Përplasja. Eksperti i PD-së, Bylykbashi: Socialistët të plotësojnë emrat, s’ka negociata


Vendimi – Kolegji Zgjedhor nuk regjistron një parti nga koalicioni i djathtë dhe një parti nga koalicioni i majtë. Nga aleanca e PS nuk u pranua kërkesa e Partisë Demokratike të Bashkimit Mysliman dhe nga koalicioni i PD nuk u regjistrua Partia Civile


Ilir MetaKreu i LSI-së, Ilir Meta, fajëson Kryeministrin, mazhorancën, për situatën e krijuar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve dhe kërkon rikthimin e besimit të këtij institucioni. “Asnjëherë nuk ka qenë dhe nuk mund të jetë për LSI-në çështja e një anëtari të propozuar prej saj si anëtar i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, sepse kjo do të thotë të shkatërrosh konceptin e pavarësisë së këtij institucioni, i cili ka qenë i kristalizuar mjaft qartë edhe në kodin e miratuar me konsensus vitin e fundit midis PD-së dhe PS-së. Aktualisht kemi një situatë të papranueshme dhe për këtë përgjegjësia është e drejtpërdrejtë e mazhorancës, e cila dhunoi Kushtetutën, Kodin dhe pavarësinë e KQZ-së. Natyrisht që zgjidhja është rivendosja e besimit, rivendosja e konsensusit midis këtyre dy forcave që kanë bërë kodin dhe ecja përpara”, tha Meta në konferencën për shtyp. Kreu i LSI-së theksoi se opozita është në një linjë për sa i përket çështjes së KQZ-së. “Asnjë përpjekje për të sjellë dhe mbjellë diversion në radhët e opozitës nuk shkon. Opozita ka një qëndrim shumë të qartë për KQZ-në dhe për këtë çështje jemi në sintoni të plotë edhe me kolegun tonë të nderuar, z. Dule. Për ne nuk është e rëndësishmja zgjidhja e njëanshme, qoftë edhe nga ana e LSI-së apo të çdo force tjetër politike. Për ne dhe për të gjithë qytetarët shqiptarë edhe për partnerët ndërkombëtarë e rëndësishme është rivendosja e besimit, rivendosja e konsensusit. Nëse ka vullnet kjo gjë mund të ndodhë. Nuk ka qenë opozita ajo që e ka goditur këtë besim apo që e ka cenuar në mënyrë të njëanshme konsensusin”, theksoi Meta. Këto komente, kreu i LSI-së i bëri pas një takimi të zhvilluar në selinë e tij me kreun e Aleancës Popullore, Artur Dojaka. Për sa i përket organizimit në zgjedhje, Meta mohoi që njerëzit e partisë së tij të jenë emrat e deputetëve të PS-së në zgjedhje, duke theksuar se “LSI ka listat e saj në të gjithë vendin. PS dhe të gjitha forcat e tjera politike kanë listat e tyre. Kjo gjë besoj se është thënë në mënyrë të qartë dhe pa ekuivok”.


PD, kundër negociatave


Mazhoranca nga ana e saj del kundër rikompozimit të KQZ-së apo nisjes së negociatave me palët. Eksperti i PD-së për zgjedhjet, këshilltari i Kryeministrit, Oerd Bylykbashi, në një deklaratë publike hodhi poshtë idenë e PS-së për një rikompozim të këtij institucioni. Ai deklaroi se PS-ja duhet të zbatojë Kodin Zgjedhor, duke i kërkuar që të zëvendësojë vendet vakante në KQZ. Bylykbashi sjell në vëmendje dhe precedentin e zëvendësimit më të fundit të anëtarëve të LSI-së me ato të PBDNJ-së në KZAZ, duke theksuar se e njëjta logjikë, e balancimit të institucionit duhet të ndodhë dhe në KQZ. Si nga kampi i majtë, ashtu edhe nga ai djathtë mësohet se nuk ka një kompromis, pavarësisht negociatave që po zhvillohen mes palëve me qëllimin gjetjen e një zgjidhjeje kompromisi. Disa ditë më parë, sekretari për Çështjet Zgjedhore në PS, Damian Gjiknuri, deklaroi se “PS nuk do të plotësojë vakancat deri në gjetjen e një zgjidhjeje që rikthen besimin e qytetareve te KQZ”. Rikompozimi i KQZ-së është një nga kërkesat kryesore të opozitës. Përndryshe e majta deklaron se nuk do të çojë emrat në këtë institucion, duke bërë që përfaqësimi i opozitës të mbesë vetëm në komisionet e niveleve të dyta dhe të treta.