Eurodeputeti gjerman dhe raportuesi për Shqipërinë në Parlamentin Europian, Knut Fleckenstein ka mbërritur për një vizitë surprizë në Tiranë.


Ai ka qenë i shoqëruar gjatë paradites së sotme edhe nga ambasadorja e BE-së në vendin tonë, Romana Vlahutin.


Flelkenstein zhvilloi një takim në Presidencë me kreun e shtetit Ilir Meta, takimi i parë ky mes tyre që kur ish-kryetari i Kuvendit mori detyrën e re.


Sipas një njoftimi për shtyp të presidencës, mësohet se Meta ka theksuar se vijimi i reformave është i rëndësishëm, në veçanti ecuria e procesit të Vettingut.


“Avancimi i reformave gjithpërfshirëse dhe me konsensus sa më të gjerë mes pozitës dhe opozitës, me qëllim integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian dhe mundësimi i një klime politike mirëbesimi dhe bashkëveprimi të ngushtë është shumë i rëndësishëm në këtë proces.” – u shpreh Presidenti Meta.


Presidenti i Republikës nënvizoi se një rëndësi madhore ka zbatimi i Reformës në Drejtësi, në veçanti ecuria e procesit të Vettingut, me synim krijimin sa më të shpejtë të institucioneve të reja të drejtësisë.


Pas takimit në Presidencë, eurodeputeti i është drejtuar Kuvendit për një takim me kryeparlamentarin e ri Gramoz Ruçi.


18 shtator 2017 (gazeta-Shqip.com)