozuar asnjë kandidat deri më sot.


“LSI nuk ka shpallur asnjë kandidat për President sepse nuk e shikon çështjen e zgjedhjes së Presidentit si një mundësi për të bërë një garë ndërmjet forcave politike,” – tha Meta. 20 Maj 2012 (gazeta-Shqip.com)