Kryetari i LSI-së, Ilir Meta ka deklaruar sot se nuk ekziston asnjë konfuzion në kampin e majtë për çështjen e kryeministrit të ardhshëm në rast fitoreje të koalicionit të majtë. Meta ka mbajtur të njëjtin qëndrim si aleati i tij, kryesocialisti Edi Rama dhe ka deklaruar se çështja e kryeministrit zgjidhet nga Kushtetuta. Ai ka ironizuar dhe replikuar ndaj deklaratave të kryeministrit Berisha, për çështjen e kolltukut të kreut të qeverisë.
“Mendoj se është një çështje e zgjidhur, e zgjidh Kushtetuta, e zgjidh vota e qytetarëve shqiptarë. Ndërsa për premtimin e doktorit, se unë nuk ia marr dot karrigen dhe se ai nuk ka ndërmend ta lëshojë karrigen e kryeministrit, unë do të propozoj një kompromis tjetër doktorit për këtë çështje. Sepse ai nuk ka çfarë bën, do ta pranojë vullnetin e sovranit dhe do ta lëshojë zyrën, por karrigen që ka mbajtur përgjatë këtyre tetë viteve ta marrë me vete në shtëpi në studion e tij ose në Partinë Demokratike siç ka bërë edhe idhulli i tij Les Valesa. Edhe ai kështu e bëri, kur humbi presidencën e mori karrigen e presidentit me vete. Gjinushi do të ketë ndonjë shqetësim për këtë çështje, ne do të angazhohemi si LSI të përballojmë shpenzimet për një karrige tjetër”, ka thënë Meta.
I pyetur për sondazhet e fundit, Meta ka lënë të nënkuptohet se nuk i beson. “Nuk ka sondazh që e kap LSI-në. Kështu e nxorët LSI-në, ju e nxorët 3 për qind në 8 maj dhe thatë mbaroi LSI-ja, por LSI-ja doli me 23 mijë vota vetëm në qytetin e Tiranës. Të jeni të sigurt që ata që kanë bërë dhe që do të bëjnë sondazhe do të kërkojnë falje në 24 qershor, por janë të falur sepse në fund të fundit nuk mendoj se kanë qëllime të caktuara. Të gjithë i kanë humbur bastet me LSI-në. Do t’i humbasin më shumë këtë herë, të jeni të sigurt. Ju e shikoni vetë, pasqyroni takimet tona, aktivitetet tona. Rininë që ka LSI-ja nuk e gjen asgjëkund”, ka thënë Meta.
22 maj 2013 (gazeta-Shqip.com)