Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Ilir Meta ka mbajtur fjalimin e parë në gjuhën shqipe në Parlamentin e Malit të Zi. Në fjalën e tij, Meta ka shprehur mirënjohje për mikpritjen që populli malazez tregoi ndaj qytetarëve të Kosovës gjatë krizës së luftes.
Ai iu drejtua edhe disa deputetëve pro-serbë të opozitës që protestuan kundër Kosovës gjatë vizites së tij në Podgoricë.
Më pas Meta ka përuruar instalimim e përkthimit në shqip në Parlamentin malazez, duke e cilësuar atë një arritje të vërtetë demokratike. “Nga sot deputetët shqiptarë të Malit të Zi do flasin shqip. Kjo është një arritje demokratike”, ka thënë Meta.
Ai ka theksuar se, duhet bërë më shumë për shqiptarët, duke kërkuar respektimin e të drejtës pronësore. “Tuzi duhet të jetë komunë e pavarur. Ndërsa komuna e Ulqinit duhet të administrojë vetë të mirat detare”, ka thënë Meta.
Por, kjo vizitë dhe dekorimi i kryeministrit Gjukanovic nuk u pritën mirë nga deputetët e partisë opozitare Demokracia e Re Serbe, të cilët me një banderolë në hyrje të Parlamentit shkruanin me gërma cirilike se “Kosova është zemra e Serbisë dhe se populli i Malit të Zi nuk e pranon pavarësinë e Kosovës”.
Në fjalën e tij në Parlament, Meta u tha deputetëve protestues se dy vendet po punojnë së bashku për të ardhmen e sigurtë të rajonit.
Kryeparlamentari shqiptar, u prit më pas nga Presidenti i Republikës malazeze, Filip Vujanoviç, i cili e falenderoi Metën për ratifikimin e anëtarësimit të Malit të Zi në NATO nga Kuvendi i Shqipërisë.
Kryetari i Kuvendit i cilësoi të shkëlqyera marrëdhëniet mes dy vendeve dhe theksoi rëndësinë e avancimit të projekteve infrastrukturore dhe ekonomike rajonale. Meta vlerësoi vëmendjen e autoriteteve malazeze ndaj kërkesave të pakicës kombëtare shqiptare në Malin e Zi.
“Krenarë që ishim ndër të parët që ratifikuam protokollin e NATO-s. Ne gëzohemi me progresin e Malit të Zi. Projektet rajonale TAP dhe Korridori Blu rëndësi strategjike për të gjithë rajonin. Zgjidhjet e kërkesave të shqiptarëve ti shërbejë komuniteteve lokale dhe forcimit demokratik të Malit të Zi”, deklaroi Meta.
Nga ana e tij, presidenti Vujanovic vlerësoi marrëdhëniet mes dy parlamenteve, ndërsa kërkoi që të ruhen parqet kombëtare si pasuri e përbashkët ndërkufitare. “Shqipëria vend mik, së bashku në familjen euro-atlantike”, deklaroi Vujanoviç.
Meta, i cili shoqërohej prej Kryetares së Komisionit të Jashtëm, Arta Dade dhe prej Kryetarit të Grupit Parlamentar të Miqësisë, Paulin Sterkaj, u prit pastaj në Podgoricë nga Presidenti i Parlamentit të Malit të Zi, Darko Pajoviç.
Dy kryeparlamentarët vlerësuan cilësinë e shkëlqyer të shkëmbimeve e marrëdhënieve politike e ndërparlamentare mes dy vendeve dhe ndanë bindjen se në kuadër të proceseve integruese euro-atlantike, dy parlamentet duhet ta intensifikojnë bashkëpunimin e tyre edhe më tej.
12 korrik 2016 (gazeta-Shqip.com)