Lëvizja Socialiste për Integrim ka zhvilluar ditën e djeshme një takim me strukturat, anëtarët dhe simpatizantët e saj në Komunën e Libofshës. Në këtë takim ka qenë i pranishëm Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, i shoqëruar nga Sekretari i Përgjithshëm i LSI-së, Luan Rama, ministri i Punëve të Jashtme, Edmond Panariti, si dhe Sekretari për Çështjet Ligjore në LSI, Spartak Braho.


Në fjalën e tij, Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, ka përsëritur idenë se mungesa e dialogut mes aktorëve politikë pengon Shqipërinë në rrugën e integrimit. “Fryma e konfliktit pa arsye, fryma e bllokimeve për kokëfortësi të njërit apo të tjetrit e pengon Shqipërinë të ecë më shpejt dhe pengon gjithë shqiptarët të jetojnë edhe më mirë. Ndaj LSI gjatë gjithë kësaj kohe është përpjekur të kontribuojë në maksimum për ç’tensionimin e situatës politike në vend, për të shtyrë përpara bashkëpunimin për disa procese të rëndësishme, për të shtyrë para reformat që kërkohen për integrimin evropian”, ka thënë Meta. Kreu i LSI-së u shpreh se ka ardhur koha të vlerësohet si duhet historia.


“Ne kemi treguar se e njohim historinë më mirë nga cilido. Nuk kemi frikë t’i japim meritën dhe hakun gjithsecilit, qoftë edhe Enver Hoxhës për luftën Antifashiste Nacional-Çlirimtare apo për arritje të tjera. Megjithatë ne nuk jemi forcë e specializuar për historinë e së kaluarës. Ne jemi forcë e cila ka për mision të kontribuojë për një të ardhme evropiane të Shqipërisë edhe të shqiptarëve. Jemi një forcë që duam t’i krijojmë mundësi të gjithë atyre që e duan politikën për të zgjidhur problemet e tyre dhe nuk e duan politikën si një  pengesë për të përmirësuar jetën e tyre.


E duam politikën si një mundësi për të bashkëpunuar me njëri-tjetrin dhe jo si një nxitëse të konfliktit midis qytetarëve, midis shqiptarëve. Jemi një forcë që di të mbrojë interesat e shqiptarëve dhe dinjitetin kombëtar”, ka thënë Meta. Ai e ka cilësuar një gabim të madh që për interesa të ngushta vendosen barrikada në një proces që u intereson të gjithë shqiptarëve pa asnjë dallim.


3 dhjetor 2012 (gazeta-Shqip.com)