Lideri i LSI-së, Ilir Meta, ka reaguar nga Shijaku për çështjen e Fierit dhe ftesën e Ramës, duke deklaruar se një problem lokal nuk mund dhe nuk duhet të mbajë peng integrimin e vendit. Sipas tij, 3 ligjet e vendosura si kusht nga BE duhet patjetër të votohen nesër në Parlament dhe të gjithë duhet të punojmë për të ardhmen e shqiptarëve.


“Është turp tashmë që për një çështje lokale të pengohet integrimi evropian i vendit. Se ka një problem në Fier, por ka një problem në Durrës, ka dhe një problem në Laç. Politikan është ai që dallon prioritetet që ka vendi, edhe rolin dhe përgjegjësinë që ka forca e tij politike” ka deklaruar  Metagjatë një takimi me anëtarët më të rinj të degës së partisë në Shijak.


Sipas Metës dy partitë e mëdha politike duhet të ndryshojnë gjuhën e komunikimit dhe të heqin dorë nga agresiviteti i panevojshëm. “Qytetarët kanë arritur një nivel të standardeve më të larta sesa ai i lidershipit politik sot në vend. Nuk kemi pse të na tregojë Europa me gisht, sepse erdhi Hillary Clinton, foli në Parlament tek podiumi dhe tha: “Bashkëpunim, bashkëpunim dhe nuk besoj tha që të kemi ndonjë shqiptar që nuk e do Shqipërinë”. Pra, pak a shumë tha që këtu janë disa duke punuar kundër Shqipërisë por unë po u them që ta kuptojnë që po e bëjnë këtë gjë sepse nuk besoj se e bëjnë me qëllim. Iku Hillary Clinton, atje tek podiumi nuk ngeli sharje pa u bërë një javë më pa, sulme e akuza e kështu me radhë. Kjo nuk është normale dhe nuk është e drejtë sepse unë nuk mendoj se as socialistët dhe as demokratët në tërësi reflektojnë atë lloj agresiviteti të panevojshëm. Duhet që dhe politika të rrezatojë kulturë, maturi, përgjegjshmëri dhe duhet të orientohet drejt zgjedhjeve. Sepse nëse orientohet drejt konflikteve, atëherë në fusim në konflikt edhe shoqërinë”, ka thënë Meta. 14 nëntor 2012 (gazeta-Shqip.com)