Kreu i LSI-së Ilir Meta, i ka bërë thirrje edhe njëherë palëve politike të gjejnë rrugën e dialogut për plotësimin e 3 reformave që kërkohen nga BE me qëllim që Shqipëria të marrë statusin në Dhjetor. Duke iu referuar takimit të sotëm në Bruksel, mes kryeministrit të Kosovës Hashim Thaçi e atij të Serbisë Ivica Daçiç, Meta tha se klasa politike shqiptare duhet të marrë kurajo prej tyre për të përmbushur ëndrrën evropiane të shqiptarëve.


“Sot në Bruksel ka ndodhur diçka që se mendoja. Se mendoja që Thaçi udhëheqës i UÇK të takohej me kryeministrin e Serbisë pasuesin e atij që udhëhoqi genocidin në Kosovë. Kjo që mund të konsiderohet si krejtësisht e pamundur, ndodhi sepse pavarësisht nga e kaluara, pasi drejtuesit janë të tillë për të marrë përgjegjësi, ata takohen për të ardhmen europiane. Atëherë pse qenka kaq e vështirë që ne të miratojmë ligjin për Gjykatën e Lartë, rregulloren dhe ligjin për administratën civile. I bëj apel politikës që ta ndihmojnë këtë ëndërr e detyrim që kemi ndaj qytetarëve shqiptarë, le të marrim pak kurajo edhe nga Hashim Thaçi e Ivica Daçiç. Kur njëri shqiptar e tjetri serb e marrin këtë kurajo çfarë na pengon neve shqiptarëve. Ta marrim këtë hap në prag të 100- vjetorit, për kombin”, apeloi Meta.


Deklaratat e Metës u bënë gjatë mbylljes së fushatës për zgjedhjen e kreut të ri të partisë. Dy kandidatët për këtë post, Ilir Meta dhe Luan Rama kanë shpalosur për herë të fundit platformën e tyre përpara rinisë së Njësisë Bashkiake nr.5. Në këtë aktivitet Meta dhe Rama të shoqëruar nga Kryetari i LSI-së së Tiranës, Prof.Dr.Shezai Rrokaj, kanë shpërndarë kartat e anëtarësisë për 400 të rinj të cilët janë anëtarësuar javët e fundit në LSI.


19 tetor 2012 (gazeta-Shqip.com)