“Nëse do kishte ftesë për darkë nga Rama me kënaqësi do e pranoja”


Kreu i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, ka mohuar në mënyrë kategorike një kandidim të tij të mundshëm  për postin e presidentit. Duke ju referuar deklaratës së djeshme të Sekretarit të Përgjithshëm të LSI-së, Luan Rama, kreu i LSI-së është shprehur se synon një rikandidim dhe rizgjedhje në krye të partisë që ai drejton. “Unë duke e mirëkuptuar propozimin e zotit Luan Rama që bëri dje, do ta ftoja publikisht megjithëse ja kam bërë dhe privatisht dhe sinqerisht, që të kandidojë për kreun e LSI-së, meqë ka shprehur edhe rezerva sa i takon kësaj force.


Kandidimi im është ai për kreun e LSI, ndërsa për një kandidim të mundshëm për postin e presidentin, kemi 30 vjet para për ta çmuar se kur do ishte momenti i përshtatshëm”,- deklaroi Meta.


Me tej kreu i LSI-së ka nënvizuar rëndësinë e përfundimit në kohë të reformës zgjedhore, asaj parlamentare dhe heqjes së imunitetit të zyrtarëve. Sipas Metës, procesi për zgjedhjen e presidentit duhet të shihet si proces për plotësimin e standardeve drejt BE-së, jo si proces ekonomik për cilindo që pretendon të qëndrojë në krye të Presidencës. “Zgjedhja e Presidentit është moment i rëndësishëm politik, në rast se do të jemi të gjithë në lartësinë që kërkon ky qëndrim politik. Ka skaduar afati dhe duhet me shpejtësi të përmbyllet reforma zgjedhore, parlamentare dhe heqja e imunitetit. Zgjedhja e Presidentit nuk është i rëndësishëm për plotësimin e një vendi, por me kuptimin e funksionimit të duhur të institucionit, sidomos për fushën e drejtësisë. Do të ishte një gabim i madh nëse do shihej si proces ekonomik. LSI i qëndron marrëveshjeve të nënshkruara”,-tha ai pa qenë shumë i prerë nëse do të votojë apo jo një kandidat të PD-së për president. Sipas tij duhet të mbizotërojë interesi kombëtar mbi atë partiak. I pyetur për darkën e shumë përfolur me kryesocialistin Edi Rama në Gjirin e Lalzit, Meta sqaroi se ai ishte një takim privat dhe jo politik, e nëse do të kishte një ftesë për të shkuar në shtëpinë e Ramës do ta pranonte me kënaqësi.


“Kam dëgjuar fantazi nga më të ndryshme, për një takim që është më shumë i karakterit privat dhe njerëzor dhe jo politik sipas gjykimit tim.. Është hedhur dyshim pse darka është ngrënë natën, por darka hahet natën jo ditën. E sigurt se produkte deti kemi ngrënë. Së dyti, nëse do kishte ftesë për darkë nga Rama me kënaqësi do e pranoja, nuk kam hezitim, se ju e dini edhe pse nuk isha i ftuar në dasmë unë i dërgova buqetën më të bukur”,- u shpreh Meta duke qeshur.


Kreu i LSI-së i ka bërë deklaratat pas takimit me senatorin italian Alberto Filippi, me të cilin u diskutua për çështjen e statusit të vendit kandidat për në BE.


12 maj 2012 (gazeta-Shqip.com)