Kreu i LSI shprehu vendosmërinë për të zgjedhur presidentin e ri brenda javës që vjen, ndërkohë që theksoi se sovrani është parlamenti


Kryetari i LSI dhe aleati i kryeministrit Berisha në qeverisje, Ilir Meta ka reaguar pas tërheqjes nga gara të kandidatin për president të propozuar nga mazhoranca, Xhezair Zaganjori. Gjatë një konference për shtyp, Meta ka theksuar se tërheqja nga gara e Zaganjorit ka qenë një iniciativë e tij personale, që tregon personalitetin dhe sovranitetin  e figurës së tij, dhe për këtë fakt ai duhet vlerësuar. Meta kritikoi qëndrimin e opozitës, të cilin e cilësoi si paragjykues ndaj figurës së gjyqtarit të gjykatës kushtetuese, për të cilin vetë opozita kishte dhënë votën e saj në parlament në kohën kur ishte në pozitë.


“Tërheqja nga kandidimi për president i Xhezair Zaganjorit ka qenë një iniciativë sovrane, tërësisht personale e tij, që tregon personalitetin dhe sovranitetin  e tij dhe faktin se ai nuk e kërkoi vetë këtë pozitë, por iu kërkua për hir të një konsensusi për presidentin e vendit. Mazhoranca në kërkesën e saj ka qenë  e interesuar për t’i shkuar deri në fund kësaj kandidature, duke vlerësuar gjithë cilësitë që e bëjnë të plotë dhe konsenuale figurën e tij edhe për opozitën, që e kishte votuar si anëtar të gjykatës kushtetuese në parlament. Ndaj, kjo tërheqje meriton një vlerësim, të paktën nga ana ime dhe LSI, dhe është një mesazh për gjithë klasën politike, për të reflektuar, për të bërë edhe ndonjë përpjekje tjetër për konsensusin dhe për t’i hapur rrugë zgjedhjes së presidentit.  Opozita ka qenë e përfshirë në negociata, por ka humbur një rast të mrekullueshëm për të dhënë konsensusin për këtë kandidat”, – u shpreh Meta.


Më tej kreu i LSI shprehu edhe njëherë angazhimin e plotë të partisë së tij për të kontribuar në zgjidhjen e ngërzit dhe ecjen para të procesit të zgjedhjes së presidentit të ri brenda javës që vjen, e cila shënon edhe raundin  katërt të presidencialeve, por gjithahstu theksoi faktin se sovrani mbetet parlamenti.


8 qershor 2012 (gazeta-Shqip.com)