Gjykata e Lartë ka rrëzuar kërkesat paraprake të avokatëve të Priftit dhe Beqirajt


Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë ka rrëzuar sot kërkesat paraprake të mbrojtësve ligjor të ish-ministrit Dritan Prifti dhe ish-zëvendësit të tij, Leonard Beqiraj, të cilët kërkuan mes të tjerave pushim të gjykimit, si dhe pavlefshmëri të videos ku shfaqen dy ish-zyrtarët e lartë duke ndarë mes tyre shumën e 69 mijë eurove. Ndërkohë që është caktuar se gjyqi ndaj dy ish-zyrtarëve do të nis më datën 29 maj.


Në seancën e sotme, relatorja e çështjes, Mirela Fana u shpreh se janë rrëzuar gjashtë nga kërkesat e avokatëve, ndërsa për dy prej tyre: papërdorshmërinë e videos Prifti-Beqiraj dhe pushimin e gjykimit, do të shprehen në një moment tjetër.


Më konkretisht janë rrëzuar kërkesat e avokatëve për: pavlefshmëri të regjistrimit për procedim penal ndaj zyrtarëve Prifti-Beqiraj, pavlefshmëri të këqyrjes së provave materiale ore dhe usb, rrëzim të kërkesës për sekuestrim të këtyre provave, për mënyrën se si janë caktuar ekspertët, pasi sipas gjykatës ky procedim nuk ka lidhje me procedimin e mëparshëm ndaj ish-zëvendëskryeministrit Ilir Meta. Ndërkaq janë rrëzuar edhe kërkesat për pavlefshmëri të materialit nëpërmjet të cilit kërkohej ndjekje penale ndaj Priftit dhe autorizimi për heqjen e imunitetit të tij, e po ashtu edhe për pavlefshmërinë e videos Prifti–Beqiraj, sepse sipas Gjykatës së Lartë të gjitha këto materiale janë marrë në përputhje me dispozitat ligjore.


Pritet që gjatë procesit, avokatët e Priftit dhe Beqirajt të përdorin sërish si argument mbrojtës precedentin “Meta”. Gjatë procesit ndaj ish-zëvendëskryeministrit Ilir Meta, Gjykata e Lartë e konsideroi të pavlefshëm ekspertizën e Glen Bart, mbi të cilën është bazuar edhe akuza për rastin Prifti-Beqiraj.


Dy ish-zyrtarët akuzohen për korrupsion pasiv, vepër kjo e kryer në bashkëpunim. Hetimet nisen pas gjetjes së një videoje ku dy ish-zyrtarët, shfaqen duke ndarë mes tyre 68 mijë euro. Videoja ishte realizuar nga vetë Dritan Prifti në ambientet e shtëpisë së tij dhe u gjet në lap-topin e tij nga një ekspert amerikan që ekzaminoi një tjetër video-përgjim të tij me Ilir Metën.  10 maj 2012 (gazeta-Shqip.com)