Kreu i LSI-së i përgjigjet Kryeministrit: Ka degraduar gjuha politike
Kryetari i LSI-së, Ilir Meta, i është përgjigjur Kryeministrit Berisha, duke i thënë se opozita nuk dëshiron as të bojkotojë e as të shtyjë zgjedhjet, por t’i afrojë ato, sepse do t’i fitojë zgjedhjet e 23 qershorit. Meta, në një aktivitet me simpatizantë të LSI-së në Lezhë, është shprehur se opozita nuk ka aspak qëllim të bojkotojë zgjedhjet, pasi sipas tij, e majta e ka të sigurt fitoren më 23 qershor. Meta tha se Berisha nuk po ngrihet mbi përgjegjësitë e kërkuara në lidhje me situatën e krijuar, ndërkohë që akuzoi sërish se gjithë pushteti është grumbulluar në duart e PD-së. “Problem kryesor është përqendrimi i pushtetit në duart e PD-së. Gjithashtu edhe degradimi i gjuhës politike të përdorur nga përfaqësuesit e lartë të PD-së”, ka thënë Meta në vijim të fjalës së tij. Meta tha se opozita nuk synon shtyrjen e zgjedhjeve dhe as bojkotimin. “Opozita jo vetëm që nuk ka ndërmend që t’i bojkotojë zgjedhjet, këtë gjë ta harrojë i pari Berisha dhe gjithë të tjerët, jo vetëm që nuk kërkon t’i shtyjë zgjedhjet, përkundrazi, opozita kërkon t’i afrojë zgjedhjet. Kjo pasi opozita duke qenë e bindur jo vetëm në fitoren e saj, por edhe duke qenë e bindur se ky degradim, i cili po ndodh në progresion gjeometrik çdo ditë dhe çdo orë në ditët dhe në orët e fundit të qeverisjes aktuale, duhet të marrë fund një orë e më parë, në mënyrë që vendi të ndahet me sa më pak kosto dhe dëme nga një mazhorancë që ka humbur kontrollin, ka humbur vetëpërmbajtjen, ka humbur qytetarinë dhe nuk mund t’i ofrojë vendit në asnjë mënyrë një perspektivë europiane, sepse në themel të një perspektive europiane qëndron bashkëpunimi. Ajo që e ka penalizuar Shqipërinë është mungesa e bashkëpunimit dhe kur kjo frymë tepër joqytetare, madje edhe primitive, vjen nga mazhoranca kuptohet se ambienti për një bashkëpunim normal në interes të vendit është tërësisht i kontaminuar”, deklaroi kreu i LSI-së.
A.B
Kostoja
“Ky degradim, i cili po ndodh në progresion gjeometrik, çdo ditë dhe çdo orë në ditët dhe në orët e fundit të qeverisjes aktuale duhet të marrë fund një orë e më parë, në mënyrë që vendi të ndahet me sa më pak kosto dhe dëme nga një mazhorancë që ka humbur kontrollin, ka humbur vetëpërmbajtjen, ka humbur qytetarinë”
