LSI


Kreu i kësaj partie prezanton Ardit Çelën si deputet në zonën e Kombinatit


METAFitorja e koalicionit të majtë në zgjedhjet e 23 qershorit do jetë bindëse. Këtë qëndrim ka ndarë kreu i LSI-së, Ilir Meta, në emisionin “Bugajski Hour” në AS TV. “E theksoj edhe një herë tjetër, që do të ketë një diferencë bindëse. Nuk do të jetë diferenca me 10 vota si në rastin e Bashkisë së Tiranës, do të jetë një diferencë sipas mendimit tim me të paktën 200 mijë vota në këto zgjedhje. Më duhet të theksoj që për herë të parë në këto 23 vjet, të gjitha forcat politike të së majtës janë së bashku, dhe jo vetëm kaq, por së bashku me to kemi edhe forca të spikatura që kanë qenë në të djathtë ose në qendër, ndërkohë që e djathta paraqitet e përçarë si rrallë ndonjëherë tjetër, duke pasur në konsideratë sfidën e Partisë Fryma e Re Demokratike, të ish-presidentit Topi, një nga eksponentët kryesorë të Partisë Demokratike gjatë këtyre dy dekadave”, tha Meta. Kreu i LSI-së në takimet e djeshme elektorale ka prezantuar Ardit Çelën si kandidat të saj për zonën e Kombinatit. “Unë jam i sigurt se kur Arditi flet, ai nuk flet thjesht me mendje, por flet në radhë të parë me zemër, si bir i këtij komuniteti ku është rritur dhe ku është edukuar, si njohës por edhe përjetues i problemeve dhe i shqetësimeve më të mëdha që ka komuniteti juaj. Arditi është shumë i ri. Ka qenë vetëm 17 vjeç kur ai u bë një nga themeluesit e Lëvizjes Socialiste për Integrim në shtator të vitit 2004”, tha Meta.