Lëvizja Socialiste për Integrim ka prezantuar sot kandidatët për deputetë të qarkut të Beratit për zgjedhjet e 23 qershorit. Gjatë fjalës së tij, lideri i LSI-së, Ilir Meta akuzoi kryeministrin Berisha për diskriminimin e qarkut të Beratit, duke anashkaluar thirrjet e deputetëve të LSI-së për rikthimin e vëmendjes nga ky qark.
“Dje dëgjova se i premtonte Beratit se turizmi në Berat do rritej 400% në katër vitet që vinë, u habita kur pashë që ishte zëri i Kryeministrit në largim që e ka diskriminuar këtë qark në 8 vite. Ai dhe qeveria e tij jo vetëm që s’kanë dëgjuar shqetësimet tuaja, por as zërin tim, as zërin e Naços në parlament, për të treguar jo dashuri të madhe për Beratin, pasi atij i ka ngelur ora në këtë qark në referendumin e ’94 por të tregonte përgjegjshmërinë ndaj këtij populli, por dhe vlerave kulturore të qytetit. 500 milionë lekë u vendosën në buxhet për këtë qark vetëm me insistim të LSI.
Ai që premtontoi rritje të turizmit bënte sikur nuk shikonte gropat, ku vajtën këto miliona. Një pjesë vajtën për një kompani lobuese për të desinformuar Europën dhe SHBA për realitetin zgjedhor në Shqipëri. Por ne jemi njerëz bujar, jemi mikpritës, pas 23 qershorit ne s’do ta presim si Kryeministër, por do ta presim si turist të vizitojë kalanë, për peligrinazh në Tomor. Bukuritë e Beratit janë të panumërta, por vlera më e madhe janë njerëzit, bujarë, punëdashës dhe patriot” tha Meta. Lideri i LSI-së u shpreh i bindur për fitoren e së majtës në qarkun e Beratit, pasi sipas tij, “qytetarët nuk kanë ndërmend të presin Berishën të mbajë premtimet”.
“Berati në 23 qershor do t’i thotë jo diskriminimit që ju bë këtij qarku. Jam i bindur se Berati nuk do të pajtohet me mendësitë totalitare ku ligji shërben si hanxhar kundër njerëzve të pambrojtur”- vijoi Meta. Ai ka përsëritur nevojën për rotacion politikë, për tu rikthyer shpresën Beratit dhe gjithë shqiptarëve. “Shqiptarët kërkojnë një lidership me këmbë në tokë që kujdeset për hallet e përditshme të njerëzve. Eshtë koha për të ecur më shpejt, është koha për rotacion, për ndryshim. Është koha të ecim më shpejt përpara, drejt një progresi shoqëror. Ne do t’i rikthejmë Beratit shpresën. Në 24 qershor do të gdhihemi të gjithë fitimtarë se do t’i japim fund politikës që armiqëson shqiptarët. Me ne të gjithë do të jenë të fituar”, tha Meta.
19 maj 2013 (gazeta-Shqip.com)