Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, i shoqëruar nga deputeti i Qarkut të Gjirokastrës, Vangjel Tavo, ka zhvilluar takime të ndryshme me anëtarët dhe simpatizantët e LSI-së në qytetin e Sarandës dhe të Delvinës. Në fjalën e tij, lideri i LSI-së ka theksuar se politikanë të ndryshëm në vend kërkojnë të fusin ndarjen dhe urrejtjen mes komuniteteve për ca vota më shumë. Sipas tij politika pseudo-nacionaliste risjell konflikte dhe nuk sjell zgjidhje për qytetarët.
“Saranda dhe sarandjotët janë shembulli më i shkëlqyer i vlerave integruese në shoqërinë tonë. Këtu për një kohë të gjatë kanë jetuar dhe jetojnë në harmoni dhe në respekt të plotë për njëri-tjetrin, në bashkëpunim të plotë me njëri-tjetrin si labët ashtu edhe komuniteti çam, minoritarët, skraparlinjë, përmetarët, beratasit dhe të gjithë së bashku. Si askund tjetër në Shqipëri edhe këtu ne duhet t’i forcojmë këtu vlera integruese, përbashkuese, të cilat ndihmojnë për të zhvilluar më tej harmoninë dhe solidaritetin me njëri-tjetrin, për të ecur përpara dhe aq më tepër në këto kohë kur shohim politikanë të caktuar të cilët përpiqen të krijojnë ndarje dhe akoma më keq përpiqen të krijojnë urrejtje ndërmjet komuniteteve të ndryshme. Këtë nuk e bëjnë për të mirën e asnjë komuniteti përkundrazi e bëjnë vetëm për interesin e tyre, për të mjelë disa vota sa andej dhe sa këtej”, tha Meta.
Kreu i LSI-së ka theksuar se sfida më e madhe para politikes sot është integrimi pasi sipas z. Meta marrja e statusit do të thotë më shumë projekte, investime dhe punësim. “Mjafton vetëm vullnet, bashkëpunim, dhe një ngritje mbi interesat e vogla dhe të ngushta të ditës të drejtuesve dhe të partive të caktuara. Qytetarët tanë nuk e meritojnë të vonohen në rrugën e integrimit evropian sepse kjo do të thotë që Shqipëria duke e marrë statusin do të ketë një autoritet më të madh edhe ndërkombëtar. Zëri i saj do të dëgjohet edhe më shumë. Marrja e statusit do të thotë projekte më të rëndësishme të zhvillohen në vendin tonë. Do të thotë më shumë investime dhe më shumë punësim, sepse do të thotë siguri për investitorët e huaj ,por edhe për ata vendas. Ndaj të gjitha ata që janë patriotë apo duan të hyjnë në një garë patriotizmi duhet të ecin në këtë drejtim dhe të mos ngatërrojnë shqiptarët me çështje të cilat nuk mund të trajtohen në atë mënyrë dhe me atë frymë tendencioze që risjell konflikte dhe nuk sjell zgjidhje për askënd. Detyrë e politikanëve është që t’i zgjidhin problemet që ka shoqëria, që kanë qytetarët, që kanë familjet tuaja këtu dhe në të gjithë vendin dhe jo të krijojnë probleme të tjera të cilat e bëjnë më të vështirë zgjidhjen e këtyre problemeve që ju keni sot”, tha Meta.
17 dhjetor 2012 (gazeta-Shqip.com)