Apeli
Kreu i LSI: Hyrja në fuqi në shtator e ligjeve favorizon Kryeministrin
Kreu i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, i kërkoi Kryeministrit Berisha përmes një konference për shtyp, miratimin e tri ligjeve për integrimin e vendit dhe po kështu gjetjen e një mekanizmi për kthimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në ligjshmëri dhe integritet. Meta nuk harroi të përgëzonte dhe aleatin e tij, kreun e PS-së, Edi Rama, i cili, sipas tij, ka treguar vullnet për të dyja këto çështje dhe se tashmë “topi” mbetej në fushën e mazhorancës. Sipas Metës, votimi i tri ligjeve jo vetëm që e ndihmon Shqipërinë në sytë e ndërkombëtarëve, por duhet të kënaqë dhe vetë Berishën, i cili pretendon se në qershor do të fitojë zgjedhjet.
Tri ligjet
Kreu i LSI-së ftoi dje Berishën t’i përgjigjej thirrjes së opozitës së bashkuar për të bërë të mundur kalimin me shumicë të përbashkët të tri ligjeve të integrimit në mënyrë që ato të hynin në fuqi në muajin shtator. Sipas Metës, këtu nuk ka as ndonjë komplot dhe asnjë pazar, por e vërteta është që kjo zgjatje e pakuptimtë i shërbente mazhorancës për të dhënë idenë e një opozite destruktive. “Opozita është e gatshme t’i votojë tri ligjet me kompromisin që ato të hyjnë në fuqi në shtator. Çfarë pazari ka këtu? Ky është një kompromis në të mirë të Shqipërisë, ky është një kompromis edhe në të mirë të Doktorit, po t’i referohemi faktit se ai shprehet i bindur në fitore. Atëherë i merr tri ligjet tani dhe i zbaton në shtator. Ne nuk e kuptojmë përse po vonohet për konkretizimin e këtij hapi madhor për perspektivën e integrimit europian të Shqipërisë. Këtu kemi të bëjmë me një kompromis, këtu nuk kemi të bëjmë me asnjë lloj pazari dhe as me lojë fjalësh”, theksoi Meta, duke shtuar se lojërat e fjalëve vijnë nga ata që me sa duket shpresojnë dhe dëshirojnë që ato tri ligje të mos votohen për të vazhduar atë retorikën boshe të akuzave për vonesën e këtij procesi dhe për t’ia faturuar opozitës.
KQZ
Po dje, Meta kërkoi zgjidhje dhe për situatën në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, duke theksuar se ajo që duhet t’i kthehet këtij institucioni është integriteti. “Është gjëja më e lehtë të kërkosh plotësimin e vendeve vakante, ndërkohë që ato nuk janë thjesht vende pune. Çështja kryesore ka të bëjë me integritetin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, që është cenuar në mënyrë të dhunshme dhe të padrejtë nga ana e mazhorancës aktuale dhe çështja kryesore nuk është se si do të çohen tre emra të tjerë në Kuvend për të plotësuar vendet e mbetura vakante në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, çështja kryesore është se si do të rivendoset konsensusi dhe besimi te KQZ”, theksoi Meta, duke kërkuar nga mazhoranca reflektimin për këtë çështje.
F.Mejdini
Batuta
“Ky është një kompromis në të mirë të Shqipërisë, ky është një kompromis edhe në të mirë të Doktorit, po t’i referohemi faktit se ai shprehet i bindur në fitore. Atëherë i merr tri ligjet tani dhe i zbaton në shtator”