Vizita


Meta takimiKryetari i Kuvendit, Ilir Meta, u prit dje në Lisbonë nga Presidentja e Parlamentit të Portugalisë, Maria da Assunção Esteves. Gjatë takimit Meta dhe Esteves vlerësuan marrëdhëniet shumë të mira politike dypalëshe, mbështetjen reciproke në nivel ndërkombëtar, si dhe mirëkuptimin dhe miqësinë tradicionale që ekziston mes dy vendeve dhe dy popujve. Ndër të tjera, kryeparlamentari Meta shprehu mirënjohjen e Shqipërisë për mbështetjen e vazhdueshme të Portugalisë, në drejtim të anëtarësimit në NATO, liberalizimit të regjimit të vizave të hapësirës Schengen për qytetarët shqiptarë dhe së fundmi për miratimin e statusit të vendit kandidat në Bashkimin Europian. Nga ana e saj, Presidentja e Asamblesë së Portugalisë, Maria da Assunção Esteves, e siguroi Metën për mbështetjen portugeze në kuadër të procesit të integrimit europian, si dhe për vullnetin maksimal për të forcuar bashkëpunimin parlamentar dypalësh, por edhe në kuadër të platformave rajonale siç është Unioni për Mesdheun. Meta vlerësoi gjithashtu edhe mbështetjen që Portugalia i jep Kosovës, duke theksuar se ky është një kontribut i vyer për paqen dhe progresin e rajonit të Ballkanit.