Zgjedhjet


Ilir Meta është e vetmja kandidaturë e paraqitur pranë komitetit organizativ të Lëvizjes Socialiste për Integrim për të qenë kryetar i kësaj partie. Këtë zhvillim e komentoi dje nënkryetari i LSI-së, Petrit Vasili, gjatë një konference për mediat në prag të mbajtjes së zgjedhjeve të brendshme të kësaj partie. “Komiteti organizator ka pranuar dhe ka marrë në shqyrtim iniciativën e kryetarit të LSI-së, zotit Ilir Meta, për të kandiduar për postin e kryetarit të LSI-së në zgjedhjet e ardhshme, të cilat mbahen në datën 20 tetor të këtij viti”, deklaroi Vasili, duke shtuar gjithsesi se të interesuarit e tjerë mund të paraqisnin kërkesat e tyre pranë sekretariatit në këtë parti. Vasili theksoi gjithashtu se në Konventën e LSI-së, që do të mbahet më 27 tetor në Pallatin e Kongreseve, janë 1508 delegatë, prej të cilëve 572 vijnë si të zgjedhur të drejtpërdrejtë. Po kështu, Vasili theksoi se në këtë Konventë, 30% e pjesëmarrësve do të jenë përfaqësues të Lëvizjes Rinore për Integrim dhe 30% do të jenë përfaqësi e Lëvizjes së Gruas për Integrim.