Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, i shoqëruar nga i deleguari i Lëvizjes Socialiste për Integrim në Qarkun e Elbasanit, Edmond Haxhinasto, si dhe nga kryetarja e Lëvizjes së Gruas për Integrim, Klajda Gjosha, ka marrë pjesë në aktivin e LGI-së për Rrethin e Elbasanit. Pasi ka folur për rëndësinë dhe hapësirën që u është dhënë grave në vendimmarrje, Meta ka folur mbi aktualitetin politikë dhe retorikat nacionaliste të ditëve të fundit. Ai ka kërkuar sërish nga opozita të angazhohet për përmbushjen e kritereve të nevojshme për përshpejtimin e integrimit evropian.


Meta nënvizoi se hendeku më i sot në Shqipëri është midis klasës politike dhe qytetarëve shqiptarë. Sipas tij qytetarët janë në një nivel të lartë të marrjes së përgjegjësive dhe të sjelljes së tyre si qytetarë europianë dhe klasa politike duhet t’i përgjigjet këtij niveli dhe të mos bëhet një pengesë për progresin më të shpejtë të vendit në BE. “Politika e konfliktit po  ndëshkon Shqipërinë. Sepse nuk ishin të paktë ata që thoshin përpara se të liberalizoheshin vizat me Europën se për shkak të varfërisë 1 milion shqiptarë kur të hiqen vizat me Bashkimin Europian do të shkojë në këto vende dhe nuk do të kthehen më. Mirëpo ndodhi e kundërta.


Mbi 1 milion qytetarë të Shqipërisë kanë udhëtuar përgjatë gjithë kësaj kohe në hapësirën Shengen dhe sot qytetarët shqiptarë rezultojnë nga vetë raportet ndërkombëtare më shembullorët për sa i takon përmbushjes së kësaj marrëveshjeje që bëmë me Europën. Kjo tregon qartë që qytetarët tanë janë në një nivel të lartë të marrjes së përgjegjësive dhe të sjelljes së tyre si qytetarë europianë dhe klasa politike duhet t’i përgjigjet këtij niveli dhe të mos bëhet një pengesë për progresin më të shpejtë të vendit në BE sepse këtu nuk bëhet fjalë për interesat e një grupi politikanësh, këtu bëhet fjalë për një interes kombëtar që është progresi i të gjithë qytetarëve shqiptarë drejt një jetë më të mirë, më të sigurt, më të begatë”, tha Meta.


18 dhjetor 2012 (gazeta-Shqip.com)