Hetimi

Hetim të plotë e të shpejtë ndërkombëtar, shqiptar dhe parlamentar, në mënyrë që çdo qindarkë e abuzuar, që është shpërdoruar nga zyrtarët a qeveritarët, jo vetëm të shkojë në buxhetin e shtetit e të dëmshpërblehen qytetarët, por secili për çdo qindarkë që ka dëmtuar interesat të marrë dënimin e merituar


Dekriminalizimi

Asnjë kandidat i propozuar nga LSI në zgjedhjet vendore nuk ka pasur asnjë problem, që të krijonte edhe shqetësimin më të vogël për ndërkombëtarët. Nuk më është paraqitur asnjë shqetësim për integritetin e asnjë deputeti të LSI-së apo ministri


Kontributi

Ne do vazhdojmë të kontribuojmë e të jemi model për luftën që duhet të përshkallëzohet edhe më tej, për thellimin e procesit të konsideruar si dekriminalizim, jo vetëm përmes me konsensus të së gjithë paketës ligjore, por edhe në të gjithë hapat e mëtejshëm për transparencën e raporteve të politikës dhe qeverisjes


“PD-ja, e vetmja opozitë që nuk kërkon largimin e Kryeministrit. Së shpejti do të udhëtoj drejt SHBA-së”


ARTEMISA HOXHA

Ilir Meta 2Kreu i Parlamentit, Ilir Meta, shprehet se ai është i hapur për çdo hetim ndërkombëtar në lidhje me akuzat që janë ngritur ndaj tij si i implikuar në marrëveshjen e CEZ-it, nëpërmjet kompanisë DIA. Qëndrimi i tij vjen në një moment kur opozita po kërkon dorëheqjen e Metës nga posti i kryeparlamentarit. “Për hetimin ndaj CEZ-it, i qëndroj deklaratës sime për hetim të plotë, të thellë dhe të shpejtë ndërkombëtar, shqiptar dhe parlamentar, në mënyrë që çdo qindarkë që është abuzuar, që është shpërdoruar nga zyrtarët nga qeveritarët, nga politikanët, nga administratorët shqiptarë, jo vetëm të shkojë në buxhetin e shtetit dhe të dëmshpërblehen qytetarët shqiptarë, por secili për çdo qindarkë që ka dëmtuar interesat e publikut, interesat e CEZ/OSHEE, interesat e shtetit shqiptar, të marrë dënimin e merituar”, u shpreh kryeparlamentari Meta. Duke i shkuar më tej reagimit të tij në lidhje me këtë çështje, kreu i LSI-së kërkon transparencë të plotë për çdo qindarkë të përfituar nga kompania DIA apo dhe të tjera që kanë pasur marrëveshje me CEZ si dhe mbajtjen e përgjegjësive për çdo abuzim që është bërë me paratë e shqiptarëve. “Të ndiqet çdo qindarkë se si ka lëvizur, jo vetëm nga CEZ-i te DIA dhe nga DIA te kompanitë e tjera, jo vetëm 4 milionë eurot që ka përfituar DIA, por edhe 15 milionë eurot që kanë përfituar kompanitë e tjera pas uljes tjetër që i ka bërë ERE çmimit të energjisë për të favorizuar CEZ-in. Të bëhet transparencë se te cilat kompani kanë shkuar këto para, cilët persona dhe zyrtarë kanë përfituar dhe si kanë ndërhyrë me veprimet e tyre apo se ç’përgjegjësi mbajnë me mosveprimet e tyre. Theksoj rëndësinë për të hetuar gjithçka që ka të bëjë me CEZ-in nga dita e parë e realizimit të privatizimit, si u realizua ky privatizim e deri në ditën e sotme”, ka theksuar Meta.

Kërkesa për dorëheqje

Ai ka kthyer përgjigje edhe për akuzat e përditshme të opozitës, ku kërkohet dorëheqja e tij si kryeparlamentar dhe hetimi i plotë i kësaj çështjeje. Meta e konsideron kryedemokratin Lulzim Basha si të vetmin kryetar opozite në botë që nuk ka guximin që të kërkojë dorëheqjen e Kryeministrit, por atë të kryeparlamentarit, duke sjellë, sipas tij, risi në politikën shqiptare. “Lidhur me risitë dhe çuditë që po sjell në politikën shqiptare kryetari i PD-së, z. Basha nuk ka nevojë të jap edhe shumë sqarime. Është i vetmi kryetar opozite, i cili në vend që të kërkojë dorëheqjen e Kryeministrit, siç kërkohet në përgjithësi nga kryetarët e opozitës në të gjithë Europën dhe botën, kërkon vetëm dorëheqjen e Kryetarit të Kuvendit. Dhe unë e kuptoj se cila është arsyeja e vërtetë: është pakënaqësia e tij e thellë për respektin maksimal që unë tregoj, jo thjesht ndaj demokratëve në Parlament, por sidomos edhe ndaj liderit historik z. Berisha, duke i dhënë mundësinë të shprehë pa kufizim në tërësi, mendimet dhe qëndrimet e tij politike”, tha Meta, duke mos kursyer as batutat ndaj Bashës në raport me çfarë ka thënë për qeverinë “Rama”. “Nuk habitem me asgjë tjetër që thotë z. Basha, i cili prej dy vitesh qeverinë Rama e etiketon si qeveria Rama-Meta. Madje nuk keni dëgjuar gjë akoma, sepse shumë shpejt do të fillojë të ndërrojë vendet, do të akuzojë qeverinë Meta-Rama dhe pak më vonë të jeni të bindur që do dëgjoni çudi të mëdha për akuzat e tij ndaj qeverisë ‘kriminale’ Meta-Meta dhe për shtypjen dhe terrorin e saj ndaj opozitës së pafajshme Basha-Rama”, ka thënë kreu i LSI-së.

Ndërkombëtarët

Edhe pse ka qenë shpeshherë në fokusin mediave në lidhje me mungesën e vizitave të tij në SHBA si kryeparlamentar, ku së fundmi si përfaqësuese e këtij institucioni në SHBA ka qenë nënkryetarja, Valentina Leskaj, Meta ka bërë të ditur se raportet me amerikanët janë korrekte, çka do ta vërtetojë, sipas tij, edhe vizita pas tre javësh që do të bëjë në Amerikë. “SHBA janë një partner i pazëvendësueshëm për Shqipërinë dhe komunikimi me përfaqësuesit e tyre ka qenë i pandërprerë. Për arsye edhe të largësisë, por edhe të angazhimeve të ndryshme, nuk mund të shkoj çdo muaj në SHBA, por mos u shqetësoni se do të jem së shpejti, pas tre javësh, dhe do të kemi mundësi të komunikojmë edhe me ju, edhe nga Uashingtoni për të gjitha çështjet”, tha Meta. Ai theksoi njëkohësisht se për ndërkombëtarët nuk ka pasur asnjë shqetësim nga partia që ai drejton në raport me kandidatët që ka propozuar në zgjedhjet vendore apo dhe deputetët që janë zgjedhur nën siglën e kësaj partie. “LSI ka marrëdhënie të shkëlqyera me ndërkombëtarët. Asnjë kandidat i propozuar nga LSI në zgjedhjet vendore nuk ka pasur asnjë problem, që të krijonte edhe shqetësimin më të vogël për ndërkombëtarët. Nuk më është paraqitur asnjë shqetësim për integritetin e asnjë deputeti të LSI-së apo ministri”, tha Meta, duke shtuar se LSI duhet të jetë një model referimi për këtë pjesë. “Ne do të vazhdojmë të kontribuojmë dhe të jemi model për luftën që duhet të përshkallëzohet edhe më tej, për thellimin e procesit të konsideruar si dekriminalizim, jo vetëm përmes miratimit sa më shpejt dhe me konsensus të së gjithë paketës ligjore për këtë çështje, por edhe në të gjithë hapat e mëtejshëm që thellojnë transparencën e raporteve të politikës dhe qeverisjes me ushtrimin e këtyre përgjegjësive dhe veçanërisht publikun, përfshirë këtu edhe transparencën e partive politike”, ka thënë kreu i LSI-së. Ai ka mohuar në të njëjtën kohë që të ketë përplasje me PS në pushtetin vendor, konkretisht në Qarkun e Dibrës, ku kryetar qarku me votat e të djathtëve është zgjedhur përfaqësuesi i LSI-së, ndërsa nënkryetar ai i PD-së.